Një mjedis më i mirë për zhvillimin e Shoqërisë Civile në Kosovë

Habit Hajredini Habit Hajredini 13 March 2020 18:51

Qeveria e Republikës së Kosovës është një nga qeveritë më pro aktive në rajon në mbështetjen për zhvillimin e mëtutjeshëm të shoqërisë civile. Në korrik të vitit 2013, Qeveria e Kosovës miratoi Strategjinë e parë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile (2013-2017), e cila përcaktoi rregullat për bashkëveprimin dhe bashkëpunimin e Shoqërisë Civile në bërjen e politikave dhe qeverisjen e mirë. Strategjia ofron një bazë të fortë bashkëpunimi midis qeverisë dhe shoqërisë civile, me qëllim të mbajtjes së qeverisë në përgjegjësi për krijimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e sektorit të shoqërisë civile në vend. Si rezultat, shoqëria civile gjithnjë e më shumë është e përfshirë në politikë bërje.

Zyra për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit (ZQM / ZKM) luajti një rol qenësor në të gjitha zhvillimet në këtë drejtim. ZQM / ZKM është institucioni kryesor qeveritar që koordinon procesin e përfshirjes së shoqërisë civile në vendimmarrje dhe bashkëpunim ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile. Po ashtu, kjo zyre koordinon procesin e krijimit të sistemit të mbikëqyrjes dhe raportimit për përfshirjen e shoqërisë civile, siguron forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve dhe përfshirjen përmes institucioneve qeveritare dhe shoqërisë civile me qëllim të hartimit dhe zbatimit të politikave publike në dobi të qytetarët.

Zyra për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit me mbështetjen e Projektit të Asistencës Teknike të financuar nga e BE-së, në periudhën nga 2016 deri në 2019, arritën të zbatojnë shumicën e aktiviteteve të parashikuara në Strategjinë e parë: Hartuan Strategjinë e re qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile 2019-2023 dhe arritën të mbështesin punën e Këshillit për Bashkëpunim të Qeverisë me Shoqërinë Civile. Për më shumë, është bërë një përmirësim i dukshëm në sigurimin e hapësirës për proceset e hapura të konsultimeve publike dhe përfshirjen e qytetarëve në hartimin e politikave, si dhe në fushën e transparencës dhe llogaridhënies në sigurimin e fondeve publike për OShC-të.

Z. Habit Hajredini, Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit i cili ishte pjesë e të gjitha këtyre zhvillimeve për shumë vite, thekson se "Qeveria është e përqendruar në mbështetjen e zhvillimit të shoqërisë civile. Ne besojmë se krijimi i një kornize më të mirë ligjore, institucionale dhe financiare për bashkëpunim midis qeverisë dhe shoqërisë civile është një nga treguesit thelbësor të pjekurisë për demokracitë moderne. Shoqëria civile e fuqizuar dhe aktive mund të kontribuojë në formimin e një legjislacioni më të mirë, ofrimin e shërbimeve publike me cilësi më të mira, të sigurojë monitorim më efektiv të zbatimit të reformave kryesore të politikave si dhe në rritjen e vullnetarizmit të qytetarëve. Jemi të lumtur që po ecim në hap me rekomandimet e BE-së për zhvillimin e shoqërisë civile dhe po krijojmë mundësi ​​ për një mjedis më të mirë për këto zhvillime. Strategjia e re që u miratua në shkurt 2019 është edhe më afër OShC-ve dhe nevojave të qytetarëve dhe ne besojmë se zbatimi i saj do të sjellë vlera më pozitive në demokratizimin e mëtutjeshëm të shoqërisë sonë. "

Strategjia e re për bashkëpunim të qeverisë me shoqërinë civile 2019-2023 sjell perspektiva të reja dhe angazhime të reja të Qeverisë ndaj OShC-ve. Kjo Strategji përcakton objektivat dhe politikat strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës për periudhën e ardhshme afatmesme në mënyrë që të përmirësojë mjedisin për zhvillimin e shoqërisë civile dhe të krijoj parakushte për një bashkëpunim më efektiv të organeve qeveritare dhe OSHC-të në proceset kryesore të reformës në vend.

Katër objektivat strategjike u përcaktuan në një proces me shumë pjesëmarrës që ka përfshirë rreth 60 përfaqësues të OSHC-ve në të gjithë vendin. Rol themelor në këtë proces pati Zyra për Qeverisje të Mirë dhe Zyra e Kryeministrit. Ekipi punues, i përbërë nga përfaqësues të qeverisë dhe shoqërisë civile, u krijua nga ZKM me mbështetjen e ekspertëve të Zyra e Qeverisjes së Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit dhe projektit të Asistencës Teknike të financuar nga Bashkimi Evropian.

Ky ekip i gjithëpërfshirës ka qenë shumë pro aktiv në plotësimin dhe vlerësimin e Strategjisë së mëparshme, përcaktimin e fushave me përparësi dhe përcaktimin e misionit / vizionit të Strategjisë për 2019-2023.

Procesi i përgatitjes së Strategjisë është shembulli më i mirë i transparencës së institucioneve dhe proceseve të hapura të konsultimit dhe është një nga mënyrat më të mira të përgatitjes së dokumenteve strategjike dhe ligjeve. Për të siguruar sa më shumë të dhëna të mundshme nga OShC-të dhe palët e tjera të interesit, përveç ekipit të punës, u mbajtën takime konsultimi edhe me përfaqësuesit e OSHC-ve në 5 rajone - Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Prizren dhe Gjilan me më shumë se 55 pjesëmarrës. Po ashtu u mundësuan konsultime online në një periudhë prej 30 ditësh.

Rritja e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në hartimin e politikave është objektivi i parë strategjik. Qeveria ka bërë përparim të konsiderueshëm në zhvillimin e standardeve dhe praktikave për rritjen e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në hartimin e politikave dhe legjislacionit. Në periudhën tre vjeçare u miratua një rregullore e re dhe filloi të praktikohet. Si pasojë, këto përmirësime u konfirmuan edhe nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Kohët e fundit Banka Botërore përmes projektit të tyre "Treguesit Global të Qeverisjes " që përfshin 187 vende të botës, e ka renditur Kosovën si të parën në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nw vendin e njëzet e katërt nga të gjitha vendet e përfshira në vlerësim.

Përmirësimi i qëndrueshmërisë së financimit të programeve dhe projekteve të OSHC-ve është objektivi i dytë strategjik. Të dhënat e fundit tregojnë se ekziston një përparim i dukshëm në zbatimin e rregullores në lidhje me fondet publike për OShC-të. Fondet janë në rritje, në total 22,7 milion euro u janë shpërndarë OShC-ve nga institucionet shtetërore..

Objektivi i tretë ka për qëllim sjelljen e shërbimeve publike më efektive dhe më efikase, pasi Qeveria dhe OSHC-të janë të angazhuara të punojnë së bashku në të ardhmen në zhvillimin dhe miratimin e standardeve dhe procedurave për ofrimin e shërbimeve publike nga OShC-të, përfshirë mbulimin e licencimit.

Dhe në fund, objektivi i katërt, por jo më pak i rëndësishëm është rritja e vullnetarizmit. Një studim mbi vullnetarizmin në Kosovë është realizuar dhe gjithashtu disa aktivitete në formë të punëtorive dhe fokus grupeve janë organizuar. Në vitin 2019, është hartuar një koncept dokument për rregullimin dhe promovimin e vullnetarizmit.

Në një vit implementimi, gjatë vitit 2019, Strategjia Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile është duke u zbatuar në përputhje me Planin e Veprimit. Përkatësisht, shtatë nga 17 aktivitetet e planifikuara për vitin 2019, shtatë janë realizuar plotësisht, tetë aktivitetet janë në zbatim e sipër dhe vetëm dy prej tyre nuk janë zbatuar.

Arritje të mëdha në një periudhë të shkurtër. Me përkushtim të plotë nga të gjithë palët e interesuara, mjedisi për shoqërinë civile në Kosovë mund të jetë edhe më i avancuar dhe më i favorshëm në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Z. Habit Hajredini, Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit beson se demokracitë e përparuara kanë shoqëri të fortë civile, demokracitë në tranzicion të cilët synojnë të bëhen pjesë e BE-së kanë nevojë për një shoqëri civile edhe më të fortë. Kështu që, qeveria, OSHC-të dhe qytetarët kanë përgjegjësi të përbashkëta drejt demokratizimit të vendit, drejt integrimit në BE dhe shoqërisë civile të fortë dhe të pavarur.

z.Hajredini theksoi se edhe nga qeveria e re kemi marrë përkrahjen dhe zotimin se Qeveria e Republikës së Kosovës i konsideron organizatat e shoqërisë civile partnerë të rëndësishëm në arritjen e objektivave strategjike për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Kosovës në rrugën e procesit të integrimit në BE.

Hapja, transparenca dhe pjesëmarrja janë ndër parimet themelore të qeverisjes së mirë që Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar thellësisht për të promovuar në punën e saj të përditshme. Transparenca pro aktive dhe hapja e të dhënave për shpenzimet buxhetore është një nga shtyllat thelbësore për të siguruar një menaxhim të qëndrueshëm të financimit publik, luftim efektiv kundër korrupsionit dhe një llogaridhënie më e fortë në punën e institucioneve publike në të gjitha nivelet.

* Ky Artikull eshte i sponzorizuar nga Projekti "Mbështetje për implementimin e Strategjisë së Qeverisë për Bashkepunim me Shoqërinë Civile", i financuar nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga WYG International dhe CESO Development Consultants. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment