OpEd

Universiteti ynë, 50 vjet nga themelimi

Ndonëse në rrethana dhe për arsye të ndryshme, atmosfera solemne dhe entuziazmi e gëzimi i shpalljes solemne të Universitetit të Prishtinës më 15 Shkurt 1970 mund të krahasohet me ngjarjen e 17 Shkurtit 2008, kur u shpall Pavarësia e Kosovës si shtet.

Ishte muaji shkurt, viti 1970. Temë kryesore në opinionin kosovar ishin përgatitjet për themelimin e Universitetit. 

Për shtete e kombe, themelimi i Universitetit të parë është një ngjarje e rëndësishme në historinë e tyre. Prishtina kishte disa fakultete, ama të Universitetit të Beogradit. 

Mësimi zhvillohej në të dyja gjuhët: shqip dhe serbo-kroatisht. Meqenëse numri i mësimdhënësve shqiptarë ishte i pamjaftueshëm në disa lëndë, edhe në grupet studiuese shqiptare ligjëratat mbaheshin në gjuhën serbo-kroate. Përgatitjet për shpalljen solemne ishin nga fundi. 

Ne në Lidhjen e Studentëve të Kosovës ishim përfshirë në përgatitje. Unë isha kryetar i kësaj organizate. Vendimet e duhura i kishte aprovuar Kuvendi i KSA të Kosovës. Në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës (Qeveri), si bartës operativ i përgatitjeve, ishte i angazhuar nënkryetari Rexhai Surroi. Unë isha kryetar i Lidhjes së Studentëve të Kosovës. 

Data për shpalljen solemne të Universitetit ishte caktuar 15 shkurti. U zgjodh Këshilli i Universitetit nga përfaqësues të të gjitha fakulteteve dhe për kryetar u zgjodh prof. dr. Gazmend Zajmi. Prej dy kandidatëve të mundshëm, që ishin prof. dr. Mark Krasniqi dhe prof. dr. Dervish Rozhaja, për rektor të parë të Universitetit u zgjodh Dervish Rozhaja.

Ky ishte i njohur si njeriu më i ri në Jugosllavi që kishte doktoruar në shkencat biologjike. Përveç këtyre, emra të njohur universitarë ishin: prof. dr. Fehmi Agani, Idriz Ajeti, Feriz Krasniqi, Ali Hadri, Syrja Pupovci, Hajredin Hoxha, Ali Dida, Minir Dushi etj. Profesorë të shkëlqyeshëm dhe patriotë të mirë. 

Ndonëse në rrethana dhe për arsye të ndryshme, atmosfera solemne dhe entuziazmi e gëzimi i shpalljes solemne të Universitetit të Prishtinës më 15 Shkurt 1970 mund të krahasohet me ngjarjen e 17 Shkurtit 2008, kur u shpall Pavarësia e Kosovës si shtet. Gjithë Kosova dhe Prishtina në veçanti atë ditë ishte në atmosferë solemne. Në sallën e Kuvendit të Kosovës ishin prezentë mysafirë, kryesisht rektorë nga universitete të tjera të Jugosllavisë. Ndër ta, rektori i Universitetit të Beogradit prof. dr. Dragisha Ivanoviq, një malazias markant, doktor i shkencave fizike, i cili, me gjithë hezitimet dhe obstruksionet serbe, pati ndihmuar dukshëm në themelimin e Universitetit të Prishtinës. 

Fjalimet e mbajtura aty ishin të intonuara solemnisht, por edhe me aksente e peshë të rëndësishme. Në emër të organeve krahinore fjalim mbajti Rexhai Surroi, i cili, në mes tjerash, tha: “Gjuha shqipe më nuk është gjuhë e hamajve e sharraxhinjve… është gjuhë e intelektualëve, gjuhë e letrave, e veprave shkencore, gjuhë akademike…” Rektori prof. dr. Dervish Rozhaja, në fjalimin e vet, ndër tjera, tha: “Një nga karakteristikat themelore të botës së sotme është ritmi i shpejtë i zhvillimit. Për këtë nevojiten kuadro të shkolluara dhe të afta”. 

Me rastin e hapjes së Universitetit telegram urimi erdhi edhe nga kryetari i atëhershëm i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, ku, ndër tjera, thuhej se kjo ngjarje “është edhe një hap i madh drejt barazisë së plotë të kombeve dhe kombësive”. 

Rektori i Universitetit të Beogradit, dr. Dragisha Ivanoviq, me atë rast pati thënë: “Universiteti i Prishtinës është dëshmi e lulëzimit të Kosovës”. Në këtë rast solemn ma dhanë fjalën edhe mua si kryetar i Lidhjes së Studentëve dhe, në mes tjerash, thashë se “kjo është një faqe e re në historinë e popujve të Kosovës”. Shpallja e Universitetit më 15 shkurt 1970 ishte ngjarje kryesore mediale në gjithë Jugosllavinë e atëhershme. 

Ishte kjo një ngjarje dhe hap i madh edhe për avancimin e mëtejmë të pozitës kushtetuese të Kosovës dhe afirmimit të gjithanshëm të shqiptarëve. Në vazhdim, deri në ditët e sotme, kuadro të arsimuara, profesionalisht të ngritura, kombëtarisht e patriotikisht të vetëdijesuara, që dolën nga Universiteti i Prishtinës, zunë vende të rëndësishme dhe kontribuuan në të gjitha sferat e zhvillimit të Kosovës.