Të heshturit dhe zhurmëruesit në rastin Handke

Enver Robelli Enver Robelli 19 December 2019 08:13

Pse heshtën disa shkrimtarë kur një mohues gjenocidi si Peter Handke u nderua me “Nobel”? Dhe diçka mbi mospunën dhe hipokrizinë.

1. Shkrimtarë që heshtin për arsye cinike apo egoiste

Në debatin për Peter Handken disa shkrimtarë të njohur nga Ballkani kanë heshtur, sepse fshehurazi shpresojnë se një ditë do të marrin “Nobelin”, andaj s’duan ta nevrikosin jurinë. Kanë heshtur: Xhevad Karahasan, shkrimtar nga Sarajeva me banim në Austri. Autor i rëndësishëm, i cili më 1996 i ishte kundërpërgjigjur Handkes pas pamfletit të tij për Serbinë; Milenko Jergoviq, shkrimtar kroat, i përkthyer në disa gjuhë. Autor i romaneve me peshë letrare dhe historike. Jergoviq mes rreshtash madje është përpjekur të mbrojë Handken; Ismail Kadare, po ashtu, nuk u shqua me zë protestues. Edhe ky shpreson se do ta marrë “Nobelin”. Për arsye cinike dhe proserbe Handken e ka mbrojtur shkrimtari Muharrem Bazdul, i cili nga Bosnja ka shkuar për të jetuar aty ku e ndien veten më mirë: në Beograd. Kur e thërrasin në televizionet serbe për të folur për tema aktuale, Bazdul nuk përton ta vajtojë Serbinë të cilës «ia kanë marrë Kosovën». Ky është ndër figurat më të ndyra të skenës kulturore të Bosnjës. [Nuk kanë heshtur shkrimtarët Bora Qosiq, Sasha Stanishiq, Aleksandar Hemon. Që të tre jetojnë në ekzil].

2. «Non grata»

Shpallja e Peter Handkes «persona non grata» në Kosovë është vetëm një aksion popullist pa asnjë efekt. Së pari: propaganda e Handkes për ultranacionalizmin serb ka qenë mirë e dokumentuar edhe para se atij t’i jepej çmimi “Nobel”, dhe kjo nuk e ka penguar fare politikën e Kosovës. Së dyti: Handke ka qenë disa herë në Kosovë dhe ka shkruar edhe një libërth për qëndrimin e tij në Krushë të Madhe («Qyqja e Krushës së Madhe») dhe asnjëherë nuk është bërë temë ardhja e tij në Kosovë. Madje për qëndrimin e tij në Kosovë shumica e politikanëve duket se kanë dëgjuar vetëm javëve të fundit. Së treti: ndalimhyrja nuk e pengon Peter Handken për të vazhduar propagandën e tij. Propaganda e tij luftohet duke kundërshtuar ato që thotë Handke. E kjo bëhet me botime serioze ku dokumentohet terrori serb në Kosovë, jo vetëm në vitet 1998/99, por edhe më herët. Me reagime kudo në ato media perëndimore që e mbrojnë Handken. Asnjë institucion i Kosovës deri më tani nuk ka arritur të dokumentojë as qëndrimin e Handkes më 1996 në Prishtinë, në kulmin e aparteidit. Andaj mospuna 20-vjeçare nuk mbulohet me një ndalimhyrje. Rasti Handke sërish i ka treguar opinionit kosovar se kur nuk bën asgjë për të mbrojtur të vërtetën, mos prit që të tjerët e bëjnë këtë.

3. «Popujt myslimanë të Ballkanit»

Ka një tendencë të disa personaliteteve publike të popullit boshnjak që ndarja e çmimit “Nobel” për zuzarin Peter Handke të konsiderohet si një sinjal i qartë i Evropës Perëndimore kundër myslimanëve të Ballkanit. Nëpër Twitter bëhet jo pak zhurmë për të treguar se mirënjohja për Handken është atak mbi «popujt myslimanë të Ballkanit» - boshnjakët dhe shqiptarët. Me këtë rast zërat publikë nga Sarajeva sikur harrojnë që shqiptarët nuk e definojnë veten si «komb mysliman», sepse kjo është e pamundur duke pasur parasysh të krishterët në mesin e shqiptarëve, pa të cilët kombi shqiptar nuk mund të paramendohet as historikisht, as në bashkëkohësi. Tentimi për ta reduktuar nderimin e Handkes vetëm në islamofobi është thjeshtësim mendjelehtë i një procesi gjithsesi të diskutueshëm të vendimmarrjes. Siç u tha: Handke është një zuzar, i cili mohon krimet serbe në Ballkan, tallet me viktima, shoqërohet me kriminelë lufte dhe adhurues të kriminelëve të luftës. Por Handke është tallur mizorisht edhe me vuajtjet e kroatëve, të cilët janë katolikë – për shembull Handke ka vënë në dyshim bombardimin e Dubrovnikut nga nacionalistët serbë. Handke po ashtu mallkon edhe sllovenët, shumica e të cilëve janë katolikë, dhe këtë e bën sepse sllovenët braktisën Jugosllavinë të parët. Jo për të shpëtuar nderin dhe moralin e Handkes, të cilët ai i ka humbur tashmë, por duhet thënë se në veprat e tij ai integron edhe pikëpamjet teosofike të dijetarit Ibn Arab, shquhet si lexues i poetit dhe diplomatit al-Gazal dhe i Kuranit. Në televizionin T7 një shkrimtar tha se Handke ka shkruar kundër emigrantëve, andaj Akademia Suedeze e ka nderuar atë, fundja atmosfera në Evropën Perëndimore është agresive ndaj emigrantëve. Edhe ky shpjegim është tejet i thjeshtësuar dhe sipërfaqësor. Asnjë vepër kundër emigrantëve Handke nuk e ka shkruar. Por ndoshta shkrimtari kosovar i konsideron veprat proserbe të Handkes si vepra mbi emigrantët? Në intervistën që ia dha së fundi DIE ZEIT, Handke tregon se si është miqësuar me një kurd nga Siria, te i cili rregullisht shijon gjellët me mish qengji dhe verën rosé nga Anadolli. Kjo, kuptohet, nuk e amniston Handken nga asnjë poshtërsi. Megjithatë, shpërblimi i tij me “Nobel” nuk është sinjal se Evropa Perëndimore i ka shpallur boshnjakët dhe shqiptarët si trup të huaj në truallin evropian për shkak të fesë myslimane.

4. Erdoani dhe Handke

Çka quajmë hipokrizi? Për shembull kur sundimtari i turqve, Rexhep Taip Erdoani, thotë se Peter Handke është «person racist». Mund të jetë kështu, por përherë varet kush po e thotë... e po e thotë Erdoani, që ka arrestuar padrejtësisht dhjetëra intelektualë, shkrimtarë, aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë, publicistë, profesorë universiteti, pjesëtarë të shoqërisë civile. Kur Handke e merrte “Nobelin”, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kërkoi nga Turqia lirimin e Osman Kavallës, një pasaniku dhe përkrahësi të madh të shoqërisë civile turke dhe të pajtimit me kurdë dhe armenë. Kavalla gjendet në burg qe dy vjet, pa asnjë bazë ligjore. Arbitrarisht po mbahet në burg edhe shkrimtari Ahmet Alltan. Lirimin e tij e kërkoi së fundi autori Orhan Pamuk. Edhe një fusnotë për historinë: meqë Erdoan po zemërohet aq shumë që Handke po e mohon gjenocidin në Bosnjë, pse jo një muze në Stamboll mbi gjenocidin osman ndaj armenëve (1915-1917)?

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Dini4503/01/2020 11:47

Handke mbrohet, po qush jo dhe, eshte mbrojte qendrimi i tij nga shumica dermuese e "intelektualeve" nga shumica e elektoratit... do te mbrohet edhe ne te ardhmen. Jane shkrua libra kunder UCK-se dhe udheheqesve te saj dhe..., kjo eshte mbrojtja, ajo briena s`ka

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli