OpEd

Kush do të mbetet të na japë shembull

Kriza e vlerave në botën demokratike, me presidentin amerikan që lufton kundër institucioneve të shtetit dhe medieve të lira, me kryeministrin britanik që shkel ligjet dhe krijon kaos politik, me BE-në ku si komisarë caktohen persona të dyshuar për konflikt interesi dhe lidhje me Rusinë, po zvogëlohet numri i atyre që mund të bazohen në vlerat demokratike dhe t’i promovojnë ato. Gjithnjë e më pak ka të tillë që mund të japin shembull të mirë në këtë kohë kur demokracia perëndimore është duke u luhatur.

Sa herë që parashtrohej pyetja se çka është ajo më e vlefshmja që Kosova mund ta marrë nga Bashkimi Evropian? Përgjigjja imponohej vetvetiu: shembulli. Pavarësisht të gjitha mangësive që ka, BE-ja ishte shembulli më i mirë i demokracisë, i vlerave, si sundimi i ligjit, liria e shprehjes, respektimi i dallimeve, diversiteti dhe solidariteti. Nuk ka në botë, e as që ka pasur në këtë gjysmëshekull, shembull më të mirë sesa BE-ja për të ndërtuar një shoqëri me vlera. Prandaj, edhe pse Kosova ka përfituar aq shumë materialisht nga BE-ja, ndoshta edhe më së shumti në botë për kokë banori, vlerat me të cilat mburrej Bashkimi Evropian dhe ndihma që ato t’i arrijë edhe Kosova, janë shumë më të vlefshme sesa çfarëdo ndihme materiale.

Por derisa Kosova dhe vendet e rajonit tepër ngadalë u afroheshin vlerave evropiane, ato vlera filluan të rrezikoheshin edhe vetë brenda BE-së. Nëse i analizojmë një nga një, shohim se pothuajse secila vlerë e shenjtë shkelet në ndonjë nga vendet anëtare të BE-së.

Sundimi i ligjit është rrezikuar në vendet si Hungaria, Polonia e besa së fundi edhe Mbretëria e Bashkuar. Solidariteti është shembur si parim që nga kriza e refugjatëve në vitin 2015. Gatishmëria për të respektuar kulturat e tjera është zvogëluar aq shumë saqë në BE mendojnë që komisarit, i cili do të merrej me çështje të migrimit, t’i caktohet resori me emërtimin “Mbrojtja e mënyrës sonë evropiane të jetës!”, që, me apo pa dashje, çon mesazh se të ardhurit po e rrezikojnë mënyrën evropiane të jetës dhe atë duhet mbrojtur me një komisar të veçantë. Në këtë mënyrë, në BE në vend që ta luftojnë ekstremizmin ndaj të huajve dhe populizmin po e përfillin diskursin e së djathtës ekstreme.

Lufta kundër korrupsionit nuk po shkon si duhet as në vende të BE-së. Rumania dhe Bullgaria kanë ende në fuqi mekanizmat mbikëqyrës të BE-së në këtë fushë. Së fundi edhe disa komisarë të propozuar që të jenë pjesë e Komisionit të ardhshëm Evropian janë të dyshuar për konflikt interesi.

Në Austri, ku të dielën u zhvilluan zgjedhjet, në pushtet është futur e djathta ekstreme, dhe atë nga Partia e cila është pjesë e familjes evropiane EPP, e cila kinse lufton kundër populizmit.

Kundër procesit të zgjerimit janë kryesisht shtetet ku në pushtet janë partitë liberale. Në Francë, Holandë, Belgjikë e Luksemburg. Këto shtete, për çudi, janë edhe në krye të atyre që nuk duan të ketë ende liberalizim të vizave për kosovarët.

Dhe është tepër mirë nëse BE-ja krahasohet me atë që ndodh përtej Atlantikut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përtej kanalit në Britaninë e Madhe.

Në Shtëpinë e Bardhë është një president i cili dyshohet se i ka fituar zgjedhjet me ndihmën e Rusisë. Ai u ka shpallur luftë të gjitha institucioneve që ishin bartëse të demokracisë amerikane dhe sistemit të kontrollit dhe balancës. Presidenti Trump sulmon shërbimet e veta të zbulimit, mediet, gjykatësit, Kongresin e Senatin, kundërshtarët politikë i shpall tradhtarë dhe kërkon ndihma nga jashtë për të nxjerrë ndyrësira për ta. Ndërkohë vlerëson diktatorët të cilët i quan miq.

Në Britani të Madhe është bërë kryeministër një person të cilin disa që e njohin personalisht e konsiderojnë si sharlatan, si ish-gazetar i cili ka shtrembëruar edhe faktet dhe ka cituar gabimisht të tjerët, për çka edhe ishte larguar nga puna në një gazetë serioze. Ai tash është dëshmuar se e ka shkelur ligjin e vendit, duke kërkuar nga Mbretëresha që ta suspendojë përkohësisht Parlamentin, në mënyrë që t’i ketë duart e lira për të siguruar një Brexit pa marrëveshje. Nuk është për t’u habitur se kryeministri britanikë Boris Johnson adhurohet dhe mbështetet nga presidenti amerikan Donald Trump. Të përbashkët e kanë qëndrimin tepër negativ ndaj Bashkimit Evropian.

Kur bota demokratike perëndimore përballet me këto sfida në mbrojtjen e atyre që konsideroheshin si vlera të shenjta, atëherë roli i liderëve autoritarë në botë rritet. Sepse atyre u jepet argumenti se edhe bota perëndimore është hipokrite dhe nuk e kanë sinqerisht kur flasin për vlera dhe kërkojnë që ato të zbatohen nëpër botë.

Kriza e vlerave në botën demokratike, me presidentin amerikan që lufton kundër institucioneve të shtetit dhe medieve të lira, me kryeministrin britanik që shkel ligjet dhe krijon kaos politik, me BE-në ku si komisarë caktohen persona të dyshuar për konflikt interesi dhe lidhje me Rusinë, po zvogëlohet numri i atyre që mund të bazohen në vlerat demokratike dhe t’i promovojnë ato. Gjithnjë e më pak ka të tillë që mund të japin shembull të mirë në këtë kohë kur demokracia perëndimore është duke u luhatur.

Por këto sfida të demokracisë kanë edhe anën tjetër të së vërtetës. Edhe Trumpi në SHBA, edhe Johnson në Britani, edhe komisarët e propozuar në BE, që dyshohen për konflikt interesi, përballen me reagim nga ana e sistemit. Parlamenti dhe gjykatat në Britani kanë shfuqizuar vendimet joligjore të kryeministrit. Në Kongresin amerikan iniciohet procedura kundër presidentit, ndërsa edhe Agjencitë shtetërore bëjnë hetime. Në BE, Parlamenti stopon konfirmimin e komisarëve të dyshuar. Pra, me gjithë kaosin që kërkohet, dëshmohet se sistemi punon dhe se ndarja e pushteteve respektohet. Dëshmohet se, pavarësisht përpjekjeve të politikanëve të papërgjegjshëm, ende ruhen integritetit dhe pavarësia e disa institucioneve të shtetit. Kjo, megjithatë, jep një arsye për optimizëm dhe na kthen në detyrën që të mos shikojmë për shembuj të tjerë më të mirë sesa në botën e lirë perëndimore.