Vështrime

Projekti i 6 tetorit do të fitojë edhe më bindshëm

Partitë e vjetra mund t’i ngadalësojnë, por nuk mund t’i pengojnë më ndryshimet politike në Kosovë. Shumica e njerëzve duket se kanë vendosur të shkëputen nga joliria dhe të kërkojnë lirinë e merituar. Ajo liri ka të bëjë shumë me barazi sociale. Domethënë: nuk është liri vetëm mungesa e kërbaçit të policit serb, liri është barazia sociale dhe jeta me dinjitet. Dhe këtë jetë me dinjitet nuk e garantojnë politikanët e diskredituar në çdo aspekt, të cilët para sysh kanë vetëm kënaqjen e ambicieve personale. Në projektin për çlirimin e Kosovës duhet të kyçet më shumë dhe më zëshëm gjenerata e politikanëve të rinj të LDK-së.

6 tetori i vitit 2019 ishte dita kur qytetarët e Kosovës e kuptuan se mund të çlirohen vetë nga një sistem që vjedh qytetarin, nga një sistem që nuk i shërben qytetarit, por ia grabit resurset. Ky sistem në thelb e përbuz qytetarin, sepse atë nuk e sheh si bashkëpronar të republikës dhe bashkëpjesëmarrës në vendimmarrje, por vetëm si taksapagues të heshtur.