Financimi i subjekteve politike: prioritet i heshtur i Qeverisë në ardhje

Përparim Kryeziu Përparim Kryeziu 21 January 2020 09:33

Qeveria në ardhje duhet ta trajtojë me prioritet problematikën e financimit të subjekteve politike duke u shërbyer me draftin origjinal të Qeverisë në largim, pa ndryshimet e propozuara nga komisionet parlamentare të legjislaturës së kaluar.

Në mesin e diskutimeve të pafundme dhe pritjeve të lodhshme deri në arritjen e një marrëveshjeje politike për formimin e Qeverisë, është e rëndësishme të kujtojmë prioritetet dhe problemet me të cilat do të përballet secili që nesër do të udhëheqë me vendin.

Një nga sfidat, pa dyshim, është reforma zgjedhore, përkatësisht financimi i subjekteve politike. Financimi i subjekteve politike herë pas here shfaqet në diskursin publik, mirëpo asnjëherë nuk merr vëmendje aq sa të trajtohet me seriozitetin e merituar. Kjo është dëshmuar edhe së fundmi kur gjetjet problematike të identifikuara në raportet e auditorit të pavarur mbi pasqyrat financiare të subjekteve politike për vitin 2017 u injoruan në heshtje nga gati të gjithë. Kjo ndonëse këto raporte konfirmuan shkelje të ligjeve, si dhe identifikuan veprime të subjekteve politike që bien në kundërshtim me parimet e transparencës financiare dhe llogaridhënies institucionale.

Së pari, sipas raporteve të auditorit, asnjëra nga partitë kryesore, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk vlerësohen me një opinion të pakualifikuar. Kjo nënkupton se asnjëra nga këto parti nuk kanë arritur që pasqyrat financiare t’i paraqesin në mënyrën e kërkuar sipas ligjit dhe standardeve minimale të kontabilitetit. Për më keq, në rastin e AAK-së, auditori mohon shprehjen e opinionit. Kjo do të thotë që auditori nuk është në gjendje të sigurojë dëshmi të nevojshme për të fituar një bazë për opinion të auditimit. Në terma financiarë dhe sipas standardeve të kontabilitetit në Kosovë ky është vlerësimi më i ulët në mesin e subjekteve të tjera të audituara.

Së dyti, në raportet e auditorëve me shumë shqetësim konstatohet se asnjëra nga partitë e lartcekura politike nuk kanë aplikuar ndonjë procedurë të tenderimit për blerjet e kryera. Kjo bie në kundërshtim me dispozitat ligjore në vend. Respektimi i procedurave të tenderimit do të mundësonte një shfrytëzim më efikas, ekonomik, transparent, dhe më të drejtë të fondeve të subjektit politik. Gjithashtu, raportet e auditorit identifikojnë edhe shkelje të dispozitave të tjera ligjore. Disa prej shkeljeve të cilat numërohen në këto raporte janë si në vijim. Në kundërshtim me ligjin në fuqi, statutet e PDK-së, AAK-së dhe LDK-së nuk parashohin struktura përkatëse të kontrollit të brendshëm financiar. Në kundërshtimin me ligjin në fuqi, i cili parasheh që partitë politike të shërbehen vetëm me një llogari bankare në njërën nga bankat komerciale në vend, LDK-ja shërbehet me më shumë se një llogari bankare, kurse AAK-ja ka një llogari me 27 nënllogari.

Për këtë të fundit po ashtu është identifikuar se ka pranuar donacione me vlerë më të lartë se kufizimet e vendosura ligjore. Së treti, raportet konstatojnë se këto parti nuk kanë paraqitur dokumentacion mbështetës për vlera të larta të shpenzimeve të deklaruara gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017. Vlera këto të cilat kalojnë shumën e gjysmë milioni euro. Pra, partitë politike nuk kanë arritur që gjatë kohës së auditimit të dokumentojnë shpenzimet me vlerë totale prej 538 mijë eurosh gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017. Këto problematika në financimin e subjekteve politike nuk paraqesin asgjë të re. Shumica e gjetjeve të raporteve të auditorit janë të përsëritura ndër vite.

Problemi kryesor qëndron në faktin se situata vazhdon të jetë e pandryshueshme, dhe se subjektet politike vazhdojnë t’i shmangen përgjegjësisë për këto shkelje ligjore pa asnjë therë në këmbë. Bazuar në komunikimet dhe takimet e organizuara me institucionet relevante në kuadër të zbatimit të projektit “Promovimi i Transparencës Financiare të Subjekteve Politike”, mbështetur nga National Endowmnet for Democracy (NED), ka shume arsye pse nuk ka përmirësim në ngritjen e transparencës fi nanciare te partitë politike. Ndër këto arsye, numërojmë tri të mëposhtmet.

E para dhe kryesorja është mungesa e vullnetit politik ajo që e parandalon çdo përmirësim të gjendjes. Dëshmia më e fundit dhe më e forta për këtë është trajtimi i Projektligjit për financimin e subjekteve politike gjatë vitit të kaluar, i cili në versionin origjinal ishte mjaft shpresëdhënës. Megjithatë, ndërhyrjet nga partitë e koalicionit asokohe qeverisës PAN (PDK, AADK, Nisma) dhe Partisë Socialdemokrate (PSD) e degraduan atë deri në kundërshtim me vet qëllimet e reformës zgjedhore.

Në qoftë se ky projektligj do të miratohej bashkë me propozimet nga këto parti, atëherë ai do të krijonte hapësira më të mëdha shpërdorimi, nxiste klientelizëm, ulte efektivitetin e dispozitave ndëshkuese dhe do të pamundësonte përmirësimin e transparencës financiare, në vend se të bënte të kundërtën e këtyre. Fatmirësisht, kjo gjë u parandalua falë këmbënguljes dhe kundërshtimit të shoqërisë civile.   

E dyta, auditimi i subjekteve politike nëpërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës ka rezultuar të jetë i pasuksesshëm. Fakti që raportet e auditorëve për pasqyrat financiare të vitit 2017 janë publikuar tek në maj 2019 flet shumë për joefikasitetin e kësaj mënyre të auditimit. Po aq përshkrues është edhe një tjetër fakt. Në vitin 2018, tenderi publik për auditorë privatë ka dështuar plot katër herë për shkak të mosinteresimit për aplikim. Të dyja këto dëshmojnë se auditimi i subjekteve politike nëpërmjet Kuvendit duhet të rikonsiderohet. E treta, mungojnë komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të cilat në një formë apo tjetër trajtojnë pikërisht të njëjtën problematikë. Për shembull, Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC) nuk ka fare bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ndonëse një bashkëpunim i tillë do të ishte shumë i vlefshëm për faktin se të gjitha pasqyrat financiare të partive politike kalojnë nëpërmjet kësaj zyre.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bashkëpunim të mangët me Prokurorinë e Shtetit në rrafshin e financimit të partive politike. Kjo më së miri përshkruhet nga fakti që KQZ-ja fare nuk i ndan raportet e auditorëve me Zyrën e prokurorit të Shtetit, as pas publikimit të tyre, madje kjo ndonëse gjetjet në këto raporte jo rrallëherë kanë peshë penale. Në të njëjtën kohë, KQZ-ja nuk ka fare bashkëpunim me Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), sado që transparenca dhe financimi i subjekteve politike bien edhe në domenin e përgjegjësive të kësaj të fundit. Prandaj, si përfundim, Qeveria në ardhje duhet ta trajtojë me prioritet këtë problematikë duke u shërbyer me draftin origjinal të Qeverisë në largim, pa ndryshimet e propozuara nga komisionet parlamentare të legjislaturës së kaluar. Ai ofron zgjidhje të tri problemeve të lartpërmendura. Në radhë të parë, është shfaqje gatishmërie dhe vullnet politik për të përmirësuar kornizën ligjore.

Së dyti, projektligji parasheh ndryshimin e formës së auditimit, duke ia larguar këtë përgjegjësi Kuvendit dhe duke ia mveshur atë Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Subjekteve Politike në kuadër të KQZ-së. Së treti, projektligji parasheh dhe rregullon një bashkëpunim më gjithëpërfshirës mes institucioneve relevante duke përfshirë këtu Zyrën e prokurorit të Shtetit dhe Agjencinë Kundër Korrupsionit.   

(Autori është hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike. Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i transparencës së financimit të partive politike në Kosovë: theks i veçantë mbi Reformën Zgjedhore në Kosovë”, implementuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe financuar nga National Endowment for Democracy – NED)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Përparim Kryeziu