OpEd

Erdhi dita për të besuar!

Pas zgjedhjeve të së dielës në Kosovë po fryn një fllad i lirisë.

1.

Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë fituar zgjedhjet. Shumica shqiptare ka marrë mandat për të qeverisur shtetin. Shumica shqiptare i ka dhënë mandat VV-së dhe LDK-së për të qeverisur. Sovrani, të dielën, vendosi për një fitore të përbashkët. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani duhet të tregojnë përgjegjësi historike në menaxhimin e fitores. Pozat triumfaliste dhe përjashtuese ndaj njëri-tjetrit nuk duhet të kenë vend. Ai që del i dyti, të rreshtohet pas të parit. Sepse, asnjëri pa tjetrin nuk mund të krijoni qeveri të shpresave.

Një ndër vendimet e para që duhet të marrë qeveria e re duhet të jetë ky: ndryshimi i Ligjit zgjedhor, i cili do t’i mundësonte diasporës të votojë në përfaqësitë diplomatike. Nuk mund dhe nuk guxon një shtet dhe një shoqëri praktikisht t’i përjashtojë nga procesi demokratik mbi gjysmë milioni shtetas, të cilët në Kosovë kanë shtëpi e katandi, kanë historitë e tyre personale, familjare e kombëtare, kanë farefisin dhe varret e të parëve, vijnë për festa e për raste pikëllimi, blejnë prona e dërgojnë miliarda, e kur vjen puna pisk e rrokin edhe armën për atdhe. Diaspora nuk është as nacionaliste, siç mund të llomotisin analistët e kafehaneve të pista të Prishtinës, as e prapambetur, siç thonë argatët e nëntokës kriminale që bukën e tyre të përditshme nuk mund ta sigurojnë vetë, andaj u gjunjëzohen kriminelëve të politikës. Diaspora është progresive dhe nuk mund të shantazhohet nga partitë klienteliste.

2.

Ueli Leuenberger, politikan zviceran, kryetar disavjeçar i Partisë së Gjelbër të Zvicrës, mbështetës i madh i lirisë së Kosovës në kohëra të rënda, ka këtë mesazh: “Le të mësojë Kosova nga urtia e Anton Çettës. Ju dëshiroj prijësve të rinj të Kosovës çdo të mirë, fuqi dhe urti”. Nuk ka mesazh më të mirë. Tash duhet urti për të ndërtuar një qeveri të re.

3.

Të dielën në Kosovë ka humbur edhe Edi Rama. Ai që në Nish u entuziazmua me idenë e Aleksandër Vuçiqit për ndarjen e Kosovës. Ai që erdhi në Kuvendin e Kosovës dhe foli e foli e nuk e përmendi emrin e Ibrahim Rugovës, prijësit të pavarësisë së Kosovës. Dhe çka ndodhi? Gjysma e Kuvendit ia bojkotoi fjalimin. Ai që kundërshtarët e copëtimit të Kosovës i quajti “gomarë”. Ai që protestat studentore nga Shkodra në Sarandë kundër oligarkisë së tij i quajti konspiracion kosovarësh dhe e ofendoi rëndë Albin Kurtin. Ai që Kosovën e njeh nga njerëzit që i takon në kafehane dhe që i merr me vete për t’i përdorur e keqpërdorur. Ai që e humbi një shans të madh të jetë ai Edi Rama i fillimviteve ‘90.

4.

Të korruptuar, të kriminalizuar dhe konspirativë: populli i çoi komandantët e UÇK-së në opozitë. Ata lirinë e kanë parë si hotel me pesë yje që mund ta shfrytëzojnë pa paguar dhe dhënë llogari. Ata lirinë e kanë parë si shans për të plaçkitur vendin, për të vrarë rivalë politikë, për të shpifur me zagarët e tyre të nëntokës publicistike. Me ta liria u degradua në intrigë neveritëse. Tash, në opozitë, mund të mësojnë: nuk pështyhet populli që e ka vrarë Serbia për 100 vjet! Se ky popull ka fuqi!

5.

Për qeverinë e deritanishme. Sa ishin? 90 a 80 a 83 zëvendësministra? Sa ishin? 21 a 22 a 23 ministra? Kush ia pagoi pushimet në St. Moritz? Pse iu paguan miliona ekstra një kompanie për autostradën drejt Shkupit? Dhe pa fund e pa fund marrëzi, mosrespektim të qytetarëve, lojëra për argëtim bajat, bankete në New York pa pjesëmarrës, takime në jahte. Qeveri me spiunë të Serbisë. Qeveri me shërbëtorë të Serbisë. Qeveri sa për të qenë kryeministër për të kënaqur egot rajonale kosovare.

6.

Tash fillojnë vështirësitë e vërteta. Qeverisja me duar të pastra. Qeverisja pa ndikim hajdutësh. Qeveri që nuk ia fal borxhet oligarkëve. Qeverisje që zbulon vrasës. Qeverisje që ia hap udhën Kosovës drejt integrimeve evropiane. Ashtu siç e deshi Fehmi Agani, Enver Maloku, Xhemail Mustafa. Dhe shumë e shumë të tjerë. Sepse, liria nuk është veç një festë në shesh. Këtë duhet ta ketë parasysh kryeministri. Apo kryeministrja e ardhshme e Kosovës.