Virusi që teston botën moderne

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 18 March 2020 08:26

Sa më e zhvilluar, aq më e ndjeshme bëhet bota. Rezistenca ndaj virusit Corona dëshmoi se nuk ka dallim mes të zhvilluarve dhe të papazhvilluarve. Por përballja me këtë virus nxjerr në sipërfaqe edhe vetitë më të mira, por edhe ato të liga të njerëzimit. Kjo u pa edhe në reagimet e BE-së ndaj krizës. Shtetet si Gjermania ranë menjëherë në provim, sepse ndaluan eksportin e pajisjeve mjekësore, dhe Italisë më shpejt i erdhi ndihma nga Kina sesa nga Gjermania. Solidariteti që po dëshmohet në anën tjetër është i mirëseardhur, por test i vërtetë do të jetë kohëzgjatja. Ky virus është edhe porosi se ka ardhur koha që të ndryshohen prioritetet.

Një prej shqetësimeve më të mëdha gjithmonë është frika nga e panjohura. Kjo e bën frikën nga virusi i ri Corona, që po përhapet nëpër botë, edhe më të madhe dhe po ashtu të arsyetueshme. Sepse ende pak dimë për të. Pak dinë edhe ekspertët (këtu nuk përfshihen ata të Facebookut dhe analistët që dinë gjithçka, gjithmonë) dhe po mundohen t’i bien në fije. Derisa të gjendet ilaçi, apo vaksinimi për parandalimin e infektimeve, frika do të vazhdojë.

Sepse, sikur të mos ishte dilema rreth të panjohurës, infektimi i afro 200 mijë njerëzve në botë nuk do të ishte asgjë serioze. Sepse kaq njerëz në vit në një shtet relativisht të vogël i kaplon gripi sezonal. Por për gripin sezonal dihet se ka vaksinim, që në masë të madhe mbron nga infektimi, dihet se zgjat disa ditë, dhe dihet se, pos tek pacientët me imunitet të dobët, nuk ka pasoja.

Ky është një virus për të cilin ende nuk dihet se çfarë pasojash ka. Dikush thotë se “nuk është më i rrezikshëm sesa gripi”, por shifrat për të vdekurit në Itali, mbi 5 për qind të të infektuarve, janë shqetësuese. Nga gripi sezonal nuk vdesin as 0,1 për qind. Në anën tjetër ka njerëz që tërësisht janë shëruar. Por jo tek të gjithë ka zgjatur kurimi njësoj.

Pra, është papërgjegjësi e madhe të jepen tash përgjigje të thjeshta në pyetje tejet të rëndësishme rreth virusit që ka vënë në test tërë njerëzimin. Përgjigjen duhet lënë ekspertëve dhe vetëm ekspertëve.

Secili mund të bëjë shumë duke zbatuar urdhrat e atyre që kanë për detyrë të kujdesen për shëndetin publik, rendin dhe mirëqenien. Lënia anash e dallimeve politike, solidariteti rreth prioritetit kryesor që kriza të tejkalohet me sa më pak pasoja, duhet të jenë në mendjen e secilit.

Sa më e zhvilluar, aq më e ndjeshme bëhet bota. Sa më lehtë të lëvizin njerëzit, aq më lehtë lëvizin edhe viruset dhe kërcënimet. Dhe nganjëherë nuk ka metoda të tjera që të ngadalësohet lëvizja e virusit pos përmes ngadalësimit të lëvizjes së njerëzve. Dhe këtë tash po e përjetojmë.

Rezistenca ndaj virusit Corona dëshmoi se nuk ka dallim mes të zhvilluarve dhe të papazhvilluarve. Dallimet mund të shihen më vonë nëse epidemia godet ndonjë shtet me sistem të varfër shëndetësor. Italia, si shtet i zhvilluar, nuk qe në gjendje të përballej me fluksin e pacientëve me nevoja urgjente. Kjo mund të jetë edhe arsyeja e vdekshmërisë tejet të madhe të pacientëve të infektuar me virusit Corona. Pas Italisë, Norvegjia është shteti i cili ka numrin më të madh të të infektuarve, krahasuar me numrin e banorëve. Por nga gati 1500 të infektuar, kanë vdekur 3 persona, përderisa në Itali nga 21000 të infektuar kanë vdekur afro 1450 persona. Shumë shtete të Evropës Perëndimore janë përgatitur shpejt, duke bërë luftë me kohën, në mënyrë që të përballen me fluksin e pacientëve. Italinë e kaploi tepër shpejt pa i dhënë mundësi të përgatitet mirë. Prandaj shpresa është se, nëse vala e infektimeve nuk kalon shpejt, së paku të ngadalësohet, për t’iu dhënë mundësi mjekëve që të shpëtojnë sa më shumë jeta të njerëzve.

Por përballja me këtë virus nxjerr në sipërfaqe edhe vetitë më të mira, por edhe ato të liga të njerëzimit. Kjo u pa edhe në reagimet e BE-së ndaj krizës. Shtetet si Gjermania ranë menjëherë në provim, sepse ndaluan eksportin e pajisjeve mjekësore, dhe Italisë më shpejt i erdhi ndihma nga Kina sesa nga Gjermania. Me këtë Gjermania, jo vetëm se dëshmoi një egoizëm në kohë kur duhej dëshmuar solidaritet, por shkeli edhe rregullat e tregut të përbashkët të BE-së. Pasuan vendimet e njëpasnjëshme për mbylljen e kufijve, kufizimin e lëvizjes së njerëzve. Sepse frika nga virusi dhe nevoja që ai të ngadalësohet dhe mundësisht të ndalet nuk janë diçka që rregullohen vetëm me ligj.

Solidariteti që po dëshmohet në anën tjetër është i mirëseardhur, por test i vërtetë do të jetë kohëzgjatja. Njerëzit ofrohen për t’iu ndihmuar atyre që nuk kanë mundësi të dalin, që nuk mund të shkojnë për të blerë gjërat ushqimore. Shumë qeveri po përgatiten të ndihmojnë ekonominë e cila do të jetë e goditur rëndë kur kriza të kalojë. Të gjitha gjërat e tjera janë lënë anash, nga deficiti buxhetor, recesioni ekonomik, turizmi. Kujt mund t’i shkojë mendja tek ato tema. Edhe shkuarja tek mjeku për ndonjë nevojë është bërë e pamundur dhe, madje e panevojshme, sepse duhet lënë kapacitetet mjekësore në pritje të ndërhyrjeve të shpejta.

Kriza e virusit Corona dëshmoi se asgjë nuk duhet të merret si e garantuar. Dëshmoi se është mirë se BE-ja ka ende moton se duhet gjithmonë të ketë ushqim të mjaftueshëm, një moto që u paraqit pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse shpesh çmimi i ndonjë prodhimi bujqësor është më i madhe sesa çmimi i ati prodhimi në treg, duhet siguruar që ai të mos mungojë. Kjo duhet ta arsyetojë nevojën që BE-ja të vazhdojë ta subvencionojë bujqësinë. U dëshmua se nuk ka sa duhet maska dhe pajisje mjekësore. Pra, edhe BE-ja, edhe shtetet anëtare duhet të investojnë më shumë për t’u përgatitur më mirë. U dëshmua se nuk mund të furnizohen me shpejtësi të duhur barnatoret me dezinfektues dhe, kur krijohet paniku për mungesën e mallrave elementare, as raftet e supermarketeve nuk mund të mbushen me mall aq shpejt sa mund t’i zbrazin njerëzit që blejnë nga paniku, ani pse ka mallra të mjaftueshme për disa muaj nëpër depo.

Kjo krizë e teston njerëzimin në mënyrë të paparë deri më tash. Prandaj kur të kalojë kjo krizë, dhe do të kalojë, herët apo vonë, shumë gjëra duhet të ndryshohen në botë. Dhe në BE po ashtu do të ndryshohen prioritetet. Sepse secila krizë, secila sfidë, është një mësim i ri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj