Vështrime

Ditët e para

Edhe kjo Qeveri do të duhej ta kalonte 100-ditëshin e parë, për t’u “marrë më seriozisht”. Porse kjo nuk do të thotë se brenda 100 ditësh nuk duhet bërë gjë. Përkundrazi. Ekipi qeveritar, i mbushur me njerëz të rinj, ka shumë punë për të bërë, për të kuptuar se në çfarë gjendjeje i kanë marrë dikasteret nga Qeveria më e keqe që ka pasur Kosova ndonjëherë. E për ta kuptuar do t’iu duhet edhe kohë, por edhe vendosmëri për t’i spastruar ato nga njerëzit që Kosovës të mirën nuk ia duan.

Qeveria e re ka më pak se dy javë që ia nisi punës, tashmë me një kabinet ku 30% janë gra, dhe kur për herë të parë Kuvendi udhëhiqet nga një grua. Qeveria është në proces të plotësimit të vendeve të zëvendë sministrave, dhe krejt çfarë kemi parë deri tash është se të gjithë të emëruarit janë meshkuj dhe të gjithë janë të VV-së. Mbase LDK-ja ende nuk e ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve të tyre, porse të shohim po qe se do të ruhet kjo përqindja artificiale e 30% edhe në postet e zëvendësshefave të dikastereve. Fundi i javës tregoi se bashkëjetesa ndërmjet kësaj Qeverie dhe kryetarit të shtetit do të jetë e mundimshme dhe se do të ketë shumë pak hapësirë për koordinim - sepse veprimi i djeshëm i Thaçit tregon se ai do të vazhdojë t’i bjerë muzikës ashtu siç ia merr mendja atij se duhet, e jo ashtu siç në të vërtetë do të duhej.