OpEd

Shërbimi ushtarak - një fjali në letër

Në programin qeveritar shërbimi ushtarak përmendet vetëm me një fjali. Kjo tregon se sa seriozisht e ka pasur kryeministri Kurti kur u ka premtuar mijëra të rinjve se do t’ua përmbushë ëndrrën për t’i shërbyer për herë të parë ushtrisë së popullit të vet, e jo të huajave. Me rëndësi, ëndrra të mos këputet

Mjafton të përmendet fjala ushtri dhe t’i ndërrojë kahu bisedës në tavolinë të burrave shqiptarë të Kosovës që kanë kryer shërbimin ushtarak në ish-Jugosllavi. Periudha që shënonte kthesë në jetën e tyre u mbetet përgjithmonë tema kujdestare kur sosen muhabetet e përditshme.

Secili ka çka të rrëfejë nga përvoja një apo dyvjeçare, sa zgjaste atëherë shërbimi i obliguar në një ushtri shumëkombëshe. Batuta e anekdota, vuajtje e heroizma shenjëtarie janë të mbushura tregimet e tyre.

Para se të nisja të shkruaja këtë kolumne, i pyeta disa kolegë të mi nëse u ka sjellë ndonjë dobi shërbimi në ushtri. Numëruan disa të mira. Na ka mësuar disiplinën, përgjegjësinë, solidaritetin, funksionimin në ekip, na ka afruar me njerëz kombesh e kulturash të ndryshme, na e ka përforcuar atdhedashurinë dhe besimin se mund t’i mbrojmë vendin dhe familjen.

E keqja e përbashkët e shqiptarëve që shërbenin në ushtrinë socialiste ishte se i takonin një kombi që diskriminohej dhe shtypej vazhdimisht brenda krijesës së quajtur Jugosllavi. Pasojat e politikës diskriminuese dhe hegjemoniste sllave ushtarët shqiptarë, që shërbenin në qytete të ndryshme të ish-Jugosllavisë, i ndien më së shumti gjatë viteve ‘80 e fillimi i viteve ‘90. Ata përçmoheshin, keqtrajtoheshin dhe vriteshin. Në atë periudhë qindra shqiptarë u kthyen nga ushtria në shtëpi nëpër arkivole, me trupin e mbushur vrima plumbash. Vdekjet e tyre ende janë mister.

Të rinjtë shqiptarë të Kosovës me shekuj kanë qenë të detyruar t’u shërbejnë ushtrive pushtuese. Të njohur për zotësi dhe shkathtësi luftarake, ata qenë të preferuarit e gjeneralëve e të perandorëve. Por vetëm në dekadën e fundit atyre iu krijua mundësia që ta plotësonin dëshirën për t’i shërbyer ushtrisë së popullit dhe shtetit të tyre.

Themelimi i Forcës së Sigurisë të Kosovës, e kthyer vetëm me ligj në ushtri, është institucioni që u jep krenari, besim e lavdi. Interesimi për t’u bërë pjesë e saj është i madh.

Së fundmi, të rinjtë kosovarë i ka entuziazmuar një pikë e programit të Qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Kjo pikë parasheh edhe shërbimin e obligueshëm ushtarak për djemtë, dhe me dëshirë për vajzat.

Qysh kur e dha si premtim gjatë fushatës zgjedhore, ideja e kryeministrit Kurti u mirëprit nga populli. Prindërit e shohin si mundësi të mirë që fëmijët e epokës së teknologjisë dhe digjitalizimit të mund t’u nënshtrohen qoftë edhe vetëm për tre muaj disiplinës, stërvitjes fizike, ngritjes së moralit luftarak dhe forcimit të ndjenjës së përgjegjësisë dhe atdhedashurisë.

Ide të bukur dhe të dobishme e konsiderojnë disa ish-ushtarakë dhe njohës të doktrinave ushtarake shërbimin e obliguar ushtarak, për të cilin nuk ka ende as plan të detajuar. Ka të atillë që e konsiderojnë edhe model të vjetruar dhe më shumë preferojnë modelin e ushtrisë profesioniste për FSK-në.

Por, që të gjithë e shohin vështirë të realizueshëm në rrethanat që ndodhet tash Forca e Sigurisë e Kosovës. Madje nuk besojnë që mund të themelohet, jo brenda një mandati, por as brenda dy mandatesh qeverisjeje. Arsyeja e vetme është mungesa e mjeteve financiare dhe e kapaciteteve hapësinore e njerëzore për trajnimin dhe mbikëqyrjen e ëndërrimtarëve të shërbimit në ushtri.

Për ta bërë të detyrueshëm shërbimin ushtarak në Kosovë, së pari duhet të bëhen ndryshimet ligjore, të cilat kanë të bëjnë me Ministrinë e Mbrojtjes, me Forcën e Sigurisë të Kosovës dhe për shërbimin në këtë forcë. Ndryshimet ligjore marrin vite, ndërsa aktualisht FSK-ja nuk ka kapacitet as për përmbushjen e nevojave dhe obligimeve të pjesëtarëve të saj të rregullt e lëre më për rekrutë.

Kur e ka hedhur idenë për shërbimin e obliguar ushtarak prej tre muajsh, Albin Kurti e ka ditur fare mirë se duhet shumë kohë e mjete për ta realizuar. Kam bindjen se ka dashur që qoftë edhe me premtime në ajër t’ia zgjojë popullit ëndrrat e fjetura dhe ndjesinë e humbur të lidhjes me shtetin nga qeverisjet e kaluara, që ia plaçkitnin jo vetëm buxhetin, por edhe shpresat. Lidhjen me shtetin, sipas ekspertëve të sigurisë, e përforcon sidomos shërbimi në ushtri.

Tani kur ka realizuar ëndrrën për t’u bërë kryeministër, Kurti nuk u ka dhënë përgjigje pyetjeve të gazetës për mënyrën se si planifikon ta përmbushë premtimin zgjedhor për shërbimin ushtarak. Në programin qeveritar shërbimi ushtarak përmendet vetëm me një fjali: “Shërbimi ushtarak i obligueshëm, që do të jetë me kohëzgjatje tremujore në përputhje dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-s”. Kjo tregon se sa seriozisht e ka pasur Kurti kur u ka premtuar mijëra të rinjve se do t’ua përmbushë ëndrrën për t’i shërbyer për herë të parë ushtrisë së popullit të vet, e jo të huajave. Me rëndësi, ëndrra të mos këputet.