OpEd

Telashe të pritura

Që nga formimi i kësaj Qeverie është ditur që bashkëjetesa VV-LDK nuk do të jetë e lehtë. Porse, ka shumë njerëz që kanë besuar se binomi Kurti-Osmani do të mund ta bënte ndryshimin aq të nevojshëm në Kosovë. Dhe se fuqizimi i Osmanit në fakt do të duhej amortizuar rrymat pro-PAN-iste brenda LDK-së, që megjithatë tregojnë se kanë fuqi jo të vogël në parti. Dhe se ato përherë do të paraqesin problem kur duhet marrë vendime të mëdha

Vargu i vendimeve shumë të mirëseardhura për anulimin e vendimeve të padrejta miratuar nga qeveritë paraprake, si dhe shkarkimi i bordeve të ndërmarrjeve publike që më shumë kanë shkaktuar probleme seç kanë bërë diçka të hairit, ka qenë karakteristika e punës së Qeverisë në javën që shkoi.

Por ishin edhe dy veprime ato që e shënuan javën: njëra, qe shpalosja e një letërkëmbimi mes Thaçit (në kohën kur ka qenë kryeministër) dhe shefit të NATO-s që u nënshkrua në ditën e marrëveshjes "historike" të Brukselit më 2013, ku ofrohej garanci se FSK-ja nuk do të shkelte në veri. E dyta, qe heqja e pjesshme dhe e kushtëzuar e taksës nga kryeministri Kurti në një konferencë për shtyp.

Përderisa veprimi i parë në fakt zbuloi një dokument me peshë të një marrëveshjeje ndërkombëtare që ishte mbajtur e fshehur nga krejt institucionet e Kosovës dhe i cili nuk gjendet në arkivin e Zyrës së Kryeministrit, i dyti qe një veprim konkret në drejtim të realizimit të një premtimi zgjedhor - se taksa do të hiqej për t'u zëvendësuar me reciprocitet. Porse që taktika e zgjedhur në fakt paraqet një qasje hap pas hapi, ku kërkohet edhe kundërveprimi i Serbisë drejt jetësimit të saj.

Njëkohshëm me këto veprime, në Pejë ndodhi edhe një krim makabër i, mendohet, një ish-pjesëtari të UÇK-së, që pasi u vra me armë zjarri, më pas u dogj në veturën e tij të braktisur në rrugë. Ani pse autopsia nuk ia del ta identifikojë viktimën, familja tashmë ka hapur të pamën.

Thaçi i bie dajres së vet

Me gjithë ftesën që Kurti ia drejtoi Thaçit për t'i koordinuar veprimet në politikën e jashtme, java e shkuar e vërtetoi, po qe se ka pasur ndonjë dyshim, se nuk do të ketë kurrfarë koordinimi në këtë drejtim, përderisa Thaçi ta ndjekë agjendën e vet personale.

Thaçi u nis për në Amerikë, ku thuhej se e kishin pritur në Shtëpinë e Bardhë, përderisa Kurti shkoi në Londër. Thaçi u takua me Pompeon e Grenellin, e Kurti me gjithë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në samitin për investime në këtë trevë. Thaçi shkruante statuse, Kurti jepte deklarata ku qartazi e paralajmëronte Serbinë për reciprocitet duke e kërkuar njohjen e Kosovës nga Serbia. Thaçi vazhdoi të qëndronte në Amerikë, Kurti u kthye në Kosovë, për t'u ballafaquar me 100 problemet që i ka nëpër duar.

Pardje Kurti vendosi për heqjen e pjesshme të taksës, në formë të shkallëzuar, me afate kohore dhe me kushte. BE-ja e përshëndeti hapin. E përshëndeti edhe Britania e Madhe. Grenelli nuk e përshëndeti dhe madje i tha se kjo çfarë ka bërë Kurti është gabim i madh dhe se këtë gjë ia kishte thënë edhe vetë Thaçit.

Grenelli do të duhej ta dinte më mirë se Thaçi nuk është ai që e ka vendosur taksën, dhe nuk është ai që mund ta heqë atë. Dikush edhe do të mund t'i ankohej, madje edhe do të mund ta qortonin për këtë fakt, por përfundimisht, ai është adresa e gabuar se kujt duhet drejtuar për këtë çështje - sepse kjo, thjesht, nuk është prerogativë e tij. Ashtu siç nuk është, sipas Kushtetueses, edhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që rrjedhin nga dialogu eventual me Serbinë.

Pra, mbase plani ka qenë që të mblidheshin me Thaç e me Vuçiq në Washington për ta qitur edhe ndonjë nënshkrim në ndonjë letër tjetër qëllimi për ndonjë marrëveshje të papërcaktuar, porse përfundimisht duket se hesapet po bëhen pa hanxhiun. Dhe kjo mënyrë e të vepruarit duhet ndalur. Ngase në Kosovë më në fund ekzistojnë institucionet, së paku në dukje, që janë të gatshme për të marrë përgjegjësitë e përcaktuara me Kushtetutë.

Thaçi do të bënte mirë të kthehej në Kosovë e të takohej me Kurtin, për t'u marrë vesh se si duhet qasur tutje në politikën e jashtme. Porse nëse vazhdon të veprojë me statuse në fejsbuk dhe tuiter, nuk është se do të arrijë të paraqitet si simbol uniteti, që qe katër vjet me ngulm nuk arrin ta bëjë. Për shkak se që nga koha kur e ka marrë postin ka shërbyer si simbol çuniteti dhe si i tillë me gjasë do ta mbërrijë fundin e mandatit. Nëse e mbërrin.

Problemet brenda koalicionit

Me gjithë deklaratat shumë të matura të Vjosa Osmanit, po bëhet përherë më evidente se Osmani e Kurti do të ballafaqohen me shumë probleme nga brenda LDK-së për vendime madhore. Vetë mungesa e përfaqësuesve të LDK-së në konferencën për shtyp, në të cilën Kurtit "i bënin rojë" përfaqësuesit e prodhuesve vendorë, tregon për një mosmarrëveshje brenda koalicionit.

Kritikat e Hotit dhe Hysenit nëpër mediume pas shpalljes së heqjes së pjesshme të taksës flasin për rezistencën ende të shprehur brenda LDK-së: po asaj të njëjtës që e zvarriti formimin e koalicionit me muaj. Përderisa po i shkruaj këta rreshta, edhe nuk e dimë se çfarë janë marrë vesh Kurti dhe Mustafa, porse nuk është mirë që për gjërat për të cilat ka pasur marrëveshje në çastin e formimit të koalicionit tash të ketë mospajtime të këtij lloji.

Fundja ajo që po shihet pas daljes së Kurtit në konferencë për shtyp është se ai është bërë objekt i sulmeve dhe i kritikave të opozitës e jo Qeveria në tërësi. Dhe përderisa fakti është se Kurti është kryeministër, megjithatë është fakt se pjesa më e madhe e vendimeve të marra janë të Qeverisë, përkatësisht e ministrave të caktuar, për çështje të caktuara.

Që nga formimi i kësaj Qeverie është ditur që bashkëjetesa VV-LDK nuk do të jetë e lehtë. Porse, ka shumë njerëz që kanë besuar se binomi Kurti-Osmani do të mund ta bënte ndryshimin aq të nevojshëm në Kosovë. Dhe se fuqizimi i Osmanit në fakt do të duhej amortizuar rrymat pro-PAN-iste brenda LDK-së, që megjithatë tregojnë se kanë fuqi jo të vogël brenda në parti. Dhe se ato përherë do të paraqesin problem kur duhet marrë vendime të mëdha.

Opozita demagogjike

Dhe natyrshëm është pritur se opozita do të fillojë të merret me Qeverinë e re, konkretisht me Kurtin. Të natyrshme janë edhe deklaratat e shefave të partive opozitare që e cilësojnë Kurtin mashtrues dhe rrenc. Për më tepër, nuk befasojnë as deklaratat që e akuzojnë Kurtin për marrëveshje me Beogradin dhe fuqizimin e Listës Serbe.

Prej njerëzve që moton e punës së tyre e kanë pasur rrenën, mashtrimin, arrogancën dhe varshmërinë nga Lista Serbe, nuk befasojnë reagime të këtilla. Ngase e besoj, janë të bindur se asnjë politikan nuk mund të jetë më ndryshe nga ta dhe se në fakt do të duhej të ishte vazhdimësi e tyre.

Për ta është krejt normale që tash ta akuzojnë tjetërkënd për gjërat e njëjta për të cilat jo vetëm politikanët por edhe opinioni publik i kanë kritikuar në vazhdimësi në gjithë këto vitet e shkuara. Do ta kujtojmë se dy qeveritë e fundit janë varur kryekëput nga votat e Listës Serbe, pa të cilat nuk mund të formohej qeveria, Për më tepër, Qeveria e parafundit i priti deputetët serbë bile nga gjashtë orë për ta formuar vetveten.

Kërcënimi me protesta për punë të taksës është absolutisht legjitime - është agjenda politike mbi të cilën AAK-ja e ka mbështetur krejt fushatën, duke tentuar kështu që t'i mbulojë krejt vendimet e paligjshme që janë miratuar gjatë qeverisjes së fundit të Haradinajt, e të cilat tash një nga një janë duke u çmontuar nga kjo Qeveri.

Nga ana tjetër, të sharat që vijnë nga PDK-ja nuk mund të jenë ndryshe, ngase rezultojnë si mungesë argumentesh për krejt katrahurën që e ka shkaktuar kjo parti që ka mbajtur pushtetin më shumë se dhjetë vjet. Kritikat për papjekurinë politike të Kurtit janë tepër të paqëndrueshme kur dihet mirëfilli se udhëheqësit e PDK-së vendet e para të punës i kanë pasur si deputetë e ministra, pa fije përvoje për të udhëhequr, por me një aftësi të jashtëzakonshme për t'i përvetësuar të mirat publike.

Bira e fundit e kavallit të kritikave është Fatmir Limaj, i cili është shquar për lidhje të kontratave më së paku transparente gjatë mandatit të tij si ministër i Postë-Telekomunikacionit. E u shqua gjithashtu për udhëheqjen e dështuar të delegacionit gjithashtu të dështuar shtetëror për dialog me Serbinë, ku pos punësimit të kushërinjve dhe marrjes së mëditjeve nuk ka bërë punë tjetër.

Po të ishin krejt kritikuesit njerëz me integritet politik, kritikat e argumentuara do t'i kishin bërë mirë këtij vendi, ngase do të shërbenin si masa korrektuese dhe vërejtje që do të duhej ta shpinin Kosovën në një gjendje më të mirë ekonomike dhe politike. Porse në rastin e tyre, këto janë kritikat që vijnë nga njerëzit që thuajse e kanë shkatërruar thelbin e këtij shteti, me veprimet e tyre të pamatura politike, e sidomos financiare.

* * *

Lufta politike me pengesa e të shara do të vazhdojë. Do të ketë probleme të brendshme në koalicion dhe trysni nga jashtë. Porse krejt këto do të mund të tejkalohen vetëm nëse interesi i përgjithshëm qitet para krejt interesave të tjera që do të mund të shpërfaqeshin.

Dhe përderisa kjo luftë do të vazhdojë, do të vazhdojë edhe veprimtaria tjetër: ajo e Gjykatës Speciale, e cila tashmë po i paralajmëron aktakuzat e para. Mbase edhe në këtë kontekst duhet parë edhe rastin e vrasjes së ish-veteranit Kelmendi në Pejë. Siç u tha më lart, autopsia nuk mundi ta vërtetonte identitetin e kufomës së djegur, porse familja beson se anëtari i tyre i çmuar tashmë është vrarë. Nuk flitet për motive, edhe pse familja thotë se nuk ka pasur ftesë për t'u paraqitur as si dëshmitar e as si i akuzuar. Shumë gjëra rreth këtij rasti nuk dihen, pos faktit se një njeri u vra e më pas u dogj në veturë.

Nëse njeriu i vrarë është vërtet ky që mendohet se është, gjasat janë se do të ketë ditur shumë gjëra që mbase nuk do të duhej thënë në publik. Sepse ndryshe jeta e tij nuk do të mbaronte kështu tragjikisht siç mbaroi. Duke i marrë me vete sekretet që shumëkujt mund t'i prishin punë në kohën kur nuk po dihet se kush saktësisht do të ballafaqohet i pari me gjykatën në Hagë.

flaka@koha.net