Kosovën nuk e presin vetëm sfida. Atë e presin edhe shumë mundësi të reja, të cilat duhet ditur të shfrytëzohen dhe të materializohen për të çuar vendin përpara drejt integrimeve euroatlantike. Rruga e vetme drejt këtyre integrimeve është partneriteti dhe ndërtimi i një raporti të mirëbesimit me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe me vendet kryesore aleate
Ndërsa viti që lamë pas ishte një vit sfidues për Kosovën e për botën, 2025-ta do të jetë një vit me më shumë pikëpyetje sesa përgjigje. Viti 2024 do të mbahet në mend si një vit kur lufta në Ukrainë nuk e pa fundin e saj, konfliktin e përshkallëzuar në Lindjen e Mesme, që rezultoi me mijëra viktima të pafajshme e me rrëzimin e diktatorit Assad në Siri, me fitoren e Donald Trumpit në SHBA e me ngritjen e të djathtës ekstreme në Evropë. Po ashtu, në vitin që lamë pas u mbajtën zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe u zgjodh Komisioni i ri Evropian që pritet t’ia japë një shtysë të re dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Olaf Sholtz-it në Gjermani iu nënshtrua mocionit të mosbesimit dhe zgjedhjet e reja pritet të mbahen në fillim të vitit që po vjen. Kosova pati një mundësi të humbur - atë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës në këmbim të dërgimit të draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese dhe sfida të shumta, duke përfshirë edhe sulmin terrorist mbi kanalin e sistemit Ibër-Lepenc, që është infrastrukturë kritike për Kosovën.
Cilat do të jenë të panjohurat e vitit 2025? Pikëpyetja më e madhe është se cila do të jetë kahja e politikës së jashtme amerikane dhe çfarë veprimesh do të ndërmarrë presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump, lidhur me krizat akute me të cilat ballafaqohet bota sot, sidomos në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. Po ashtu, në interes të lexuesit kosovar, është me rëndësi të dihet se çfarë politike do të ketë Amerika në raport me sigurinë në Ballkan dhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Pa dyshim se prioritetet amerikane janë të shumta, duke qenë se interesat amerikane janë globale dhe ato nuk kufizohen vetëm në një rajon. Tashmë po dihet se njeriu kyç i cili do të merret me çështjet më të nxehta globale do të jetë Richard Grenell, të cilin Trump e emëroi si të dërguar të posaçëm për zgjidhjen e krizave globale. A do të jetë njëri ndër prioritetet e Grenellit edhe Ballkani Perëndimor, përkatësisht marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë? Grenell nuk është i panjohur për rajonin. Ai, përveç që ishte i dërguar i posaçëm i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi gjatë mandatit të parë të këtij të fundit, zhvilloi edhe marrëdhënie personale me shumë personalitete politike, duke përfshirë edhe ata në Kosovë, por edhe në Serbi. Grenell madje ndërmjetësoi Marrëveshjen e Washingtonit të vitit 2020, e cila u nënshkrua nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. A do të iniciojë Grenelli gjatë vitit që po vjen një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, për ta mbyllur njëherë e mirë këtë problem që kërcënon stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan e në Evropë, apo do të ketë vazhdimësi të politikës amerikane që ia lë udhëheqjen e procesit Bashkimit Evropian? Këto janë disa nga pikëpyetjet për vitin 2025 e që ende nuk kanë përgjigje.
Pikëpyetja tjetër është orientimi i ri evropian në raport me Kosovën e Serbinë. Ekipi i ri i politikës së jashtme evropiane ua bëri të qartë edhe Kosovës, edhe Serbisë se nuk do të ketë përparim në rrugën e tyre drejt integrimit evropian pa u zbatuar Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. Për Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, përkatësisht njohja de fakto e Kosovës, është kushti kryesor politik për hapjen e kapitujve të rinj të negociatave për anëtarësim, kurse Kosova nuk mund të shpresojë në heqjen e sanksioneve, e aq më pak në shqyrtimin e aplikimit të saj për ta fituar statusin e vendit kandidat pa një zbatim të plotë të marrëveshjeve të vitit 2023 me Serbinë. Kosova do t’i ketë zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt dhe një luftë e ashpër politike për pushtet pritet të zhvillohet në javët e fushatës parazgjedhore. Qeveria e dalë nga ato zgjedhje do të ballafaqohet me projekte sfiduese, siç janë krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, riintegrimi i serbëve në polici, në organe të gjyqësorit dhe në pushtetin lokal në katër komunat veriore me shumicë serbe, që do të duhej të rezultonin në heqjen e sanksioneve të Bashkimi Evropian dhe në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Nëse LVV-ja i fiton zgjedhjet dhe arrin ta formojë qeverinë, ajo do të duhet t’i përmbushë këto kërkesa nëse dëshiron që ta çojë Kosovën përpara drejt integrimeve evropiane. Nëse në mandatin e parë ajo u ka rezistuar këtyre presioneve, për shkak të konsumit të brendshëm dhe zgjedhjeve të 9 shkurtit ( të mos harrojmë se ishte kryeministri Kurti ai që nënshkroi Marrëveshjen për Normalizim dhe Aneksin e Ohrit), duke e humbur shansin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, mendoj se gjatë mandatit të dytë politika e Kurtit në raport me zbatimin e marrëveshjes me Serbinë do të ndryshojë. Mirëpo, nëse LVV-ja mbetet në opozitë si rezultat i ndryshimit të konstelacionit të forcave në Kuvendin e Kosovës pas 9 shkurtit, atëherë një qeveri e përbërë nga partitë që aktualisht janë në opozitë do të duhet të punojë nën kundërshtimin e ashpër të LVV-së opozitare për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit. Prandaj, konsideroj se gjatë fushatës zgjedhore partitë duhet të tregojnë se çka do të bëjnë lidhur me këtë temë në rast se i fitojnë zgjedhjet.
Pikëpyetja tjetër e madhe për vitin 2025 është se çfarë rezultati zgjedhor do të ketë në Gjermani në zgjedhjet e ardhshme për Bundestag. A do të ketë ngritje të së djathtës ekstreme dhe a do ta formojë qeverinë e djathta ekstreme në Gjermani. Kjo pyetje është e rëndësishme, sepse në rast të fitores së ekstremit të djathtë në Gjermani, politika e Bashkimit Evropian në raport me Ukrainën, zgjerimin e Bashkimit Evropian, të emigrimit, do të pësojë ndryshime thelbësore. Kjo, sepse Gjermania është vendi kryesor i Bashkimit Evropian dhe ka ndikim të madh në politikat e tij. Uroj që qytetarët gjermanë, njëlloj sikurse ata francezë gjatë vitit që po e lëmë pas, t’u thonë “Jo” partive ekstreme të cilat rrezikojnë thelbësisht ekzistencën e Bashkimit Evropian dhe mbysin shpresën e shumë vendeve, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, për integrime evropiane.
Pavarësisht sfidave që e presin botën, Evropën dhe Kosovën, jam optimist që viti 2025 do të sjellë përgjigje pozitive dhe se shumë nga krizat globale dhe evropiane, duke përfshirë edhe krizën në Ballkan, që karakterizohet para së gjithash në tensionet politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, të zgjidhen në mënyrë pozitive. Kosovën nuk e presin vetëm sfida. Atë e presin edhe shumë mundësi të reja, të cilat duhet ditur të shfrytëzohen dhe të materializohen për të çuar vendin përpara drejt integrimeve euroatlantike. Rruga e vetme drejt këtyre integrimeve është partneriteti dhe ndërtimi i një raporti të mirëbesimit me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe me vendet kryesore aleate. Uroj që ky vit të na sjellë paqen, qetësinë, stabilitetin e të na hapë shtigje të reja drejt aspiratave që i synojmë, kurse të gjithë lexuesve ju uroj plotësimin e dëshirave. Gëzuar 2025!