Programi zhvillimor i Qeverisë së ardhshme

Besnik Pula Besnik Pula 17 October 2019 16:38

Qeveria e ardhshme ka një shans të paparë që nga fundi i luftës, për t’i dhënë kah tjetër ekonomisë së Kosovës. Ndonëse midis dy partnerëve të mundshëm të koalicionit që duket se po vjen ka dallime, ka edhe pika bashkuese përmes së cilave mund të ndërtohet një program solid ekonomik që mund t’i japë ekonomisë së Kosovës riorientimin aq të nevojshëm.

Realiteti ekonomik i Kosovës përshkruhet nga defekte të rënda strukturore. Kosova konsumon jashtëzakonisht më shumë sesa që prodhon, që shihet në bilancin tregtar tmerrësisht negativ. Rritja e prodhimit të brendshëm dhe të eksporteve, që do të ndikonte në uljen e tij, në vitet e fundit ka qenë minimale dhe fare e pakënaqshme. Ndonëse Kosova përdor euron, normat e interesit në Kosovë qëndrojnë në nivele astronomike në dallim prej vendeve të BE-së, ku vende-vende normat e interesit tashmë janë edhe negative. Kjo dëmton investimet, si në sektorin e biznesit ashtu dhe në atë të amvisërive. Niveli i shkathtësive është alarmant, me shkolla që nxjerrin analfabetë funksionalë që nuk kanë asnjë përdorim për bizneset e shekullit XXI, as në Kosovë e as gjetiu. Për të mos përmend shkallën enorme të papunësisë, e cila ka ndikim jo vetëm negativ në rritjen ekonomike, por edhe në krijimin e një gjendjeje sociale të karakterizuar nga varfëria, mjerimi dhe mungesa e perspektivës, që mbeten shkaku kryesor i motivit të shumë të rinjve për të ikur nga Kosova.

Të gjitha këto janë probleme të rënda që nuk mund të zhbëhen e ndryshohen brenda një mandati, apo as edhe brenda një pesëvjeçari. Mirëpo, Qeveria e re ka shansin dhe mundësinë që t’ua ndryshojë kursin gjërave në mënyrë fundamentale dhe permanente.

Kosova ka nevojë për një varg reformash në sferën e politikave ekonomike, nisur nga politika fiskale e deri tek prioritetet e shpenzimeve buxhetore. Mirëpo, në të njëjtën kohë, përdorimi i instrumenteve të zakonshme tashmë është treguar inert dhe joefektiv, edhe atëherë kur (rrallë në qeveritë nga 2008-a) qëllimi i politikave mund të ketë qenë fisnik. Prandaj, ristrukturimi i ekonomisë së Kosovës duhet të ketë si parahap ristrukturimin institucional të politikëbërjes ekonomike, duke i dhënë shtetit të Kosovës leva të reja të intervencionizmit strukturor në ekonomi, duke e orientuar, por pa e ngufatur dhe pa e zëvendësuar tregun. Kjo qasje heterodokse ndaj ekonomisë së Kosovës është e domosdoshme, po qe se fati ekonomik i Kosovës nuk do të jetë po ai që ishte deri më sot, dhe premtimi i qeverisë në ardhje për një ndryshim të kahut ekonomik një slogan elektoral të të cilit qytetarët shumë shpejt do t’ia kuptojnë boshësinë.

Fatmirësisht, Lëvizja Vetëvendosje ka përqafuar qysh në fillim një qasje heterodokse ndaj ekonomisë, jo thjesht për sloganizëm, por nga nevoja e thellë për ndryshim të kursit ekonomik të vendit, që proponentët brenda kësaj lëvizjeje kanë kuptuar me kohë. Shteti zhvillimor, që mishëron konceptin e qasjes së saj ndaj ekonomisë, është një nga shtyllat themelore të programit të saj ekonomik. Mirëpo këtë program Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, duhet ta pajtojë me premisat, synimet dhe qasjen ekonomike të partnerit prospektiv, LDK-së, që në dallim nga Lëvizja Vetëvendosje identifikon vetëm me një qasje të qendrës së djathtë ndaj ekonomisë dhe politikave sociale.

Por, ky nuk është një hendek i pakapërcyeshëm. Programi ekonomik i LDK-së i ngjan më shumë programit ekonomik e social të një partie demokristiane, se të një partie tipike liberale. Kjo besoj nuk buron vetëm nga preferencat ideologjike. Si Lëvizja Vetëvendosje ashtu edhe LDK-ja kanë kuptuar me kohë se Kosovës i nevojitet një ndryshim radikal në qasjen ekonomike dhe se situata aktuale sociale është e patolerueshme. Dhe, në të kaluarën, të dy këto parti u kanë kushtuar rëndësi të veçantë çështjeve ekonomike e zhvillimore, në dallim prej partive të tjera ku qasja ekonomike është prirë në radhë të parë nga pikëpamja e kalkulimit të favoreve politike dhe e gjendjeve personale financiare.

Por si mund të pajtohen dy qasjet? Vargu i çështjeve është i gjatë, por përqendrimi im është në ato elemente institucionale që përmenda si të rëndësishme.

E para, Kosovës i nevojitet një ristrukturim i ndërmarrjeve publike të rëndësisë strategjike, që furnizojnë Kosovën me shërbime jetike, ndërsa sot punojnë me humbje dhe me udhëheqje të korruptuara e ku dominon kultura antiprofesionale e antikomerciale dhe trajtimi i ndërmarrjeve si feude personale ose partiake. Po ashtu, Kosova ka industri të trashëguara, të dëmtuara e të lëna pas dore, sidomos në sferën minerare e përpunuese, ku Kosova vazhdon të ketë potencial si vend që gëzon pasuri të mëdha nëntokësore ndërsa ka përpara industri të tëra evropiane e globale të etshme për burime bazë, që nga metalet e deri tek energjia. Sektorit publik i duhet një ristrukturim, rimëkëmbje, por edhe mbrojtje nga investitorë të jashtëm mashtrues e grabitqarë, të tillë çfarë kemi parë me bollëk e që synojnë të përdorin monopolet e resurset e Kosovës për përfitime të lehta e të shpejta. Kjo arrihet përmes themelimit të Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, i cili do ta shkëpuste përfundimisht sektorin publik nga kontrolli politik qeveritar, si fond profesional investiv i themeluar nga Kuvendi me kapital nga shteti, që do të marrë në pronësi të gjitha ndërmarrjet strategjike të Kosovës, nga KEK-u në Telekon e deri te “Trepça” dhe “Trainkosi”. Fondi Sovran nuk do të bëhej drejtuesi, por aksionari kryesor në këto ndërmarrje, dhe do të vepronte si fond investiv, duke i drejtuar ndërmarrjet drejt profitabilitetit e efiçiencës, duke siguruar kështu veprimtari komerciale, shërbime cilësore dhe rritje të punësimit profesional e meritor. Modele të institucionit të tillë nëpër Evropë ka mjaft, që nga Norvegjia e deri në Slloveni, ku vepron Holdingu Sovran i Sllovenisë, me një mandat të ngjashëm që do të kishte Fondi Sovran i Kosovës. Përveç kësaj, Fondi Sovran do të mundësonte riatdhesimin e kapitalit të mërguar të Kosovës, pra parave të Trustit Pensional, një pjesë e së cilit do të riorientohej nga tregjet e jashtme financiare drejt pjesëmarrjes investuese në ndërmarrjet e mëdha të Kosovës, duke i dhënë Kosovës injektimin aq të nevojshëm të kapitalit dhe duke e kthyer përfundimisht kapitalin e Kosovës në shërbim të zhvillimit të vendit.

E dyta, bizneset dhe ndërmarrjet e Kosovës ballafaqohen me kosto të larta të financimit, ndërsa komunat dhe entitetet e tjera publike të Kosovës pa mundësi të huamarrjes përmes kredive të buta për investime në projekte infrastrukturore, siç janë ndërtimi i shkollave, i rrugëve rurale e i ujësjellësve e kanalizimeve. Një funksion të tillë do ta kryente një bankë zhvillimore, e cila do të kishte mandat financimin e ndërmarrjeve të mëdha, bizneseve të vogla që duan të shndërrohen në biznese të mesme, dhe bizneset e mesme që duan të shndërrohen në biznese të mëdha. Banka Zhvillimore do të ishte entitet huadhënës edhe për komunat, me kredi të buta e afat të gjatë kthimi për projekte me rëndësi publike. Financimi i kapitalit fillestar të Bankës Zhvillimore mund të realizohet pjesërisht përmes bonove të thesarit, të cilat aktualisht ia mundësojnë shtetit të Kosovës të marrë kredi me kamata shumë më të ulëta se ato në tregun komercial.

Veprimtaria e Bankës Zhvillimore nuk do të ndërhynte, as të konkurronte me veprimtarinë e sektorit ekzistues bankar. Banka Zhvillimore do të ishte bankë e specializuar që ka fushë të veprimit kreditimin në sfera që janë jashtë atij të sektorit ekzistues bankar, siç janë kreditë për komuna dhe për investime të specializuara afatgjata në industri kapital-intensive, si energjia e ai minerar, për makineri e teknologji që përmirësojnë konkurrencën e firmave kosovare në tregje të jashtme e në sektorë të rinj që përmbajnë risk të lartë të investimit për banka komerciale. Për më tepër, në krah të bankave komerciale dhe të biznesit të vogël, që akoma mbetet një nga punëdhënësit më të mëdhenj në Kosovë, do të vazhdonte të ishte Fondi për Garanci Kreditore.

E treta, këta mekanizma nuk do të jenë të mjaftueshëm për arritjen e ambicieve zhvillimore të vendit pa një koordinim të mirëfilltë midis resorëve qeveritarë, fondeve investuese, agjencive të pavarura dhe sektorit privat, sidomos atij prodhues, eksportues, e inovativ, pa të cilin ekonomia e Kosovës nuk mund të lëvizë nga vendi. Koordinimi strategjik i politikave dhe integrimi i qasjes zhvillimore mund të arrihet përmes themelimit nga Kuvendi i Kosovës të Agjencisë Zhvillimore të Kosovës. Agjencia Zhvillimore e Kosovës, përveçse do të integronte brenda një kulmi agjencitë rregullative e zhvillimore të shpërndara anekënd nëpër ministri, që nga ajo për Zhvillimin e Bujqësisë deri tek ajo për Efeçiencë të Energjisë, do të shërbente si urë lidhëse që hisenikë në zhvillimin e Kosovës që do ta bënte jo vetëm qeverinë, por edhe Kuvendin, shoqatat e biznesit dhe sindikatat, pa pjesëmarrjen e të cilave çdo reformë zhvillimore shndërrohet në ushtrim të kotë burokratik e politik. Në kuadër të Agjencisë Zhvillimore do të duhej të themelohej edhe një institut makroekonomik e social për politika ekonomike e zhvillimore, i mbushur me staf profesional, jopolitik, studimor dhe i cili do të furnizonte vendimmarrjen në politikat ekonomike mbi baza empirike e objektive.

Një trekëndësh i tillë institucional: Fond Sovran, Bankë Zhvillimore dhe Agjencia Zhvillimore me komponentët përcjellës do të plotësonte reformën e brendshme institucionale që do ta jetësonte në Kosovë shtetin zhvillimor dhe do të përbënte hapin e parë drejt një ekonomie dinamike, e cila e kthen Kosovën drejt arritjes së niveleve mesatare evropiane të zhvillimit e mirëqenies. Kjo jo vetëm që e bën më të afërt, por edhe përshpejton integrimin ekonomik të Kosovës në BE, meqë BE-ja dhe tregjet evropiane do ta ndryshonin pamjen e Kosovës prej një barre ekonomike e sociale në një vend me oportunitete e potenciale të mëdha ekonomike e zhvillimore. Për të mos përmendur faktin se vendi do të rimëkëmbej e rikuperohej nga humnera nga e cila nuk po arrin të dalë tash e dy dekada, duke e bërë Kosovën vend të pëlqyer për të jetuar, për të punuar, e për të inovuar, dhe shembull rajonal e mbarevropian të kthesës ekonomike.

(Autori është profesor-asistent në Departamentin e Shkencave Politike në Virginia Tech, SHBA, ku ligjëron ekonominë politike. Pikëpamjet e shprehura janë personale.)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Edmond Efendija 05/11/2019 17:22

Nje vizion i qarte dhe mire i argumentuar. Me ne fund pak "fresh air" ne grumbullin e pseudo-eksperteve.

Viron Panajoti05/11/2019 17:26

per mendimin tim jeni gabim kur thoni qe Fondi Sovran eshte jashte Qeverise e cila eshte ajo qe me voten e popullit qeveris venddin pradhe ekonomine e tij. Pasurite Publike a shteterore administrohen nga shteti...ato bijen te ardhura qe perdoren nga Buxheti. Te ardhurat "qe teperojne" fiskale apo nga pronat publike i administron ky Fond per perfitime dhe qe prape perdoren per vendin nga planet ekonomike te shtetit (qeveria me aprovim te Kuvendit). Norvegjia dhe Arabet e kanne nga nafta, Singapori nga fiskalet.... Mjafte me skema komuniste qe eshte Partia jashte qeverise te zgjedhur nga populli qe vendos.

Shto koment