OpEd

Amerika nga qielli ia siguroi Kosovës lirinë...

…çka nëse tash, siç sinjalizon Marrëveshja Lufthansa, njësoj nga qielli synon të hyjë në fazën përfundimtare të rrumbullakimit të pavarësisë?

NJË MARRËVESHJE për qielli me shumë implikime në tokë. Ka disa mësime, po ashtu edhe disa pikëpyetje, lidhur me Marrëveshjen Lufthansa për fluturimet Prishtinë – Beograd.

E para gjë të cilën na e kumtoi kjo marrëveshje e papritur, është se pavarësisht se Beogradi gjatë gjithë kohës ka potencuar se nuk ka bisedime me Prishtinën pa u hequr taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe, një marrëveshje e dakorduar prej të dyja palëve ndodhi.
E dyta, ndonëse Kosova ka vetëm Qeveri në detyrë dhe fitues zgjedhjesh, të cilët po e vonojnë formimin e Qeverisë së re, presidenti Thaçi dhe homologu i tij serb, Vuçiq, e kanë vazhduar dialogun pa transparencë për publikun. Se dy presidentët kanë dialoguar larg syve të opinionit e dëshmon edhe fakti që ambasadori amerikan, Richard Grenell, i ka falënderuar publikisht Thaçin dhe Vuçiqin për marrëveshjen.
E treta, me rëndësinë ndoshta më të madhe, tregon se SHBA-ja dhe Gjermania tashmë po e zëvendësojnë Bashkimin Evropian në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi. Marrëveshja Lufthansa, ndonëse nuk mban firmat e presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, mund të konsiderohet si marrëveshja e parë post-BE nënshkruar në Berlin, me përfshirjen e një prej kompanive më të rëndësishme gjermane, në ambientet e Ambasadës amerikane në kryeqytetin gjerman. Vetë presidenti amerikan, Donald Trump, e ka quajtur fitore faktin që “për herë të parë në këtë gjeneratë do të ketë fluturime direkte mes Serbisë dhe Kosovës”, duke falënderuar për këtë këshilltarin e tij për Siguri Kombëtare, Richard O’Brien, dhe ambasadorin Grenell. Në anën tjetër, nuk ka pasur ndonjë reagim nga përfaqësuesit e institucioneve të reja të BE-së.

PIKËPYETJET, NDËRKOHË, janë të shumta.

Kryesorja: A do të konsiderohet fluturimi 30-minutësh Prishtinë – Beograd i brendshëm, apo ndërkombëtar?

Në qoftë se do të lejohet ambiguitet në këtë fushë, atëherë kjo sinjalizon se edhe me ndërmjetësimin amerikano-gjerman do të mund të vazhdojnë të arrihen marrëveshje të reja, por pa qartësim për nënën e të gjitha marrëveshjeve, - siç do ta quanin vetë amerikanët – atë për njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi.

Dhe, ndonëse ka edhe pikëpyetje të tjera – a do të arrihet marrëveshje e re për njohjen e pasaportave, a do të njihet hapësira ajrore si e Kosovës etj. – kjo do të duhej të ishte brenga kryesore e personave të vetëm të cilët as 48 orë pas Marrëveshjes Lufthansa nuk e thanë asnjë fjalë për të.

Janë pretendentët e udhëheqjes me Kosovën në 4 vjetët e ardhshëm, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, të cilët – çile guri gojën! – s’folën fare për këtë ngjarje, sikur ajo vërtet të rrinte gjithmonë në qiell, aty ku fluturojnë avionët, dhe të mos ketë asnjë efekt në tokë, ku ata kanë fituar zgjedhjet të qeverisin.

Sakaq, përtej funksionit të proklamuar të natyrës ekonomike, Marrëveshja Lufthansa është menduar dhe do të përdoret për të prodhuar efekte politike në terren, si shenja e parë e një ndërrimi paradigme në ndërmjetësimin ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë - Serbi.

A është e vërtetë se Kurti e Mustafa s’po flasin për shkak se s’ka qartësi të marrëveshjes? Kjo nuk mund të qëndrojë, sidomos jo pasi që edhe teksti integral i saj u zbardh nga media të shumta, si dhe pas intervistave shpjeguese të dhëna edhe nga zyrtarët e përfshirë, edhe nga vetë ambasadori Grenell. Për më tepër, edhe Kurti, edhe Mustafa, që të dy e kanë takuar ndarazi këto ditë ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip S. Kossnet, nga i cili patjetër se do të kenë kërkuar shpjegime dhe marrë përgjigje.

A është tjetra, se amerikanët kanë kërkuar prej tyre që të mos reagojnë, në mënyrë që të mos i dalin në rrugë ndërmjetësimit që po e quajmë amerikano-gjerman? Kjo ka gjasa të jetë më e mundshme. Mirëpo Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë premtuar dhe fituar në zgjedhje duke thënë se do të jenë ndryshe nga partitë e tjera në qasjen ndaj dialogut, si dhe, se do të jenë transpartente me qytetarët.

Nëse edhe në këtë rast vlen se dita e mirë shihet në mëngjes, atëherë ka mjaftueshëm hapësirë brengosjeje edhe për qasjen e re të pretendentëve për të udhëhequr me institucionet e Kosovës, njësoj edhe nga ndërmjetësuesit e rinj me metodën e vënies para aktit të kryer. Dhe ky do të ishte edhe njëri nga mësimet/pikëpyetjet shtesë të fenomenit të Marrëveshjes Lufthansa.

NË KOHËN KUR ky shkrim do të jetë i botuar në gazetë, tashmë në Prishtinë do të ketë zhvilluar takime ambasadori Grenell, ndërmjetësi për bisedimet paqësore Kosovë – Serbi, siç e ka edhe titullin e caktuar zyrtarisht nga presidenti Trump.

Paralajmërimi është se ai do të kërkojë që sa më shpejt të vazhdojë dialogu mes dy vendeve, si dhe të formohet Qeveria e re. Pas Prishtinës, Grenell do të udhëtojë menjëherë drejt Beogradit, për t’u siguruar se edhe atje do të dëgjohen qartë porositë nga Shtëpia e Bardhë.

Në anën tjetër, SHBA-ja, përtej atij ekonomik dhe politik, mund ta ketë menduar edhe një efekt tjetër me Marrëveshjen Lufthansa – atë psikologjik.

Herën e parë kur Amerika intervenoi me avionë nga qielli Kosova e fitoi lirinë, tash kur sërish u është kthyer avionëve dhe qiellit, mund të synojë që Kosova ta rrumbullakojë pavarësinë.

Sigurisht, edhe cinikët do të kishin çfarë të shtonin: Vetë serbët gjithmonë kanë parapëlqyer t’i thonë vetvetes - popull qiellor.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk