Brukseli dhe disa shtete anëtare janë duke ia lehtësuar punën Qeverisë së ardhshme, me gjasë koalicionit VV-LDK, në zvogëlimin e numrit të ministrive. Njëra, për të cilën nuk ka dilemë se duhet të shuhet, është Ministria e Integrimeve Evropiane. BE-ja është duke e ngadalësuar edhe më shumë procesin e ngadalshëm edhe ashtu, në të cilin Kosova nuk bën pjesë e nuk dihet se kur mund t’ia nisë kësaj rruge. Prandaj, të kesh tani Ministri për diçka që mund të vijë pas 10 apo 20 vjetësh, është një luks që Kosova nuk mund ta ketë. Nuk duhet hequr dorë nga procesi i përafrimit me BE-në, por detyrën e koordinimit të ministrive mund ta marrë një zyrë pranë kryeministrit
Pas disa shtyrjeve në dy vjetët e fundit, kur pritej që më në fund BE-ja ta merrte vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Franca del me një propozim tjetër. Kërkon që të ndryshohet metodologjia në procesin e zgjerimit. Që procesi të bëhet “më gradual” (lexo: më i ngadalshëm) dhe që Komisioni të përgatisë një raport për pranverën e vitit që vjen për implementimin e metodologjisë së re. Me fjalë të tjera, Franca, e mbështetur fuqishëm nga Holanda, pjesërisht nga Belgjika e pak edhe nga Gjermania, vetëm sa nuk thotë se duhet harruar procesin e zgjerimit për një kohë dhe, kur një ditë BE-ja të jetë e reformuar, t’i kthehen kësaj çështjeje.
Ka problem ende në Shqipëri sa i përket afrimit me standardet e BE-së. Ka edhe në Maqedoni. Por nuk ka arsye që të shtyhet nisja e negociatave si hap i parë i një procesi, i cili edhe ashtu do të zgjaste së paku 10 apo 15 vjet. Siç tha këto ditë komisari i Zgjerimit në largim, Johanes Hahn, “për metodologji të reja mund të ketë kohë, por për shkak të metodologjisë nuk mund të mbahen pengë vendimet”.
Shtetet si Mali i Zi dhe Serbia janë duke negociuar tash e shumë vjet dhe nuk kanë avancuar shumë. Turqia ka nisur negociatat gjysmë ore para Kroacisë në vitin 2005, por nuk ka lëvizur shumë. As BE-ja nuk e do më Turqinë si anëtare, e as Turqia nuk është më e interesuar të afrohet me standardet evropiane.
Maqedonia ishte nisur e para në rrugëtimin e integrimeve evropiane, duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit si e para në samitin e Zagrebit në vitin 2000. Por, ndonëse para më shumë se dhjetë vjetësh mori statusin e kandidatit, ende nuk i ka nisur negociatat. Nuk i ka ndihmuar as fakti se Komisioni Evropian ka konfirmuar se i ka përmbushur të gjitha kushtet. Dhe këtë konfirmim Komisioni Evropian e ka dhënë pothuajse dhjetë herë, pra për dhjetë vjet me radhë. Shqipëria po ashtu tash e sa vjet gëzohet kur Komisioni Evropian konstaton se edhe ajo i ka përmbushur kriteret për të nisur negociatat, por vendimi për këtë po mungon. E Kosova po ashtu në lëkurën e saj e ka ndier se vlerësimi i Komisionit Evropian se janë përmbushur kushtet nuk vlen shumë. E kemi parë këtë në përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash.
Te gjitha këto janë shembuj se interesimi në BE për zgjerim po zbehet. Ekziston shumica e cila është e vetëdijshme se ky proces duhet të vazhdohet dhe përshpejtohet, por ekziston edhe pakica me ndikim e cila punon që ta ngadalësojë e ndoshta edhe ta devijojë procesin.
Në këto kushte, kur shtetet të cilat njihen si të tilla nga BE-ja dhe kanë status kandidati, e kanë aq të vështirë integrimin në BE, që duket si një perspektivë e arritshme në një të ardhme jo të afërt, Kosova integrimin evropian e ka vetëm teori abstrakte. Për votë “integrimi evropian” është shfrytëzuar si nocion nga strukturat politike në Kosovë, por edhe në BE për të krijuar një iluzion se Kosova po përparon në rrugëtimin drejt BE-së, e në fakt as që është nisur formalisht në këtë rrugë. Me nisjen formale të rrugës duhet nënkuptuar kërkesën formale për anëtarësim, që do të pasonte me marrjen e statusit të kandidatit.
Është shpenzuar shumë kohë, energji, mjete financiare dhe kapacitetet administrative për atë që është quajtur “proces i integrimeve evropiane”. Dhe për një kohë të gjatë, Kosova ka pasur edhe një Ministri të veçantë për këtë proces. Duhet thënë qartë se në këtë qeveri gjithmonë ka pasur dhe ka ekspertë të shkëlqyer për punën e tyre. Por përparimi në këtë rrugëtim më së paku varet nga ata ekspertë. Kosova varet më shumë nga ministritë e tjera, nga prokuroria e gjykatat, nga Policia, Ministria e Energjetikes, Bujqësisë, Mjedisit, Industrisë e Financave, Edukimit dhe Shëndetësisë. Sepse në këto fusha Kosova është shumë, shumë larg BE-së, ndërkohë që ekspertët për integrime evropiane janë në nivel të kolegëve të tyre në BE dhe shtetet e rajonit. Duke pasur parasysh kohëzgjatjen, është rritur dukshëm edhe numri i ekspertëve të cilët ndihen të frustruar, sepse duken sikur peshkatarët që duhet të zënë peshk në tokën e tharë.
Por nuk ka qenë asnjëherë problem për qeveritë e Kosovës të kenë ministri të veçante për çfarëdo, jo vetëm për Integrime Evropiane. Sepse ministritë janë krijuar për të rehatuar të afërm dhe anëtarë të partisë apo për të larë borxhe ndaj partnerëve të shumtë të koalicionit. Numri i madh i qeverive jo që nuk e ka ndihmuar, por e ka penguar edhe më shumë komunikimin e Qeverisë së Kosovës me BE-në. Sepse nuk dihej se kush flet për çka, dhe shpesh nga e njëjta qeveri, varësisht nga ministrat dhe përkatësia e tyre partiake, vinin mesazhe të ndryshme dhe nuk kuptohej se cili ishte qëndrimi i Kosovës.
Brukseli dhe disa shtete anëtare janë duke ia lehtësuar punën Qeverisë së ardhshme, me gjasë koalicionit VV-LDK, në zvogëlimin e numrit të ministrive. Njëra, për të cilën nuk ka dilemë se duhet të shuhet, është Ministria e Integrimeve Evropiane. BE-ja është duke e ngadalësuar edhe më shumë procesin e ngadalshëm edhe ashtu, në të cilin Kosova nuk bën pjesë e nuk dihet se kur mund t’ia nisë kësaj rruge. Prandaj, të kesh tani Ministri për diçka që mund të vijë pas 10 apo 20 vjetësh, është një luks që Kosova nuk mund ta ketë. Nuk duhet hequr dorë nga procesi i përafrimit me BE-në, por detyrën e koordinimit të ministrive mund ta marrë një zyrë pranë kryeministrit.
Në këtë mënyrë, Qeveria e re e Kosovës do të dërgonte sinjal se i kupton qartë realitetin dhe pozicionin e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane. Se nuk heq dorë nga qëllimi, synimi dhe përkushtimi që të bëhet një ditë anëtare e BE-së dhe të afrohet sa më shumë që të jetë e mundur me standardet evropiane, sepse shembull më të mirë nuk ka. Porse e kupton se kjo është një perspektivë e largët, për të cilën Kosova do të punojë, por jo ta kuptojë si obsesion.
Në anën tjetër, do t’u dërgojë porosi qytetarëve se po i qaset seriozisht detyrës për zvogëlimin e numrit të ministrive.
-
Nga: Augustin Palokaj
-
16 tetor 2019 10:13
-
Shpërndaje në: