OpEd

Si ndryshoi gjithçka në dy vjet?

Bota sot ka ndryshuar shumë krahasuar me vetëm dy vjet më parë, e me këtë edhe prioritetet e Qeverisë së re, e cila pritet të formohet me koalicionin LVV dhe LDK, duhet të ndryshojnë.

TEKSA PO THEMI se është vonuar për dy vjet e katër muaj vullneti i qytetarëve të Kosovës për partitë të cilat duhet ta krijojnë Qeverinë e re, atëherë edhe Qeveria e re e Kosovës s’mund t’i ketë prioritetet e njëjta me ato që mund t’i kenë pasur në zgjedhjet e vitit 2017. Bota sot ka ndryshuar shumë krahasuar me vetëm dy vjet më parë, e me këtë edhe prioritetet e Qeverisë së re, e cila pritet të formohet me koalicionin LVV dhe LDK, duhet të ndryshojnë. Sidomos ato që kanë të bëjnë me politikën e jashtme, por që kanë reflektim thelbësor në çështjet e brendshme në Kosovë.

Koalicioni PANA na thuhej atëbotë se ishte krijuar për t’u marrë me “temat e mëdha”, të cilat kishin mbetur pezull. Mirëpo, ja që duket se në këtë aspekt, më së vështiri deri më tash do ta ketë qeveria e opozitës së deritashme, e cila pritet të udhëhiqet nga një parti, që për herë të parë vjen në pushtet qendror, që nga themelimi.

LIBERALIZIMI I VIZAVE që ka qenë kryefjala e secilit politikan në Kosovë në 15 vjetët e fundit, edhe për shkakun se pas MSA-së, kjo vlerësohej si e vetmja e arritur e mundshme aktualisht në relacion me Brukselin. Po, Kosova vazhdon të mbetet i vetmi shtet në Evropë pa liberalizim vizash, ndonëse formalisht kriteret teknike janë përmbushur dhe, po, kjo është konfirmuar edhe nga institucionet e Bashkimit Evropian. Mirëpo, kur Kosova i përmbushi kriteret, vetë BE-ja më nuk është e njëjta.

Franca ka një kryetar, i cili për nevoja të akomodimit të tij në skenën politike të brendshme, ka vendosur të jetë krejt rigjid edhe ndaj lirisë së lëvizjes së kosovarëve, por edhe ndaj zgjerimit të BE-së, duke vënë veto për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo nënkupton se do të ketë edhe një bllokadë në afat të pacaktuar të shumë prej proceseve që varen nga Bashkimi Evropian, kurse shteti si Kosova, nuk do të ketë asnjë alternativë përveçse të presin te dera.

Britania e Madhe, në anën tjetër, vetëm sa ka shpallur edhe një palë zgjedhje të parakohshme për në dhjetor. Të mbërthyer nga vetëbllokada me BREXIT-in, ky shtet tash e dy vjet ka treguar se edhe po të dojë, s’mund të ketë kapacitete të mjaftueshme për t’u angazhuar në çështje që dalin jashtë kufijve të saj, për shkak të marrjes pafundësisht me vetveten. Me një situatë të këtillë, Kosova ka humbur mbështetësin më të madh brenda BE-së.

Për t’u komplikuar edhe më shumë gjërat, e vetmja përkrahëse dhe përcjellëse me ndikim deri më tash brenda BE-së, Gjermania, ngadalë po zhytet në një luftë të brendshme të koalicionit qeveritar CDU-SPD, ndërsa edhe kancelarja Merkel ndodhet në mandatin e fundit të saj.

Italia, ndonëse me ndikimin më të vogël, në kuadër të shteteve të Quintit, mbase ua kalon edhe Britanisë dhe Gjermanisë bashkë, sa i përket jostabilitetit institucional, të dominuar edhe nga një diskurs gjithë në rritje nacionalist.

E kur i përmendim Quintin dhe kryeshtetin, i cili e mbështet Kosovën, SHBA-në, edhe nga atje ka një dinamikë tjetër. Duke lëvizur shpejt në vitin elektoral, edhe pritjet e një storie suksesi për administratën e Trumpit janë kthyer edhe kah Ballkani. Presidenti Trump ka caktuar tashmë të besueshmin e tij, ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si përfaqësues special për të arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë. Vetë ky i fundit ka thënë se pret që misioni i tij të përmbyllet me sukses në pjesën e parë të vitit që vjen, një dinamikë krejt ndryshe nga ajo që është parë deri tash nga shtetet e Quintit ta kërkojnë nga Prishtina dhe Beogradi.

Për t’u komplikuar edhe tutje gjërat, e padëshiruara Mogherini si ndërmjetësuese në dialogun Kosovë-Serbi, tashmë, po zëvendësohet nga spanjolli Josep Borrel, në postin e komisarit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, person ky i cili si ministër i Jashtëm i Spanjës ka qenë zëshëm kundër pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë, “lokalisht”, këta dy vjet të fundit, është përmbyllur edhe konflikti 27-vjeçar në mes të Greqisë dhe Maqedonisë për shkak të emrit të kësaj të fundit, por pa u përmbushur premtimi i dhënë nga BE-ja për hapjen e negociatave për të.

“Në lajme” të tjera, presidenti Trump ka dhënë urdhër të papritur që forcat amerikane të tërhiqen nga Siria, sipas shumëkujt, duke i tradhtuar aleatët kurdë, të cilët u lanë nën mëshirën e ofensivës ushtarake të Turqisë si pasojë.

Kurse, rritja e dominimit ekonomik të Kinës në shumë shtete të botës është duke vazhduar me stabilitet të lartë, pa lënë prapa edhe Rusinë, e cila po e zgjeron ndikimin në shtete të Afrikës dhe në Lindje të Mesme. Të nënvizohet, të dyja këto shtete nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kurse janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

KA EDHE SHUMË ngjarje të tjera, të cilat kanë ndodhur brenda këtyre dy vjetëve, e të cilat ndikojnë gjithsesi edhe në fatin e Kosovës. Qeveria e ardhshme e Kosovës, por edhe e gjithë klasa politike në vend, duhet të kenë kujdes dhe t’i lexojnë drejt ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur rreth tyre, dhe bazuar në këto ndryshime edhe t’i adoptojnë politikat e veta.

Në një botë kaq të shpejtë dhe kaq të paparashikueshme, gabimet më të vogla mund të kushtojnë shtrenjtë, shumë shtrenjtë.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk