A mundesh? Jo nuk mundesh! Pse nuk mundesh? Dhe kur mundesh?

Enver Robelli Enver Robelli 19 March 2020 13:47

Shembuj nga vendet me demokraci të konsoliduar mbi rolin e shefave të qeverisë në përcaktimin e qëndrimeve politike – dhe rezistencën e ministrave, që nganjëherë mund të jetë edhe pozitive, por jo përherë.

1. Gjermani

Në nenin 65 të Kushtetutës së Gjermanisë flitet për “Richtlinienkompetenz” të kancelarit apo kancelares. Kjo është njëra nga ato fjalët e gjata gjermane që pastaj duhet shkruar një roman për ta shpjeguar. Shkurt: “Richtlinienkompetenz” (në anglisht: policy-making power) domethënë se kur një ministër ka një mendim tjetër, kancelari apo kancelarja ka kompetencë që me direktivë të imponojë mendimin e tij & saj dhe për këtë ai & ajo bart “përgjegjësi politike”. Natyrisht që kancelari apo kancelarja këtë direktivë nuk duhet ta përdorë në mënyrë arbitrare, por kjo në Gjermani nuk ka gjasa të ndodhë për shkak se shef qeverie nuk bëhet askush rastësisht.

Ka pasur një konflikt të thellë mes kancelares Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer. Ky i fundit ka thënë më 2018 se as kompetenca për direktivë e kancelares nuk do ta pengojë që në kufi të mos lejojë hyrjen e refugjatëve. Meqë Merkel dhe Seehofer janë politikanë që, në fund të fundit, e vlerësojnë shumë lart stabilitetin politik të vendit, ata kanë arritur një armëpushim. Raportet mes tyre tani janë relativisht të mira. Merkel e ka kuptuar se nëse edhe njëherë ndodhë ajo që ndodhi më 2015, pra hyrja pothuaj e pakontrollueshme e gati një milion refugjatëve, atëherë ajo nuk ka të ardhme politike. Nganjëherë rezistenca e një apo disa ministrave mund të jetë edhe e mirë për t’ia kthyer rezonin politik shefit të qeverisë.

Në rastin e Kosovës mes kryeministrit dhe ministrit të deridjeshëm të punëve të Brendshme konflikti ka qenë i programuar. Ish-ministri nuk e ka fshehur kurrë mendimin e tij se ky koalicion është i gabueshëm, madje ai tash po flet edhe më hapur: “Albin Kurti e ka ditur se nuk i nënshtrohem asnjë kërkese të tij”. Cili ka qenë atëherë roli i tij në këtë qeveri? Pse u bë pjesë e këtij ekipi kundër bindjeve të tij të thella? Që ta bëjë koalicionin sa më shpejtë të dështojë? Megjithatë, ngutësia e kryeministrit nuk është e parrezikshme dhe duket edhe si kalkulim për interesa elektorale të partisë së tij. Se cili do të jetë efekti i këtij veprimi është herët të thuhet. Por disa në VV po fluturojnë nga gëzimi dhe po e shohin partinë e tyre me mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, që nuk dihet se kur do të mbahen.

Për LDK-në gjithsesi zhvillimi i fundit është mësim: kryeministri me aurën e profetit, të cilën ia kanë ndërtuar militantët, por edhe retorika e tij e mprehtë me elemente populliste, mund të demitizohet dhe ministrat nga radhët e VV-së mund të sfidohen vetëm me personalitete që reja e të fuqishme brenda LDK-së, të cilët marrin dhjetëra-mijëra vota. Ka shumë njerëz në Kosovë që VV-në e shohin si të paparashikueshme, rrjedhimisht të rrezikshme, por prapë e përkrahin për shkak të plogështisë së LDK-së.

Momentalisht janë disa LDK dhe nuk dihet se kur do të përfundojë kjo betejë. Kryetari aktual është zgjidhje e përkohshme dhe më shumë se moderator mes palëve nuk mund të jetë. Në raste të tilla partitë thërrasin kuvende të jashtëzakonshme dhe kush ka interes e mat fuqinë e tij politike. Kryetarja aktuale e partisë konservatore gjermane CDU kur e vërejti se nuk po arrin ta menaxhojë dot partinë, paralajmëroi dorëheqje dhe një kongres i ri, i paraparë për muajin prill, e tani i shtyrë për një datë tjetër për shkak të koronës, do të zgjedhë kryetarin apo kryetaren e re.

Në Kosovë ekziston mundësia (dhe rreziku) që më 19 mars 2021 kryetar shteti të jetë Isa Mustafa dhe kryeministër Hashim Thaçi. Ose Albin Kurti me pozën e Napoleonit kosovar do të thotë: “Unë pata të drejtë”. Kazinoja politike e Kosovës është një arenë befasish dhe shpesh nuk mund të shpjegohet e lëre më të parashikohet në mënyrë racionale. Në këtë tollovi përherë i gatshëm për t’u “sakrifikuar” do të jetë edhe Ramush Haradinaj. Populli ka përherë nevojë për shkathtësitë e tij qeverisëse.

2. Zvicër

Shtatë ministra, një mendim. Ky është parimi i punës së qeverisë së Zvicrës. Në qeveri janë të përfaqësuara katër parti: socialdemokratët, liberalët, kristiandemokratët dhe partia e djathtë SVP. Vendimet merren me shumicë, domethënë nëse 4 ministra kanë votuar për një çështje dhe 3 kanë qenë kundër, atëherë të gjithë, edhe ata 3 të mbivotuarit, në opinion duhet të mbrojnë qëndrimin e qeverisë. Kjo nganjëherë shkakton situata mjaft interesante. Për shembull: një parti mund të jetë kundër ligjit për ndalimin e duhanit në restorante, por meqë qeveria ka vendosur ndryshe, atëherë ministri nga radhët e kësaj partie duhet të përfaqësojë mendimin e qeverisë dhe jo të partisë së tij.

Ka situata edhe më absurde, por për shëndetin politik dhe stabilitetin e Zvicrës ato janë gjithsesi pozitive: një parti mbledh nënshkrime dhe e bën të mundshëm një referendum popullor për pezullimin e marrëveshjes me BE-në, e cila u mundëson shtetasve të BE-së të kërkojnë punë në Zvicër. Qeveria insiston që marrëveshja të respektohet. Rrjedhimisht, edhe ministri nga partia që kërkon pezullimin e marrëveshjes mbron publikisht qëndrimin e qeverisë, madje edhe në fushatën për referendum. Kjo metodë pune quhet “Kollegialitätsprinzip”, parim kolegialiteti.

Nga kjo formë demokracie shumë vende janë larg, përfshirë edhe Kosovën, por shembujt mund të shërbejnë si inspirim për skenën politike për të parë se si mund të gjinden zgjidhje edhe në situata të zorshme politike. Në Ballkan arritjen e çdo kompromisi e pamundëson shpesh ndikimi ende i madh i rrjeteve joformale, i nëntokës, i figurave të “fuqishme” politike. Nuk është për t’u admiruar, por gjithsesi është një fenomen interesant politik se si kryetari i Kosovës për më shumë se një dekadë arrin të mbajë të mbështetur për muri gati krejt skenën politike të Kosovës. Kjo flet shumë edhe për cilësinë e deritanishme të protagonistëve të skenës politike.

3. Një ekip

Një qeveri funksionon vetëm si ekip që ndjek synime e qëllime të përbashkëta. Liria e shprehjes është fantastike, ama kur bëhesh ministër ekziston një program qeveritar dhe nuk mund të tregosh azgani duke vepruar në të kundërtën e programit. Çdo ministër duhet të ketë parasysh një interes: mbrojtjen dhe zbatimin e programit qeverisës dhe jo të vrapojë pas ideve që dalin në pazarin e kurtheve politike të Kosovës. Edhe plani për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme më së paku ka të bëjë me luftimin e koronavirusit. VV mund të jetë e paparashikueshme, por në sportin e paparashikueshmërisë kryetari i Kosovës është i pamposhtur, andaj kjo e shpjegon edhe kundërveprimin automatik të VV-së pas çdo gjëje që propozon presidenti. Mes këtyre dy palëve nuk ka besim, kjo betejë do të vazhdojë deri kur dikush të mposhtet.

Çka nëse gjendja e jashtëzakonshme shfrytëzohet për vendosjen e Kosovës para aktit të kryer? Disa ushtarë kosovarë në veri, disa ushtarë serbë duke u futur në Kosovë, një shkëmbim zjarri me shumë tym e mjegull dhe – mirëdita! – këta janë kufijtë e rinj, tash nënshkruani marrëveshjen. Ky është paniku që e ka kapluar kreun e VV-së dhe ekipin e tij, por nuk është e sigurt nëse kanë informata të sakta mbi “marrëveshjen fatale” që eventualisht e kanë arritur dy presidentët. Por duhet marrë gjithsesi seriozisht paralajmërimet që po bëjnë ish-diplomatët e administratës së Bill Clintonit mbi një marrëveshje tejet të dëmshme në kurriz të Kosovës, të cilën, sipas tyre, po përpiqet ta imponojë shpejt e shpejt ambasadori Richard Grenell. Nga presidenti i Kosovës ky diplomat pa përvojë, por me ndikim në administratën e Donald Trumpit po shfrytëzohet me shkathtësi si instrument torture për të frikësuar partitë politike, opinionin dhe në fund edhe për të rrëzuar qeverinë.

Gërshërët e gjata që para disa ditësh presidenti i mbante në fshatin e tij simbolizojnë Richard Grenellin. Ky duet ka edhe një mision: të ekskomunikojë Europën dhe ta prezantojë atë si të paaftë për të zgjidhur nyjën kosovare. Sulmet kundër BE-së dhe këshilltarëve të presidentit francez dhe kancelares gjermane, që presidenti i ka bërë ditëve të fundit, kanë qenë të paprecedentë në 20 vitet e fundit. Kryetari serb këtu është më fleksibël. Ia bën pak qejfin Grenellit, por në bisedë me Angela Merkelin thotë se është i gatshëm që të negociojë me Kosovën për heqjen e barrierave jotarifore. Kështu ai nuk i hedh në ajër urat lidhëse me BE-në. Nga ana tjetër: kryeministri i Kosovës beson se hallet e Kosovës zgjidhen edhe me Josep Borellin, i cili si katalonas e ka vështirë të shkojë edhe në fshatin e tij, sepse kundërshton pavarësinë e Katalonisë. – Sidoqoftë, Kosova është një vend ku përherë mbretërojnë kohëra interesante. Nganjëherë aq interesante, saqë mund të dëmtojnë seriozisht shëndetin mendor të qytetarëve. Bile më shumë se frika nga korona.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Amelika25/03/2020 11:52

Trumpi i pate thon Erdoganit :"Don't be a fool", paramendo çka ka me i thon mr.beanit nese bohet nervoz

Beni25/03/2020 12:16

Faleminderit per shkrimin Enver. Une jetoj ketu dhe eshte e vertet qe shendeti mendor po shkon drejt nje fundi. Thelle thelle mendesia kolektive ketu eshte e semure. Qeveria e re me dha shume shprese por tani me keto ngjarjet e fundit, une per vete nuk shoh rruge-zgjidhje tjeter perveq largimin nga ky vend.

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli