Përfitimet ekonomike nga reciprociteti janë më të mëdha se sa nga taksa 100%

Sejdi Rexhepi Sejdi Rexhepi 10 February 2020 12:30

Këto ditë një nga temat më të përfolura në debatet publike në Republikën e Kosovës dhe më gjerë, pa dilemë është çështja e taksës së vendosur ndaj produkteve të Republikës së Serbisë nga Qeveria e ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deklarimet e kryeministrit aktual Albin Kurti, lidhur me zëvendësimin e saj me parimin e reciprocitetit në bashkëpunimin ekonomik dhe politik. Lidhur me këtë debat në vazhdim dua t’i jap disa opinione të mia vështruar në aspektin ekonomik.

Një nga parimet kryesore në të cilën mbështet puna e Organizatës Botërore të Tregtisë (ku Republika e Serbisë dhe Republika e Bosnjës dhe Hercegovina, për momentin janë si vëzhguese dhe pretendojnë që të anëtarësohet në të ardhmen e afërt), është parimi i mosdiskriminimit në bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar. Sipas këtij parimi një vend nuk duhet të bëjë diskriminim midis partnerëve të tij tregtarë dhe nuk duhet të bëjë diskriminim (dallime) midis produkteve dhe shërbimeve të prodhuara në vend dhe atyre të huaja. Po të analizohet sjellja e Serbisë ndaj Kosovës që nga paslufta e këndej, nuk nevojitet shumë dijeni për të kuptuar se Serbisë vazhdimisht ka pas qëndrim diskriminues në raport me Republikën e Kosovës, lidhur me tri liritë elementare të promovuar nga bota demokratike e edhe me marrëveshjen e CEFTA-së, e që është qarkullimi i lirë i mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Ne e dimë se përballë nënshkrimit të një numër të madhe të marrëveshjeve në Bruksel, Serbia vazhdon që të mos njohë dokumentet e lëshuara me mbishkrimin Republika e Kosovës, nuk lejon që mallrat të qarkullojnë përmes territorit të saj me mbishkrimin Republika e Kosovës, nuk njeh dokumentet fito-sanitare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës, nuk njeh letërnjoftimin e as pasaportën e Republikës së Kosovës. Thjesht nuk njeh asnjë dokument që ka mbishkrimin e Republikës së Kosovës, sikurse nuk lejon qarkullimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës me dokumentet e lëshuara nga ajo, por të njëjtat qytetarët janë të detyruar qe ti zëvendësojnë në hyrje të kufirit me disa dokumente zëvendësuese që i lëshojnë institucionet shtetërore të Republikës së Serbisë. Pra, është e pamundur që të numërohen të gjitha pengesat diskriminuese që Republika e Serbisë i ka zbatuar dhe vazhdon që ti zbatoj në praktikë në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj. Prandaj, ka qenë e natyrshme që institucionet e Republikës së Kosovës të reagojnë shumë më herët se sa para 1 viti e gjysmë, kur është vendosur taksa 100% ndaj produkteve të prodhuara në Republikën e Serbisë. Megjithatë, institucionet e Kosovës kanë “lëshuar pe” siç thotë populli, në emër të tejkalimit dhe harrimit të kaluarës, e me qëllim të shkuarjes drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes dy shteteve. Ketë gatishmëri për ofrim dhe bashkëpunim, Serbia e ka marrë si dobësi të institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe nga diskriminimi në bashkëpunim ndërshtetëror, ka kaluar në ofensivë diskriminimi dhe ndëshkimi ndaj Kosovës përmes lobimit negativ, që ka të bëjë me njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si dhe përmes lobimit negativ për të penguar anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare siç është edhe anëtarësimi në UNESCO dhe në Interpol. Thjeshtë ka kaluar në një ofensivë primitive të diskriminimit kudo që i është dhënë mundësi. Sigurisht se gati 20 vjet pas çlirimit, Kosova nuk ka mundur të qëndrojë duarkryq, andaj në një moment ka vendosur të ndërmarrë veprime kundërvepruese ndaj Republikës së Serbisë.

Parimet bazë të Organizatës Botërore të Tregtisë, lejojnë që vendi i cili ndihet i diskriminuar në bashkëpunimin ekonomik, të aplikoj masa përkatës proporcionale dhe të kundërpërgjigjet me qëllim të mbrojtjes së interesave të saja ekonomike. Vendosja e taksës ka qenë një tendencë për tu kundërpërgjigjur ndaj diskriminimit që Serbia i ka bërë në mënyrë të vazhdueshme Kosovës përmes pengesave apo barrierave jo tarifore siç janë të njohura në gjuhën ekonomike (e që i përmendem më lartë). Një masë e ngjashme e kundërpërgjigjes deri atëherë gati se ka qenë e pamundur që të paramendohet e lëre më të zbatohet në praktikë.

Në bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, vendosja e një takse gjithmonë ka një qëllim të caktuar që në ekonomi shprehet përmes përftimeve që mund ti kenë konsumatorët, prodhuesit apo buxheti i shtetit, përmes të hyrave që do të mund të inkasohen nga ajo taksë apo tarifë, çfarëdo qoftë ajo. Në këtë aspekt tani më janë të prekshme edhe efektet e aplikimit taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë.

Në aspektin e të hyrave shtetërore për buxhetin e Republikës së Kosovës, aplikimi i taksës 100% nuk ka pas ndonjë efekt, për faktin se importi nga Serbia pas aplikimit të taksës gati se ka qenë zero. Në anën tjetër, efektet tek prodhuesit vendor kanë qenë pozitive. Gjatë kësaj periudhe prodhuesit vendor kanë rritë të hyrat në mënyrë të konsiderueshme, duke qenë se kanë pas një mbrojtje më të madhe dhe një mundësi për të rritur dhe zgjeruar prodhimin. Megjithatë, tek prodhuesit është vërejt një destruksion në aspektin e shfrytëzimit të rastit për të përfituar, jo nga rritja e sasisë dhe cilësisë së produkteve në treg me çmime më të ulëta, por përkundrazi nga rritja e paarsyeshme e çmimeve. Pra, prodhuesit kosovar e kanë shfrytëzuar rritjen e çmimeve të produkteve si rezultat I riorientimit të importit nga Serbia në vendet e tjera, më që rast kostot e transportit dhe kostot tjera shoqëruese kanë qenë dukshëm më të larta. Kjo e ka bërë që produktet e importuara të jenë më të shtrenjta në njërën anë, kurse në anën tjetër kjo në mënyrë të natyrshme prodhuesit kosovar i ka bërë të jenë më komod, dhe në vend që të luftojnë për kosto më të ultë të prodhimit përmes rritjes së shkallës së efikasitetit dhe cilësisë, ata kanë rritë çmimet, të cilat në disa produkte arrijnë madje edhe deri në 30% (prodhuesit e produkteve të qumështit, ato të bukës dhe të prodhimeve nga drithërat dhe mielli, etj.). Prodhuesit kosovar pra, në afat të shkurtër kanë pasur përfitime, por në afat të gjatë këto përfitime do të zhduken shpejt atëherë kur qarkullimi do të jetë i lirë, dhe prodhuesit nuk do të jenë të përgatitur për një konkurrencë që bazohet në cilësi dhe në kosto efektive.

Efektet e rritjes së taksës 100% për konsumatorët kryesisht kanë qenë negative, për faktin se që nga momenti i aplikimit të saj e deri me sot kemi pasur rritje të çmimeve të produkteve elementare ushqimore, që bëjnë pjesë në shportën e konsumatorit mesatar. Natyrisht se kjo ka pasur për pasojë rënien e mirëqenies së konsumatorëve, duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të tyre është orientuar në konsum dhe gjërat elementare për jetë.

Pra, në aspektin ekonomik efektet neto nga vendosja e taksës 100% kanë qenë negative, për faktin se përfitimet e prodhuesve më shumë janë orientuar në rritjen e përftimeve nga rritja e çmimeve (e më pak nga rritja e efikasitetit dhe cilësisë së produkteve), kurse të hyrat në buxhetin e shtetit thuajse kanë qenë të papërfillshme për të mos thënë zero, ashtu siç kanë qenë negative përftimet e konsumatorëve, duke qenë se çmimet janë rritur. Pra efekti i përgjithshëm ekonomik neto i vendosjes së taksës ka qenë negativ.

Efektet politike të vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve të Republikës së Serbisë këtu nuk e kemi trajtuar, megjithatë mund të konstatojmë se Republika e Kosovës për herë të parë në mënyrë të plotë ka dëshmuar sovranitetin e vet politik, por kjo është një çështjet dhe temë tjetër.

Po cilat janë përfitimet apo humbjet nga vendosja e reciprocitetit në bashkëpunimin ekonomik me Republikën e Serbisë?

Nëse parimi i reciprocitetit do të nënkuptonte aplikimin e tij në tërësinë e plotë, atëherë në afatshkurtër përfitimet ekonomike neto nga zbatimi i tij në praktikë edhe mund të jenë negative, por në afatgjatë ato gjithsesi do të jenë pozitive. Këtë konstatim tonin do ta arsyetojmë në vijim.

Është fakt i pamohuar se ekonomia e Serbisë është më e zhvilluar dhe me një strukturë ekonomike e cila ka një traditë shumë të gjatë afariste se sa ekonomia e Kosovës, dhe në këtë aspekt një ekonomi e lirë në mes këtyre dy vendeve në afatshkurtër do të rezultonte me një bilanc tregtar shumë negativ për Kosovën. Kjo natyrisht, kurrsesi nuk duhet të jetë një argument për mbyllje të ekonomisë ndaj një vendi dhe hapjen e ekonomisë ndaj gjitha vendeve tjera, tu përfshi këtu vendet tjera më pak miqësore ndaj vendit tonë, p.sh edhe Kinën. Pra në një raport bashkëpunimi miqësor, problemi nuk qëndron në vendet e tjera, por në vendin tonë, i cili duhet të jetë në gjendje që të aplikoj politika të tilla zhvillimore, që do të bënin sektorët e ekonomisë konkurrues jo vetëm për garë ekonomike me vendet fqinje por edhe vendet e tjera më të zhvilluara. Pra, ekonominë duhet mbrojt dhe stimuluar (subvencionuar) aq sa është e nevojshme për të bërë konkurruese, për tu ballafaquar me konkurrencën gjithnjë në rritje në nivel regjional por edhe më gjerë, por nuk duhet izoluar nga konkurrenca.

Nëse aplikimi i parimit të reciprocitetit do të nënkuptojë vetëm zbatimin e masave kundërvepruese proporcionale në aspektin e bashkëpunimet ekonomik në kuptim të ngushtë, përkatësisht masat tarifore, atëherë këtu nuk do të kishim të bënim me kurrfarë risie në bashkëpunimin ekonomik në mes të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë. Te dy vendet janë anëtare të CEFTA-së dhe natyrisht janë nënshkruese të marrëveshjes për tregti të lirë. Në këtë aspekt heqja e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë do të ishte gabim. Me këtë nuk do të përfitohej asgjë, kurse diskriminimi i Serbisë ndaj Kosovës do të vazhdonte sikur deri me tani, dhe atë përmes barrierave jo tarifore siç i kemi përmendur në fillim të këtij shkrimi. Në këtë mënyrë Kosova do të shndërrohej në një treg vërtet për produktet e Serbisë, kurse prodhuesit kosovar do të vazhdonin që të ballafaqoheshin me probleme të njëjta lidhur me shitjen, qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve përmes territorit të saj.

Megjithatë, aplikimi i parimit të reciprociteti në tërësinë e tij, do të nënkuptonte se në territorin e Republikës së Kosovës do të mund të hyjnë të gjitha produktet e Serbisë që kanë mbishkrimin e origjinës Republika e Serbisë, vetëm nën kushtin që mallrat e prodhuara në Kosovë do të shiten në tregun e Serbisë ose do të qarkullojnë përmes territorit të saj me mbishkrimin e origjinës nga Republika e Kosovës. Në afat të shkurtër, në aspektin ekonomik përftimet do të reflektojnë me bilanc negativ tregtar, do të rriten të hyrat buxhetore nga qarkullimi tregtar me Serbinë, sikurse që konkurrenca do të ndikojë në uljen e çmimeve nga të cilat do të përfitonin konsumatorët. Natyrisht, prodhuesi do të kishin përfitime më të vogla ose do të humbnin një pjesë të tregut si rezultat i hyrjes së produkteve konkurruese nga tregu u Serbisë. Efekti i përgjithshëm neto do të ishte prapë pozitiv, duke qenë se përfitimet e konsumatorit dhe përftimet për buxhetin e Kosovës do të ishin më të larta se sa humbja që do të pësonin prodhuesi si rezultat i konkurrencës së shtuar. Në afat të gjatë rritja e konkurrencës do të ketë efekte pozitive për përgatitjen e Kosovës për integrime në tregjet shumë të zhvilluara, siç është tregu evropian.

Anasjelltas, nëse Serbia nuk do të pranonte një gjë të tillë, pra qarkullimin e lirë të mallrave të prodhuara me mbishkrimin e origjinës nga Republika e Kosovës, nëse do të vazhdonte të mos njoh dokumentet e identifikimit siç është pasaporta, ose tabelat e regjistrimit të automjeteve, apo dokumentet e tjera të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës me mbishkrimin Republika e Kosovë, atëherë masa e reciprocitetit të plotë do të nënkuptonte që të njëjtat veprime do të ndërmerreshin ndaj Serbisë. Kjo kundërpërgjigje reciproke e Kosovës me masa jo-tarifore do të bënte të pamundur hyrjen e produkteve të Serbisë në Kosovë, dhe atëherë në aspektin e përftimeve ekonomike neto, do të kishim një situatë të njëjtë sikurse me rastin e aplikimit të taksës 100%. Por, tani kemi të bëjmë me një dallim substancial, Kosova nuk ka aplikuar masa diskriminuese përmes taksës, sepse në raport me Serbinë do të mbajë të njëjtat taksa dhe tatime sikurse edhe ndaj fqinjëve tjerë anëtare të CEFTA-së, dhe nuk do të mund të akuzohej se po diskriminon me taksa të diferencuara për vende të ndryshme.

Pra këtu qëndron dallim dhe arsyeja se pse mendoj se aplikimi i parmit të reciprocitetit në tërësinë e plotë të tij, në afatshkurtër dhe afatgjatë është më përfitues për Kosovë, përkatësisht për prodhuesit, konsumatorët dhe për të hyrat shtetërore.

Në aspektin politik, aplikimi i plotë i parimit të reciprocitetit, në kushtet kur të dy shtetet do të angazhoheshin për të mos penguar qarkullimin e produkteve dhe të njerëzve, do të nënkuptonte pranimin dhe njohjen reciproke DE FACTO të dy shteteve, kurse njohja DE JURE do të mbetej për një të ardhme kur do të konsiderohej si moment më i volitshëm, por kjo është një çështjet dhe temë tjetër.

Konstatimet e bëra në këtë shkrim janë të barasvlershme edhe për bashkëpunimin ekonomik me Republikën e Bosnjës dhe Hercegovinës.

(Autori është profesor në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment