OpEd

Me apo pa liberalizim shtetet e Ballkanit po zbrazen

Nuk ka masa efikase për të ndalur tërësisht largimin e madh të të rinjve nga Kosova, Shqipëria, por edhe nga vendet e tjera të rajonit. Dallimet me vendet perëndimore janë aq të mëdha, sa duhen aq shumë vjet dhe gjenerata për t’i zvogëluar, saqë gjithmonë do të jenë magnet për të rinjtë. Fenomeni, që është problem serioz,  mund të zbutet me disa masa, por jo edhe të ndalet në tërësi. Ndërkohë, magnet janë edhe vendet e Perëndimit ku gjithnjë e më shumë ka mungesë të fuqisë punëtore. Ky fenomen po bartet drejt jugut. Kroacia para 5 vjetësh kishte papunësi shumë të madhe, afro 20 për qind, ndërsa tash ka mungesë të punëtorëve dhe u ka dhënë me mijëra leje pune kosovarëve.

Në shumë vende të Ballkanit Perëndimor, por edhe në pjesë të tjera të rajonit, po flitet për fenomenin e largimit të të rinjve drejt Perëndimit si për një mortajë që po i ndodh shoqërisë, shtetit dhe kombit. 

Cilindo shet të rajonit ta marrësh, rezultati del i ngjashëm; zvogëlim i shpejtë i numrit të banorëve, largim i pandërprerë i të rinjve dhe parashikime se në të ardhmen situata do të jetë edhe më keq. Me apo pa viza, me apo pa liberalizim, vendet e Ballkanit po zbrazen. 

Kosova, i vetmi shtet që ende nuk gëzon lirinë e lëvizjes në vendet e Evropës Perëndimore pa viza, është shembull se si mbajtja e regjimit të vizave nuk e ndal valën e largimit. Nga Kosova secilin vit po largohen drejt Zvicrës, Gjermanisë dhe shteteve të tjera me dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht të rinj. Marrin viza pune, martohen dhe gjejnë disi mënyrën. 

Natyrisht, e kanë më të vështirë sesa qytetarët e Shqipërisë apo të Serisë, po jo edhe të pa mundur. Heqja e vizave ndoshta do ta përshpejtonte dhe lehtësonte edhe largimin për disa të rinj, por jo në masë shumë të madhe. Bashkimi Evropian pohon se është i “shqetësuar” për “derdhjen e trurit” (term për largimin e të rinjve dhe të zgjuarve nga një shtet) nga disa shtete anëtare e po ashtu edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Por e njëjta BE pohon qartë se nevojat për fuqi të freskët pune në shumë shtete anëtare mund të përmbushen vetëm përmes imigrimit, mundësisht legal. Problemi qëndron në faktin se nga kjo dukuri po pësojnë vendet më pak të zhvilluara të BEsë. Deri vonë më së shumti njerëz largoheshin nga Polonia, Rumania, Bullgaria, Lituania. 

Numri i përgjithshëm i të larguarve nga këto vende drejt vendeve më të pasura të BE-së e kalon dhjetëmilionëshin në dhjetë vjetët e fundit. Tash potenciali për emigrim nga këto vende është shterur. Papunësia në këto vende pothuajse nuk ekziston, ndërsa rritja ekonomike dhe emigrimi kanë krijuar nevojë për punëtorë që vijnë nga Ukraina dhe nga vendet e tjera jashtë BE-së. Nuk ka masa efikase për të ndalur tërësisht largimin e madh të të rinjve nga Kosova, Shqipëria por edhe nga vendet e tjera të rajonit. 

Dallimet me vendet perëndimore janë aq të mëdha, sa duhet aq shumë vjet dhe gjenerata për t’i zvogëluar, saqë gjithmonë do të jenë magnet për të rinjtë. Fenomeni, që është problem serioz,  mund të zbutet me disa masa, por jo edhe të ndalet në tërësi. Ndërkohë magnet janë edhe vendet e Perëndimit ku gjithnjë e më shumë ka mungesë të fuqisë punëtore. Ky fenomen po bartet drejt jugut. Kroacia para 5 vjetësh kishte papunësi shumë të madhe, afro 20 për qind, ndërsa tash ka mungesë të punëtorëve dhe u ka dhënë me mijëra leje pune kosovarëve. 

Në Kroaci për problemin e largimit të të rinjve flitet sikur për gjendje lufte, sikur për një tragjedi kombëtare. Vetëm se nuk kërkohet që në kufi të vendoset ushtria për t’i penguar njerëzit të largohen.  Nga Kroacia, prej kur është anëtare e BE-së, çka u jep mundësi qytetarëve të gëzojnë edhe qasjen e lirë në tregun e përbashkët të punës, janë larguar rreth gjysmë milioni njerëz, ndonëse është vështirë të dihen shifrat e sakta, sepse shumë prej tyre nuk i ndërrojnë adresat formalisht. 

Po ashtu, në këtë numër hyjnë edhe kroatët nga Bosnja që në vendet e BE-së vijnë me pasaportë të Republikës së Kroacisë. Ndërkohë në Kroaci ka mungesë kronike të punëtorëve në sektorin e turizmit dhe ndërtimtarisë. Rasti i Kroacisë do të duhej të kuptohej si vërejtje dhe shembull edhe për vendet e tjera të rajonit që nuk janë në BE. Në Kroaci rrogat nuk janë aq të vogla. Edhe në Kroaci rroga mesatare është afruar rreth 1000 euro. Por njerëzit nuk shkojnë vetëm për një vend pune. Ata shkojnë edhe për një punë më të mirë, trajtim më të mirë nga punëdhënësi, mbrojtje më të mirë nga sistemi dhe shteti, kushte më të mira pune dhe kushte më të mira të shërbimit shëndetësor dhe arsimor. 

Këto fusha edhe në Kroaci, sipas përshtypjes së qytetarëve, vazhdojnë të jenë të goditura nga korrupsioni i madh. Edhe dy herë më e vogël rroga në vendlindje mund të jetë më e madhe sesa ajo jashtë, nëse merren parasysh shpenzimet e jetës, qiraja për banesë dhe udhëtimi për në vendlindje. Arsyet janë shpesh të natyrës tjetër. Sepse jashtë paguhen orët shtesë kur punëtori punon më shumë se 40 orë në javë (në disa shtete orari i punës është 33 deri 37 orë në javë). 

Fenomenin e largimit të të rinjve nga vendlindja nuk duhet shtruar në diskursin patriotik, apo patetik. Është thjesht një fenomen socioekonomik dhe demografik. Nuk largohen ata që e duan vendim më pak e rrinë ata që e duan më shumë. Sidomos duket hipokrite kur në vendet e Evropës Perëndimore dëgjon njerëz nga Kosova apo Shqipëria të cilët i qortojnë ata që sot po largohen, apo mendojnë të largohen nëse do të kenë mundësi. Shumë të rinj me largimin nga vendlindja, ndonëse kanë nxitur probleme të tjera, kanë zgjidhur një problem ekzistencial për vete e shpesh edhe për familjen që ka mbetur në Kosovë.  

Ata nuk mund të presin që Kroacia të bëhet si Gjermania apo Kosova si Zvicra. Ata nuk mund të jetojnë nga pensionet e prindërve, nëse fare kanë pension, apo të presin ndihmë nga vëllezërit që janë jashtë apo të presin angazhimin në ndonjë parti politike për të gjetur ndonjë punë në Kosovë në sektorin publik. E në shtetin ku njerëzit preferojnë në masë të madhe punën në sektorin shtetëror nuk pritet ndonjë zhvillim i madhe ekonomik. Sepse është sektori privat ai i cili e mbush buxhetin më shumë sesa ai publikë. 

E kur sektori privat varet edhe nga lidhjet politike, atëherë situata bëhet edhe më e rëndë. Bashkimi Evropian mendon se demografia dhe demokracia janë të lidhura. Me këtë emërtim e kanë pagëzuar edhe resorin e zëvendëskryetares së Komisionit Evropian, Dubravka Šuica, nga Kroacia. Ajo është zëvendëskryetare e Komisionit Evropian për “Demokraci dhe demografi”. Është një pranim se si ndjenja se nuk ka sa duhet demokraci ndikon edhe në fenomenet demografike. 

Krijimi i kushteve më të mira të jetës në disa rajone të Evropës, qofshin në BE apo jashtë saj, është pjesë e planeve që do të shqyrtohen edhe në konferencën për të ardhmen e Evropës, e cila do të zgjatë dy vjet. 

Një balancë më e përshtatshme dhe më pak e dhimbshme mund të krijohet. Por ndalja e largimit të njerëzve nga vendet më pak të zhvilluara është një mision i pamundur.