Vështrime

Letër e hapur akterëve politikë që synojnë marrëveshjen

Jemi lodhur të gjithë duke pritur marrëveshjen! Dhe formimin e qeverisë më në fund! Jemi lodhur të gjithë duke pritur ndryshimin e premtuar! Po e shohim të gjithë se kërkesat, këmbëngulja, inatet e kapriçot e të dyja palëve rrezikojnë marrëveshjen dhe koalicionin. Shohim kalkulime e kalkulatorë nga të dyja palët. Shohim interesa grupore, klanore, partiake e meskine të jenë ngritur mbi interesin e shenjtë shtetëror.

Kjo zvarritje e qëllimshme e të dyja palëve ka një kosto marramendëse! Për vendin dhe për popullin. Dëmi që po i bëhet vendit është edhe i madh edhe i dukshëm. Është e qartë se dikujt po i intereson dhe po i përgjigjet kjo zvarritje. Dhe kumti i saj i zi. Nuk kanë fare rëndësi prapaskenat e të dyja palëve. As llogaritë, as qëllimet e as pazaret.