OpEd

Dialogu përballë dialogut

Tashmë është e qartë: Dialogu i Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga ish-përfaqësuesja Mogherini, ka dështuar në arritjen e cakut të deklaruar – normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Shfaqja e përgatitur në Bruksel tashmë është mbyllur, dhe nuk mund të jemi të kënaqur – është humbur kohë e mund, dhe janë sakrifikuar resurse, për të ardhur në një moment kur gjithçka duhet rishikuar rrënjësisht para se të ecim tutje.

* * *

Sot marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë po aq të tensionuara, sa edhe ishin në ditët pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës - nëse jo më shumë.

Përveçqë refuzon edhe mundësinë që dikur ta njohë Kosovën, Qeveria serbe përdor një gjuhë skajshmërisht agresive dhe urrejtëse ndaj Kosovë, popullit dhe institucioneve të saj. Veç qeverisë, edhe pjesa më e madhe e politikanëve dhe e mediave serbe po ashtu kanë një diskurs urrejtës ndaj Kosovës, që është pothuajse i njëjtë me atë që dominonte Serbinë në vitet e Milosheviqit. Kosova, për shumicën në Serbi, është një “shtet kriminal” i “prodhuar nga NATO-ja dhe SHBA-ja”, i mbushur me “terroristë e mafiozë”. Kjo gjuhë e urrejtjes, e nxitur para së gjithash nga institucionet e shtetit, po ata, pra, që në Bruksel marrin pjesë në bisedime për “normalizim”, është tregues i qartë se arritja e një marrëveshjeje historike me Kosovën nuk është synimi i atyre që udhëheqin sot Serbinë.

Në këto rrethana, normalizimi i proklamuar në procesin e ndërmjetësuar nga Mogherini u zëvendësua me tentimin që çështja të zgjidhet duke ndryshuar kufijtë, në kërkim të një varianti që do të kënaqte apetitet serbe dhe do të jetë i gëlltitshëm nga pala kosovare. Kjo nuk u arrit (ende?), por përpjekja, tashmë e hapur e Beogradit për të imponuar negocimin rreth ndarjes së Kosovës, e ndihmuar me apo pa vetëdije nga disa në Prishtinë e Tiranë, ka marrë legjitimitetin edhe nga disa qendra perëndimore si temë që, së paku, mund të diskutohet. Andaj, sot, integriteti territorial i Kosovës, që për njëzet vjet ishte cilësuar si i pacenueshëm nga OKB, SHBA dhe BE, nuk është më i tillë në sytë e jo pak diplomatëve.

Kjo trashëgimi, e ndërtuar nga ndërmjetësja Mogherini dhe nga negociatorët Thaçi e Vuçiq, është pika e parë që duhet të qartësohet para se të flitet për vazhdimin e dialogut: prej cilës pikë mendohet të vazhdojë dialogu? Prej hartave që u hapën në përpjekjen për të “korrigjuar” kufij? Apo prej pikës fillestare, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes dy shteteve.

* * *

Dështimi në arritjen e progresit substancial mund të ketë qenë shtytje shtesë që Mogherini dhe ekipi i saj të hapin derën e negociatave për ndryshim kufijsh. Ideja se procesi i negociatave Kosovë-Serbi mund të përmbyllet me një marrëveshje finale, sigurisht se ka joshur zyrtaren e BE-së që të futet në lojën e Vuçiqit dhe të Thaçit, me shpresën se në fund do të dalë diplomatja që arriti marrëveshje aty ku shumë para saj dështuan.

Të shikuarit e problemit nga prizmi i tillë i përfitimeve edhe personale nuk ishte veçori e Mogherinit. Edhe më shumë se ajo, ishin palët në proces – përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë - që kërkonin ta shfrytëzonin dialogun për të mbajtur dhe shtuar pushtetin, për t’u treguar partnerë të preferuar të Perëndimit, për të fuqizuar pozitat e tyre politike në vend.

Sigurisht, si në një lojë teatrale, secili ka aktruar patriotin dhe burrështetasin e pashoq e të pakontestueshëm, që punon veç për të mirën e popullit dhe shtetit. Por, në esencë, kjo rrallëherë është rastësi, dhe për këtë arsye dialogu ka nevojë të rindërtohet dhe rimendohet ashtu që të mos lejojë hapësirë për keqpërdorime nga individë me motive private.

Një mënyrë është që i gjithë procesi të kodifikohet dhe monitorohet. Në BE, siç e kemi mësuar tashmë nga rasti i Mogherinit, kërkohet një qartësim i mandatit të “lehtësuesit” Josep Borrellit (apo një të dërguari të posaçëm të BE-së për dialogun), dhe monitorim më strikt nga shtetet anëtare, mbase përmes Parlamentit Evropian apo Këshillit të BE-së. Nëse lejohet që idetë dhe perceptimet individuale (në këtë rast të Borrellit) të jenë udhërrëfyes për procesin, atëherë ka rrezik të shkohet edhe më thellë në dështim.

Nga ana e Kosovës, monitorimi në parim do të duhej të bëhej nga Kuvendi – por në situatën kur Kuvendi i Kosovës më shumë funksionon si një teatër kukullash sesa një tubim i përfaqësuesve të popullit, nuk duket e qëndrueshme të presim një mbikëqyrje efektive të çfarëdo procesi, e më së paku të dialogut Kosovë-Serbi.

Thirrjet për përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që bëheshin nga Kosova gjatë dy vjetëve të kaluar zëshëm, tashmë kanë marrë përgjigjen. Sot SHBA-ja ka dy përfaqësues të ngarkuar me çështje të Kosovës dhe të dialogut me Serbinë. Njëri, përfaqësuesi special i presidentit amerikan, Richard Grenell, madje ka nisur një proces të ri të bisedimeve, nëse jo më kualitativ, atëherë së paku më efektiv – në vetëm një javë angazhim përmes takimeve bilaterale dhe diplomacisë fluturuese, Grenell ka siguruar pajtimin (në parim) për dy marrëveshje – hapjen e linjës ajrore dhe asaj hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit.

Tani, sigurisht, mbetet të shihet se kur dhe si do të fluturojnë aeroplanët Prishtinë-Beograd, dhe nëse do të ketë linjë kuptimplote hekurudhore, por një gjë është e qartë, nga e gjithë historia me ambasadorin Grenell është se Washingtoni hapi një dialog të dytë, që as nuk e pret e as nuk e pyet Brukselin. Dhe kjo, në vetvete, mund të jetë mësim edhe për Brukselin, por edhe për Prishtinën.

* * *

Për fund, dialogu i deritashëm, si shfaqje e madhe që ishte, ka lënë prapa vetes dhe një dëm të madh kolateral: qeverisjen e degraduar në Kosovë.

Tashmë është thënë shpesh, por vlen të përsëritet: pjesëmarrja konstruktive në dialog vazhdimisht është shpërblyer nga ana e zyrtarëve evropianë dhe të tjerë me mbylljen e njërit apo dy syve përpara keqqeverisjes në vend, korrupsionit dhe manipulimeve zgjedhore. Thënë shkurt, përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet e Brukselit janë lënë rehat për çdo gjë, për aq sa ishin të gatshëm të uleshin në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.

Kjo qasje, përveçse ka çimentuar sistemin e korruptuar në majën e qeverisjes në Kosovë, nuk i ka ndihmuar fare dialogut, ndërsa e ka dëmtuar shumë edhe kredibilitetin e BE-së, e cila edhe ashtu nuk shihet me sy të mirë nga qytetarët e Kosovës për shkak të zvarritjes së liberalizimit të vizave.

Tani, sigurisht, nuk është BE-ja koka e problemeve të Kosovës. Por ajo mund të jetë forca shtytëse e zgjidhjes së atyre problemeve. Nëse ndryshon qasjen e vet. Para së gjithash, në dialog.

agronb@kohaditore.com

© KOHA Ditore