OpEd

Kot

Viruset politike mund të presin. Pra, mirë do të ishte që Kosova të vazhdonte të udhëhiqej nga Qeveria në detyrë. E kur të kryhet epidemia shkojmë në zgjedhje. Ashtu siç po e kërkojnë krejt partitë politike. E po më duket, edhe ne qytetarët.

Këtë javë e festova ditëlindjen. Për herë të parë me maskë e me dorëza gome, tek sillesha në zyrat ku gjithnjë ka lëvizje të gazetarëve dhe të gjithë stafit që merret me prodhimin e lajmeve, ku urimi vinte me një "të cakne" bërrylash.

Më pyetën se si po ndihesha. Shumicës iu përgjigja fillimisht se isha e lumtur që i kisha bërë vitet që i kam, ndërkohë që kjo ma kujtonte shumë ditëlindjen time të para 22 vjetësh, kur kishte krisur lufta në Kosovë.

Nga ajo ditë nuk e mbaj mend asnjë gjë të vetme, pos që i kisha mbushur 35 vjet. E gjasë, pas njëzet vjetësh, nëse i mbërrij, edhe nga kjo ditëlindje do ta kujtoj vetëm CoronaVirusin dhe që një ditë më parë Kosova ia doli që ta rrëzonte një qeveri të zgjedhur në formë demokratike, në mes të krizës pandemike.

Inati shumë i madh

E gjithë ajo që na solli te rënia e Qeverisë pas 51 ditësh tashmë e pata përshkruar në kolumnen e javës së shkuar. Ajo që ndodhi të mërkurën vetëm sa e vërtetoi gjithë atë që e kisha përshkruar: që Kosova lëngonte nga dy viruse, njërin e mbante në trup qëmoti, Hashim virusin, e tjetrin do ta luftonte më shpejt po pati mend.

Mend nuk treguan deputetët e opozitës dhe të LDK-së kur vendosën ta rrëzonin një Qeveri që kishte treguar angazhim maksimal dhe organizim mjaft të mirë për luftimin e COVID-it. Pavarësisht përkatësisë partiake, ministrat i shihnim të angazhuar maksimalisht që neve të mos na ndodhte ajo që u kishte ndodhur italianëve dhe spanjollëve. Edhe kështu siç janë tash, në detyrë, nuk janë duke e lëshuar frontin. Dhe ashtu duhen vazhduar.

Seanca në Kuvend zgjati 12 orë a sa. U dëgjuan shumë fjalime, me heshtjen notore të PDK-së, e cila zgjodhi të fliste nëpërmjet shefit të grupit parlamentar. Dhe nuk kishin pse të inkuadroheshin fare në debat: punën për ta po e kryenin deputetët e LDK-së, të cilët e nxorën nga bodrumi arsenalin për ta sulmuar partinë me të cilën së bashku na e ofruan shpresën për ndryshim.

U kapën pas fjalëve të shefit të partisë së tyre që thoshte se kryeministri po i shkatërronte raportet me SHBA-në për shkak të taksës dhe për shkak se e kishte shkarkuar nënkryetarin e vet që kishte kërkuar futjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Në krejt atë kanonadë akuzash në fakt e dëshmuan se sa të pasinqertë kishin qenë ditën kur i kishin duartrokitur formimit të Qeverisë Kurti - nuk e kishin pasur përnjëmend, dhe krejt premtimet se "duhej Besuar" në ndryshimin e tyre i kishin pasur të rreme. E kishin pasur për një kolltuk, ku dikush tjetër duhet menduar për ta, e ku këta do të shërbenin si makinë për vota. Asgjë më shumë.

Votuan sipas diktatit partiak dhe shkuan në shtëpi.

Osmani e Kurti për histori

Ata të cilët u veçuan gjatë gjithë ditës ishin Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Fjalimi dhe më pas kiameti i replikave që i bëri Kurti treguan nivelin e komunikimit (me ndonjë shkarje të vockël aty-këtu) dhe të elaborimit aq elokuent të mendimeve, saqë shpesh pyeteshim po qe se ishim në Kuvendin e Kosovës - aty ku vlen barsoleta më simpatike që e dëgjova gjatë javës: "Deputetët e Kuvendit po e kontestojnë mbajtjen e seancës në ora 11, ngase kanë mësim online me mësuesen". Aty pra, ku gjenden njerëz që mezi i lexojnë fjalimet që ua shkruajnë, sepse kaq dinë.

Nuk ishte vetëm gjuha e pastër dhe me rregull sintaksore ajo që linte përshtypje. Ishin argumentet shumë të logjikshme që tregonin se zanafilla e krejt mocionit kishte qenë te ambicia e një njeriu për t'u bërë me pushtet absolut në kohë krize. E që atë pushtet ta zgjasë për aq sa të mundej, me a pa kushtetutë.

Nga ana tjetër, Vjosa Osmanin e pamë edhe të qetë, edhe të nervozuar, por edhe të emocionuar. E qetë dhe duke iu përmbajtur Rregullores e udhëhiqte seancën dhe u përgjigjej atyre, që në stilin e odës së burrave i çonin selam me piskamë nga ulëset se si duhej të vepronte - duke iu thënë "mos më tregoni se çfarë duhet të bëj", pa pasur nevojë për të shara, sikurse bënte paraardhësi i saj në atë post.

E emocionuar kur e lexoi fjalimin e saj në fund të seancës. I dyti fjalim me radhë, i një fuqie të jashtëzakonshme dhe me shumë porosi për ata që kanë veshë. Për ata që kishin dyshuar në kapacitetin e saj intelektual, dhe që kishin menduar se mund ta përdornin si mjet për ta marrë pushtetin në dorë dhe të ngrehnin penjtë nga hija.

Dërgoi shumë porosi dhe një ishte se nuk do të tërhiqej nga partia siç ia kishin urdhëruar. Sepse besonte në motivet që e kishin bërë të futej në politikë dhe se do të vazhdonte t'i mbronte parimet. Votoi kundër, sikurse edhe dy kolegë të saj deputetë të LDK-së, dhe u largua ballëlartë prej vendit që për herë të parë kishte frymuar demokraci pas dy dekadash.

Fituesi doli në shëtitje

Që nga e enjtja Kosova është me Qeveri në detyrë dhe me një zëvendëskryeministër më pak, për shkak se Kurti e shkarkoi Avdullah Hotin, po supozoj, për shkak të fjalimit të tij në Kuvend. Nuk po dëgjoj që ndonjëri nga ministrat të jetë larguar nga detyra, dhe të gjithë janë "në vijë të frontit" duke e bërë punën e tyre për kontrollimin e epidemisë.

Ama vija e frontit e ka edhe një linjë përpara, aty ku qëndrojnë gazetarët, dhe aty ku ata që nuk kanë gjë për të treguar, porse që kanë nevojë të tregojnë se kinse janë duke bërë diçka, dalin. Dhe dalin me plan: një ditë në QKUK, një ditë në FSK dhe një ditë te konviktet. Porse, po ta kishte ditur se do t'i vërshëllenin te Qendra e Studentëve, vështirë se do të shkonte.

Në secilën vizitë do të fliste për ndonjë gjë, dhe e gjitha do të përkufizohej te deklarata: do t'i nis konsultimet me partitë politike për qeverinë e re. Kushtetuta po i tregon se adresa për të trokitur është VV-ja, si fituese e zgjedhjeve, ama ideja e tij është si ta gjejë një formulë të shkeljes së Kushtetutës për të mos ia dhënë sërish mandatin VV-së.

Po ta kishte njëmend për zemër popullin, do t'i përmbahej Kushtetutës dhe do t'ia jepte mandatin VV-së, e kjo më pas do të mund të vendoste po qe se jep ose nuk jep emër mandatari derisa nuk dalim nga kriza e Covidit. Po qe se do që të krijojë kaos edhe më të madh, atëherë do ta bënte fizkulturën që mandatin t'ia jepte LDK-së që ta formonte kinse një qeveri gjithëpërfshirëse nën udhëheqjen e Avdullah Hotit.

Të shohim se çfarë ka ndërmend të bëjë, sidomos mbas një deklarate nga State Departmenti, nënshkruar nga Grenelli, Palmeri dhe Kosnetti, që thoshin se s'kishin parë plan të fshehtë dhe se taksa duhet të hiqet dhe se qëllimi përfundimtar është njohja e ndërsjellë e Kosovës dhe Serbisë.

Pak do të çajë kokën për atë që e thotë Daniel Serwer, një ekspert për çështje ballkanike, që e ka kundërshtuar qasjen e administratës amerikane karshi Kosovës, i cili beson se ka pasur jo një, por shumë plane të fshehta, se ka pasur edhe harta këmbime territoresh dhe se deklaratës në fund i mungojnë disa fjalë: "se do të bëhet njohja e ndërsjellë në kufijtë ekzistues".

* * *

Në kohën kur SHBA-ja është bërë vendi me më së shumti të prekur me COVID-19-in, dhe, siç e thotë Serwer, Amerika hiç nuk ka kohë të merret as me Kosovën e as me shumë sende të tjera të rendit të fundit.

Nuk ka absolutisht kushte që të mbahen çfarëdo runde bisedimesh kudo, përderisa krejt kufijtë i kemi të mbyllur.

Dhe absolutisht nuk është koha për protagonizma të kota, që e lanë Kosovën pa qeveri, më shumë për shkak të frikës nga vënia e rendit të ligjit në vend, sesa nga frika e prishjes së kësaj apo asaj marrëdhënieje.

Kosovës për kot iu komplikua situata edhe politike, dhe zgjidhja e edhe kësaj krize do të duhej të ndodhte në kohën kur përmbyllet kriza akute me coronavirusin. Java që vjen do të jetë vendimtare për kontrollimin e përhapjes së virusit. Jemi duke dëshmuar një disiplinë të pashoq, ndoshta jo më të përkryerën por, megjithatë, disiplinë për lëvdatë.

Viruset politike mund të presin. Pra, mirë do të ishte që Kosova të vazhdonte të udhëhiqej nga Qeveria në detyrë. E kur të kryhet epidemia, shkojmë në zgjedhje. Ashtu siç po thonë që e kërkojnë krejt partitë politike. E po më duket, edhe ne qytetarët.

flaka@koha.net