Koronavirusi, sipas përgjegjësve të shëndetësisë, nuk ka arritur ende në Kosovë. Ky është lajmi i vetëm i mirë. Shfaqja e këtij virusi në “shtetin më të ri në Evropë” mund të nxjerrë në pah në mënyrë edhe më brutale gripin 20-vjeçar të Kosovës. Ky grip quhet: shkatërrim i institucioneve mjekësore.
Nuk është e vërtetë që Kosova ka mjekë të dobët. Po të ishin të tillë, nuk do të gjenin punë në Gjermani dhe vende të tjera perëndimore.
Problemi më i madh me sistemin shëndetësor në Kosovë është menaxhimi i keq, skandaloz. Që nga përfundimi i luftës shëndetësia është parë më shumë si fushë e tenderëve: blerje barërash e aparatesh (të cilat nganjëherë mrizojnë të paprekura nëpër qendra spitalore).
Që nga përfundimi i luftës shëndetësia nga shumica e partive është trajtuar si diçka e parëndësishme apo jo aq e rëndësishme. Në epokën e UNMIK-ut, ky sektor u la nën mëshirën menaxheriale të një politikani pa përvojë menaxheriale, por kur partitë e shumicës shqiptare i kishin ndarë “departamentet” (sinonim për ministri), kishte mbetur Ministria e Shëndetësisë - dhe aty e çuan pikërisht politikanin pa përvojë menaxheriale, por me një përparësi: ishte përfaqësues i një pakice, e pakicave u takonte një ministri.
Kështu filloi gripi 20-vjeçar i Kosovës në fushën e shëndetësisë. Pothuaj asnjë parti deri më tani nuk mund të lavdërohet se në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ka dërguar një menaxher të aftë. Për Qeverinë e re, e cila mori pushtetin në fillim të shkurtit, është herët për të dhënë vlerësime.
Fakt është se në Kosovë pacientëve shpesh u kërkohet që gjatë qëndrimit në spital t’i blejnë vetë penjtë, sepse rrezikojnë që plagët t’u mbesin të paqepura, u kërkohet të dalin nëpër barnatore e të blejnë shiringa, u thuhet se duhet t’u blejnë mjekëve dorëza sterile, ndërsa familjarët e pacientëve janë të detyruar të blejnë edhe jod.
Duhet pasur parasysh dy dekadat e fundit përballë lajmeve se koronavirusi tashmë është shtrirë në Evropë, e veçanërisht në Italinë veriore, ku jeton një komunitet i konsiderueshëm i shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Shqipëria. Tirana dhe Prishtina janë të lidhura me vija ajrore me Italinë veriore. Rreziku që ky virus, që për herë të parë u shfaq në Kinë me gjasë në fillim të dhjetorit, të shtrihet edhe në viset shqiptare nuk duhet përjashtuar.
Në Kosovë në shumë spitale nuk ka as maska. Shpjegimi më i mirë për këtë mungesë është ky: vite më parë shefi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) i harxhonte mijëra euro për të blerë një xhip (zyrtar), ndërsa pothuaj në të njëjtën kohë QKUK-ja kërkonte donacion për të blerë lavatriçe për larjen e çarçafëve.
Kështu shkojnë punët në Kosovë. Menaxhimi i keq i sistemit shëndetësor ka ndikuar në rënien e besimit ndaj mjekëve. Më shumë i besohet një infermiereje të një spitali të klasit të tretë në Shkup, sesa një specialisti në Prishtinë. Në dëmtimin e imazhit kanë ndikuar edhe vetë mjekët - duke u përzier në afera korruptuese, duke kryer operacione pa nevojë (stenta, për shembull), duke shkruar diagnoza të gabueshme. Shfaqja e koronavirusit në “shtetin më të ri në Evropë” mund të nxjerrë në pah sërish gripin 20-vjeçar të Kosovës.
Ky grip quhet: shkatërrim i institucioneve mjekësore. Mund të merret me mend se çfarë mund të ndodhë nëse, krahas institucioneve të dobëta shëndetësore, shfaqet edhe gripi tjetër: ai i shkak timit të panikut me lajme të rrejshme, ku Kosova prej vitesh është një fabrikë me prodhimtari të lartë. Një shembull nga Ukraina e këtyre ditëve është mjaft shpjegues: Qeveria e këtij vendi i ka transportuar disa shtetas nga Wuhani i Kinës, ku shpërtheu virusi.
Por duke i dërguar në karantinë në rajonin Poltava, banorët e fshatit Novi Sanshari i kanë sulmuar me gurë autobusët në përpjekje për të penguar sistemimin e ukrainasve të kthyer nga Kina. Asnjëri prej tyre nuk kishte shenja të virusit, por kjo nuk i ka penguar banorët të shfaqin agresivitet kundër bashkëkombësve. Presidenti ukrainas, Volodimir Selenski, tha se kjo sjellje “nuk i përgjigjet anës së mirë të karakterit tonë”. Kur humb besimi në institucione, masa që vuan nga paniku nuk bëhet merak për karakterin.