Pastrimi i këtyre listave nga muçkaroshat do të jetë proces jo i lehtë, mirëpo ai është jetik dhe i domosdoshëm që të ndodhë si i tillë. Përse lejojnë ish-komandantët e UÇK-së dhe ushtarët e saj të drejtë dhe të pastër që të njolloset me luftën e UÇK-së, me lirinë dhe me demokracinë e Kosovës? Kështu nuk jemi seriozë as pranë vetes, as pranë fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm, e as pranë miqve tanë ndërkombëtarë të cilët na çliruan!
E premte, 18.08.2018
Më duhej që për titull ta shfrytëzoja një barbarizëm duke e huazuar një fjalë diplomatike të fqinjëve tanë veriorë, por të cilën kemi ditur ta përdorim edhe ne në fundshekullin e kaluar. Bëhet fjalë për fjalën “muçkarosh” e që në përkthim i bie *dikush që shpeshherë mundohet të përfitojë në mënyrë jo të sinqertë, apo i cili e fsheh motivin e vërtetë.
Gjatë ditëve të fundit të gjithë ishim dëshmitarë të shkrimeve të shumta me temën e abuzimit të përfitimeve me titullin e veteranit të luftës. Na dalin të jenë 38.000 të tillë. Është e pamundur. Të gjithë ata të cilët kanë shërbyer dhe e kanë kryer aktin e tyre sublim më të lartë patriotik duke i dalë në mbrojtje pragut të shtëpisë, e dinë se ky numër është larg nga realiteti. Edhe ish-komandantët të cilët edhe formuan komisione verifikuese gjithashtu e dinë se ky numër është larg nga realiteti. Mirëpo, në katrahurën e quajtur “sistem ligjor” në Kosovë këta numra fryhen dhe shtohen pikërisht prej anës së komandantëve të zonave, pikërisht nga komisionet dhe ku tash krijohet një bazë e qëndrueshme votuesish dhe zhvatësish të sistemit. Muçkaroshat na dalin në 19 mijë e që në rastin më të butë mendoj se bëhet fjalë për dyfishin e kësaj shifre. Privilegjet, ndihmat financiare, buxhetit të Kosovës së varfër i kushtojnë 40 milionë euro në vit. Pastrimi i këtyre listave nga muçkaroshat do të jetë proces jo i lehtë, mirëpo ai është jetik dhe i domosdoshëm që të ndodhë si i tillë. Përse lejojnë ish-komandantët e UÇK-së dhe ushtarët e saj të drejtë dhe të pastër që të njolloset me luftën e UÇK-së, me lirinë dhe me demokracinë e Kosovës? Kështu nuk jemi seriozë as pranë vetes, as pranë atyre që dhanë jetën për liri, as ndaj fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm, as pranë miqve tanë ndërkombëtarë të cilët na çliruan! Në fakt legjitimojmë një shtet mashtruesish e cubash që përveçse do ta shkrryjnë buxhetin e shtetit nëpërmjet ndihmave dhe privilegjeve me statusin e veteranit, ata gjithashtu do të vazhdojnë të na e qepin edhe qefinin e ardhmërisë sonë, duke votuar vazhdimësinë e cubave të tjerë për të qeverisur me shtet (lexo buxhet shtetëror).
Mora ta telefonoja një mik të vjetër. Ka qenë ushtar i UÇK-së. He Besim a ke apliku ti për statusin e veteranit? Jo, ma preu. Unë isha ushtar dhe jo mercenar, me luftu për atdhe për mua ishte NDER, DETYRË dhe OBLIGIM. Paq faqen e bardhë mik dhe të priftë e mbara në jetë, ia ktheva.
Duke u kthyer prapë tek muçkaroshat. Sot kryeministrit i pengon Bllaca stoike, Stankoveci humanitar, si dhe thyerja e vijës kufitare në Koshare, ku s’dolën se ishin muçkaroshat, por të vërtetit ushtarë.
Pas Betejës së Koshares, ku UÇK-ja dëshmoi luftën e drejtë të cilën e bëri, flijimin për atdhedashuri, asaj tash i mbetet beteja e radhës që UÇK-ja ta “luftojë” UÇK-në, në fakt t’i luftojë muçkaroshat të cilët e njollosin dhe e devalvojnë emrin dhe vlerën e saj. Kjo “luftë” për rezultat nuk duhet të ketë viktima, por duhet spastruar ato lista nga bashibozukët që i përpiluan ata që i mbrojnë të tillat dhe bashibozukët përbrenda tyre, njëherë e përgjithmonë.
Baton Haxhiu: Kosova duhet t’ia japë një pjesë të veriut Serbisë
Si diplomat kosovar më duhet të pyes kush është Baton Haxhiu dhe çfarë përfaqëson ky njeri? Ku e merr guximin dhe ingerencën që të ofrojë tokë të Kosovës për Serbinë? Afërsinë e tij me presidentin Thaçi e dimë të gjithë, laritjen e tij ndaj Pacollit vite më parë e pastaj ftohjen e marrëdhënieve ndërmjet tyre e deri në takimin në jaht para dy javësh edhe këtë e kemi në kujtesën e freskët. Po çfarë borxhi i mbet Kosova Batonit që ky të bëhet tyxhar me tokat e saj? Veriun e Kosovës duhet ta lëmë të ikë, thotë ky! I nderuari gazetar ti mundesh ndonjë copë prone tënden private disi të mundohesh që t’ia lësh testament Serbisë nëse aty të dhembë zemra, edhe aty s’të përzihet njeri, mundesh edhe veturën tënde me targa të Tiranës t’ia japësh Serbisë edhe aty kush s’do të përzihej, por që njeriu me mend në kokë del dhe deklaron diçka te tillë nuk më ka ra të dëgjoj. Përndryshe unë shumë mirë e kuptoj rolin e Spin Doctor-it, por ti as për Spin veterinar nuk je i denjë. Fundja po bën spine për Gjarprin dhe dëshiron që të krijosh mendim pajtueshmërie me presednikun dhe idetë e tija gradualisht të fillosh që t’i trazosh në publik. Normalisht e organizon edhe një intervistë me presednikun në kolltukët e studios të televizionit, të cilin ti e menaxhon dhe në duet me Gjarprin filloni të shitni mjegullën e dendur nga Fushë-Kosova. Por paksa më duket që kancelarja Merkel lagu qershitë e juaja të cilat deshët të na i servonit dhe tash vetëm keni mbetur që t’i gjeni ato që nuk janë lagur e t’i konsumoni vetë. Përndryshe gjithnjë e kujtoj me mall organizimin e “zgjedhjeve të presidentit amerikan” në studiot e juaja dhe shpalljen e fitores së Hillary Clinton (normal zgjedhje të improvizuara), por shija mbeti shumë e hidhët pasi që në ato të vërtetat thënë në gjuhën diplomatike presidenti Trump ua lagu qershitë. E sikur të fitonte Hillary Clinton e duke të njohur ty, ti do të kërkoje edhe mirënjohje nga shteti amerikan ndoshta edhe nënshtetësi, ose së paku një veturë me tabela të shtetit të Delawareit.
E shtunë, 19.08.2018
Edita Tahiri porositi mbi 1 mijë makiato për një muaj
Me të vërtetë nuk e kuptoj shqetësimin e popullatës civile nga një kabllogram diplomatik me një përmbajtje të tillë. Po ne njihemi si popull konsumues të makiatos deri në diarre. E si do të mundë të pritej që të ishte ndryshe edhe nga qeveritarët tanë të shkuar dhe aktualë.
Por e kuptoj edhe shqetësimin e popullatës civile. Kombinimi i flluskave të borës në formë të diarresë e që do të shkrihej me diellin e parë pranveror, po që do të mundë të ishte fatal, sidomos nga lartësia e zyrave të godinës shumëkatëshe qeveritare. Për glasat e sorrave që goditin kalimtarin e rastit “fatlum” thonë se sjellin fat, ndërsa këto “flluska bore” në gjuhën diplomatike mendoj se do të sillnin vetëm fekalitet. Rezultatet e atyre fekaliteteve ka kohë që kanë filluar të kundërmojnë anembanë. Përndryshe 1 mijë makiatot “t’pagume janë”.
E mërkurë, 21.08.2018
Ramush Haradinaj: Prokurori Elez Blakaj na e ka vënë në pikëpyetje marrjen e liberalizimit të vizave
Kjo deklaratë e kryeministrit Haradinaj kërkon një interpretim diplomatik fund e krye. Para ca ditësh kryeministri e quajti prokurorin hajn të pulave dhe pishpirik. (Pasi që anglezët nuk e kuptonin domethënien e fjalës pishpirik si dhe lojën, unë atë e përshtata gjatë përkthimit të kabllogramit në gjuhë angleze në “APEX Poker Machine Joker”).
Për t’u bërë situata më konfuze prokurori Elez Blakaj para një viti kishte deklaruar se “nëse dikush nga Prokuroria ka frikë, ka zgjedhur profesionin e gabuar”. Kjo ndoshta asokohe do të thoshte se ai e ka ndërmend që punës së tij t’i qasej me seriozitet dhe duke aluduar se nuk do të frikësohej. Ai kishte përgatitur paditë për abuzuesit me listat e veteranëve të UÇK-së, si dhe do t’i thërriste në intervistë kryekuvendarin Kadri Veseli dhe aktorët e tjerë me ç’rast pranon telefonatë nga kryeprokurori Aleksandër Lumezi, i cili i thotë se kryekuvendari nuk mund të merret në intervistë, sepse ka imunitet. Më pas si duket ka pasur presione të tjera nga palët e tjera kundrejt prokurorit Blakaj, dhe ai duke mos pasur frikë e merr arratinë për në Amerikë. Me vetë faktin se kryeministri Haradinaj merret me punën e prokurorit Blakaj, pavarësisht gjuhës së rojës së diskotekës të cilin ai e përdor, rol nga i cili po e ka shumë të vështirë që të dalë, kryeministri Haradinaj bën veprim kundërkushtetues ku kompetencat e gjyqësorit janë qartë të ndara nga ekzekutivi dhe kjo do të cilësohej si përzierje direkte në gjyqësor. E për të hedhë edhe më shumë hi syve, kryeministri Haradinaj deklaron se prokurori Blakaj e ka vënë në pikëpyetje marrjen e liberalizimit të vizave. Mos luani kështu me ndjenjat e popullit të painformuar kryeministër! Janë pikërisht sjelljet e juaja dhe sejmenëve tuaj, ato të cilat do e vënë në pikëpyetje liberalizimin e vizave. Në Kosovë këto kopalla edhe mund t’i shitni, sepse i keni 38.000 veteranë mercenarë pas jush, mirëpo Brukseli nuk do t’i hajë këto broçkulla të hyrjeve të diskotekave dhe çfarëdo sanksionimi që Brukseli do të bënte në një të ardhme të afërt ajo do t’u vishet juve dhe bashibozukëve tuaj.
Në ndërkohë ne duhet pritur edhe ndonjë prononcim trimërie të prokurorit Blakaj nga Amerika, dhe të shikojmë se si do të zhvillohen ngjarjet më tutje në vend. Nga ajo qysh unë po e shoh po e vërej formimin e rrymës Blako, Eleziste në Amerikë dhe asaj Hara, Ramushiste në vend, së shpejti edhe shpallja terrorist secilit, i cili e përkrah rrymën Eleziste.