“Modus Operandi – Skllota”

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 04 November 2019 08:25

Se cilat janë kalkulimet dhe lojërat e pista të prapaskenave politike pas rezultateve (ende jozyrtare) secili nga ne kemi të drejtë në një lloj interpretimi dhe vështirë se do të ishim shumë larg nga e vërteta, pasi që deri më tash ua kemi mësuar modus operandi-skllotën. Si ta bëjmë punën skllotë nga një ditë e përkryer tetori në vjeshtë

Erdhi dita e një vështrimi tim dhe analize nga ana ime për ditarin tim. Sot disi jam zgjuar me atë ndjenjën e një nxënësi, i cili përton që të shkojë në shkollë, e një punonjësi i cili përton që të shkojë në punë. E si të lihet shtrati i ngrohtë për t’u zgjuar, bërë gati e pastruar për të shkuar në ato të mësipërmet.

Mirëpo, për dallim nga nxënësi dhe ai punonjësi, unë e kam një lajm të mirë për veten time. Do ta shkruaj ditarin tim nga shtrati, duke mos lëvizur fare nga komoditeti i zgjimit nga gjumi.

Kabllogramet e javës së kaluar kryesisht janë të përqendruara me temën e zgjedhjeve në Kosovë. Në fakt, ankesat e partisë Nisma dhe rinumërimi i kutive të shumta në qendra të ndryshme të votimit po iu lë një shije të hidhur këtyre zgjedhjeve kur po e kuptojmë se sa vota ka “shtegtuar” nga një kandidat partiak në tjetrin, dhe vullneti zgjedhës i sovranit është shndërruar në vullnetin votëvjedhës të komisionarit.

Votat ndërmjet partive nuk janë ngacmuar në atë mënyrë dhe kjo sigurisht më shumë falë komisionarëve vigjilentë të Vetëvendosjes, e cila tashmë është e njohur për mënyrën e saj të ruajtjes së votës ku me këtë akt ata nuk i kanë ruajtur vetëm votat e tyre, mirëpo përfituese kanë rezultuar të dalin edhe partitë e tjera. Ironia e ankesave të përditshme të mërzitshme të Nismës në konferencat e saj për mediat është fakti se përkundër këtyre ankesave dhe rinumërimeve të kutive të shumta të votimeve, atyre u mungojnë 12 vota për ta kapërcyer pragun e 5% të caktuar nga Ligji i zgjedhjeve.

Për t’u kompletuar kjo ironi edhe më shumë, para ca ditësh dolën edhe kabllogramet ku u shpalosën shpenzimet e dajkit të Fatmir Limajt, Durimit, i cili kishte qenë këshilltar i lartë politik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të udhëhequr nga ministri Bajram Hasani i Nismës. Për 2 vjet Durimi kishte arritur që vetëm në emër të udhëtimeve e drekave dhe darkave të gllabëronte 30.000 euro. Mund të mos u duken “aq shumë”, por kjo është bërë nga pozita e këshilltarit. Paramendojeni ekspertin e babait sikur të ishte në pozitë ministri se çfarë do të bënte.

Kjo theqafje e Nismës në pragun zgjedhor. Ishte ajo hakmarrja më e ëmbël e mundshme e sovranit, “shikoje me sy se nuk është për ty”. T’u them të drejtën leksioni i sovranit për socialistët biznesmenë ishte me të vërtetë shumë ndëshkues dhe unë vetëm mund të përsëris atë që veç më është thënë shumë herë deri më tani, rezultati final i këtyre zgjedhjeve mund të ketë jehonë më të gjerë se vetëm në Kosovë. T’u them të drejtën unë nuk pres as mrekullira e as çudira, por gjëja më e rëndësishme është se është prishur loja e pistë e instaluar në 20-vjeçarin tonë të fundit. Medoemos se do të ketë ndryshime, por ato nuk do të mund të jenë aq të shpejta dhe efikase sa ne do të dëshironim, sepse ka të bëjë me ndërrimin e komplet një mentaliteti të tërë 20-vjeçar për mënyrën e të qeverisurit dhe përgjegjësisë ndaj parasë, pasurisë dhe përgjegjësisë publike. Këto ditë, po ashtu, nga kabllogramet diplomatike kuptova se përsëri kishte dështuar gjykimi i Azem Sylës për rastin “Toka”.

Edhe një ilustrim shtesë për atë kapjen që i është bërë këtij shteti nga kjo kasta sunduese e deritanishme.

Në ndërkohë kemi intervista të njëpasnjëshme të fituesit të këtyre zgjedhjeve nëpër studiot e ndryshme televizive, gazetave me renome botërore etj. Në anën tjetër, vazhdojnë takimet e grupeve të dyja partive deri tash opozitare për përafrimin e programeve të tyre qeverisëse dhe formimin e Qeverisë. Së paku kjo është ajo që neve si publik na servohet në mënyrën mediatike.

Në të njëjtën kohë edhe Këshilli Qendror i Zvarritjes së zgjedhjeve mban konferencat e tyre për shtyp, ku hiç më larg se dje kryetarja e këtij këshilli, Valdete Daka, nuk e përjashtoi mundësinë që i gjithë votimi të shkojë në rinumërim dhe se certifikimi mund të marrë kohë deri në dhjetor. E për të qenë shija edhe më e hidhur, këto deklarata u bënë pas takimit të saj me presidentin Hashim Thaçi. Se cilat janë kalkulimet dhe lojërat e pista të prapaskenave politike pas rezultateve (ende jozyrtare) secili nga ne kemi të drejtë në një lloj interpretimi, dhe vështirë se do të ishim shumë larg nga e vërteta pasi që deri më tash ua kemi mësuar modus operandi - skllotën. Si ta bëjmë punën skllotë nga një ditë e përkryer tetori në vjeshtë?

Skllota modus operandi ka për qëllim zvarritjen sa më të madhe të rezultateve të këtyre zgjedhjeve deri te një e “papritur” e rastit, e cila do t’i kompromitonte zgjedhjet dhe pritshmëritë e sovranit si tërësi.

Këtu nuk do të dëshiroja që të shtoja edhe sjelljen e një pjese të LDK-së me qasjen “po ma kona, por s’po më len nona”. Nuk është kohë e pazareve politike për Kosovën. Zhvillimet gjeopolitike në botë janë më shumë të papritura dhe sot bota udhëhiqet nga njerëz dhe politika të paparashikueshme. Kosova nuk e ka luksin e kalkulimeve të njëanshme politike, ajo vetëm mund të shikojë se si të forcohet përbrenda vetes dhe si ta luftojë të keqen, të cilën atë e ka kapluar nga brenda dhe e cila e ka gërryer për 20 vjet rresht. Prandaj, zvarritjet e cilësdo palë në këtë proces qoftë ajo nga Këshilli Qendror i Zvarritjeve, ankesat e partive politike apo thjesht zhagitja e një marrëveshjeje politike të partnerëve të ri politikë nuk shkon në dobi të progresit në proceset shtetndërtuese të Kosovës. Përndryshe, dje e pamë një foto të postuar nga Albin Kurti nga një takim rasti me Vjosa Osmanin.

Do t’ua përkthej nga shikimi dhe vrojtimi im diplomatik i asaj fotoje domethënien dhe porosinë e saj (konspirative).

Dikush mund të mendojë se rrit pazare politike me emërime të individëve si kryesues të ekipit negociator të ndonjërës nga partitë e koalicionit të ardhshëm qeveritar, dhe se emërimet e tilla çojnë ndonjë peshë tek publiku apo bartin në vete ndonjë rëndësi politike. Porosia e fotos nga takimi i Albinit dhe Vjosës dje është se “ne të dy në këtë foto përfaqësojmë më shumë se gjysmën e votave të gjithmbarshme të sovranit dhe pritjeve të tyre për zgjedhjen e problemeve të renditura në këtë shtet tashmë të rraskapitur. Nëse dikujt i shkon ndërmend mos të çon vullnetin e sovranit në vend, a mendoni ju se ne nuk bëhemi bashkë në zgjedhje të radhës? Kalkulimet e rezultateve tuaja nga ato zgjedhje po ua lëmë imagjinatës suaj që t’i llogaritni, edhe pse nuk duhet shumë imagjinatë aty”.

Ja pra unë si ambasador, i përkushtuar dhe përfaqësues i popullatës së pafajshme civile, ua bëra interpretimin diplomatik të domethënies së fotos nga takimi i përbashkët i Albinit dhe Vjosës nga takimi i djeshëm i tyre. Kështu që, burra dhe gra, përvilni mëngët dhe mos zvarritni asgjë, por formojeni atë qeveri për të cilën Kosova dhe populli janë në pritje dhe përvishuni punës së shumtë, si dhe përgjegjësive të cilat ju presin. Sigurisht se jam bërë edhe unë monoton duke e përsëritur frazën se Kosova nuk ka kohë për të humbur, në fakt ajo nuk ka kohë fare se lëre më luksin për ta humbur atë.

Shpresa e qytetarëve mbetet në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë, ashtu sipas zgjedhjes së tyre dhe marrjen e Qeverisë me zgjidhjen e problemeve të grumbulluara të shtetit dhe qytetarëve të saj.

Mua më erdh koha që për këtë javë ta përmbyll ditarin tim dhe t'ia prish pak vetes rehatinë në shtratin e ngrohtë dhe të ballafaqohem me përditshmërinë jashtë komoditetit dhe ngrohtësisë së shtratit.

P. S. Albin shumicën e intervistave të tua në televizionet e ndryshme, si dhe debatet e ndryshme ku i janë bërë “analiza” profilit tënd politik i kam përcjellë me aq sa kam pasur mundësi. Ka një konsistencë në ato që ti i deklaron muajve të fundit, por neve na duhet të presim që ti dhe ekipi yt të filloni me punën dhe 100-ditëshin e parë do të mund t’i kemi shkëndijat e para të rezultateve të matshme mbi përmbushjen e obligimeve dhe premtimeve, të cilat ju do t’i merrni mbi veten tuaj si Qeveri e re e sapoformuar. Për një pjesë të analistëve, të cilët ta bëjnë profilin politik, çka të them more djalë shumë i pashpirt kishe qenë, i ke ba me shkumu LIVE nëpër studiot e tyre televizive.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani