Vështrime

Talenti që Edi Rama e zotëron më së miri

Duke dërguar në Itali 30 mjekë e infermierë, kryeministri i Shqipërisë ka arritur të zgjojë vëmendje mediale jo vetëm në vendin më të rëndësishëm fqinj të Shqipërisë matanë Adriatikut. Aksioni është një investim i mirë në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë. Këtë e tregon jo vetëm një reagim i aktores Sharon Stone në Instagram, por sidomos komentet pozitive të mediave italiane.

Politika jeton edhe nga pamjet. Çfarë na kujtohet nga këto tri dekadat e fundit? Ramiz Alia duke takuar studentët dhe intelektualët në prag të rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri. Romano Prodi në vitin 1997 para masës në Vlorë, ndërsa Shqipëria ishte përfshirë nga anarkia si pasojë e neglizhencës së qeverisë ndaj sistemit kriminal të piramidave financiare. Çfarë na kujtohet tjetër? Fotografia me anijen që solli refugjatët shqiptarë në Bari. Më 8 gusht 1991, pas një odiseje nga porti në port në bregdetin italian, në portin e Barit mbërriti anija «Vlora». Në barkun dhe platformat e saj kishte rreth 10 mijë refugjatë. Shqiptarë të uritur për bukë, liri e dinjitet. Qeveria italiane vendosi që të gjithë të kthehen në Shqipëri. Kapiteni Halim Milaqi nuk pranoi të lundrojë prapa me arsyetimin se anija ishte prishur dhe kur disa kërcënuan me vetëvrasje, roja bregdetare italiane i dërgoi refugjatët në stadiumin e futbollit të Barit. Pjesa tjetër është histori.