Programi i ëndrrave

Flaka Surroi Flaka Surroi 17 September 2019 08:09

Jam shumë e vetëdijshme se problemet janë aq serioze që nuk mund të zgjidhen brenda natës, dhe se absolutisht të gjitha kanë implikime të mëdha buxhetore. Për pasojë e bartin rrezikun e shpërthimeve sociale që mund të ndodhin po qe se partitë që i kanë krijuar gjithë këta përfitues skemash nuk e marrin pushtetin.

Siç pritej intensiteti i debateve, ende pa nisur fushata zyrtare, vetëm sa shkuan e u intensifikuan. Dhe pavarësisht këmbimeve të zjarrta, dhe jo rrallëherë ofenduese, nuk ishin këto që e shënuan javën. Ngase pavarësisht zhurmës që e shkaktojnë kandidatët për legjislaturën e radhës, jeta në Kosovë vazhdon me gjithë komplikimet e veta që e dimë shumë mirë se nuk do të zhduken as me një palë zgjedhje, e as mbase me ndryshimin e bartësve të pushtetit.

Një grumbull shkrimesh që u publikuan në gazetë gjatë javës tregojnë në formë shumë të dhimbshme se sa keq i kemi punët dhe se deri ku na kanë sjellë pushtetet e papërgjegjshme: në zgrip të varfërisë dhe buzë shkatërrimit të natyrës dhe shëndetit.

Pos teksteve që përshkruan zhvatjen e buxhetit në ministritë e Inovacionit e të Bujqësisë; për zhdukjen e shumave jo të vogla parash në veri, në emër të projekteve të integrimit; të ndotjes masive që shkaktojnë “Trepça”, “Ferronikeli”, Obiliqi dhe kush të mundet, duke derdhur ujëra të zeza e teknologjike nëpër lumenj, u fol edhe për përdorimin e shërbimit diplomatik për nevojat e fushatës zgjedhore, ani që kjo është e ndaluar me aktet nënligjore të MPJ-së. E megjithatë, sa gjëra janë të ndaluara te ne me ligj e që kush nuk ua vë veshin, pse do të duhej ky akt të ishte përjashtim...

E në mesin e këtyre shëmtirave u dalluan edhe dy lajme: i pari, për një aktakuzë të ngritur kundër burrit që dyshohet ta ketë vrarë bashkëshorten e vet. Nëse mbeten gjërat siç janë, ky person do të akuzohet për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore në vend se për vrasje. I dyti, kishte të bënte me vdekjen e një punëtori 55 vjeç që vdiq si pasojë e rënies nga objekti në ndërtim i të ashtuquajturës 40-katëshe.

Që të dyja rastet tragjike dëshmojnë për mungesën e mbrojtjes që do të duhej t’ua ofronte shteti qytetarëve të vet – nga njëra anë, bëhet fjalë për një sistem tashmë tepër të komprometuar gjyqësor, e, nga tjetra, për mungesën e zbatimit të ligjit të punës, që është dokument i mirë që synon mbrojtjen në punë e që parasheh edhe sanksione për punëdhënësit, porse që ka prapa një inspektorat pune me numër shumë të kufizuar sish, që edhe po të ishin supermena, nuk do të mundë t’i mbikëqyrnin të gjithë punëdhënësit në Kosovë.

Fushatë agresive

Atë që kemi mundur ta përcillnim në ditët e shkuara është një fushatë agresive të ballafaqimit të njerëzve dhe tekeve e inateve personale në vend të ballafaqimit të programeve qeverisëse të partive që e synojnë pushtetin.

Pos diçka që kemi mundur të dëgjonim nga Kurti dhe Osmani për programet e tyre (për të cilat thonë se janë ekstensive dhe nuk mund t’i paraqesin të tërat), e dëgjuam edhe një listë detyrash për luftimin e korrupsionit nga Veseli; një gjysmë kërkimfalje nga Haradinaj për shumë zëvendësministrat e herës së shkuar dhe mospremtimin se po qe se fiton do ta zvogëlojë qeverinë, për shkak se “aty ka tashmë strukturë dhe njerëz të punësuar”; dhe një thirrje për unitet, për bisedimet me Serbinë nga Limaj. Të tjerat ishin qitja në sipërfaqe e turli epiteti – nga ato të vjetrat “udbash” e “tradhtar” deri te të rejat “legen” dhe ndoshta edhe “sahan”, se mbase më ka ikur ndonjë.

Pikërisht ky lloj debati tregon se votuesi në Kosovë, për fat të keq, krejt çfarë ka dëgjuar nëpër këto fushata zgjedhore kanë qenë akuza, sharje, premtime e përralla, e kurrë programe qeverisëse me pika konkrete që mund të realizohen. Dhe atë që e ka përjetuar përherë është se ata që kanë qenë në pushtet në kohë të zgjedhjeve i kanë përdorur krejt asetet shtetërore në dispozicion për të bërë fushatë.

Ajo që përfundimisht do të duhej të ndërronte kësaj radhe është se partitë që synojnë marrjen e pushtetit duhen të dëshmojnë se kanë njerëz të rinj e të aftë që mund ta bëjnë ndryshimin. E këtë nuk do të mund ta bëjnë me postime në FB, por me inkuadrimin e kapaciteteve intelektuale të tyre në paraqitjet publike, që hëpërhë mungojnë.

Për shembull

Dallimin e madh kësaj radhe do ta sillte një program qeverisës që do të barazohej me ëndrrat që jo pak prej nesh do të donim të na realizoheshin. Dhe jo një “program” me njëqind pika (sa telashet i kemi, as një mijë pika nuk do të mund t’i përfshinin) të gjërave për të cilat do të veprohet kështu apo ashtu. Por konkretisht tema dhe afate brenda të cilave mund të realizohen disa nga gjërat kryesore që do të duhej dhënë së paku indicet e para të ndryshimit për të cilin kemi nevojë.

Eh tash, jam shumë e vetëdijshme se problemet janë të tilla që nuk mund të zgjidhen brenda natës, dhe se absolutisht të gjitha kanë implikime të mëdha buxhetore. Për pasojë e bartin rrezikun e shpërthimeve sociale që mund të ndodhin po qe se partitë që i kanë krijuar gjithë këta përfitues skemash nuk e marrin pushtetin.

Kështu do t’i paramendoja dy vjetët e parë të një pushteti të ri, që njëmend e mendon ta rregullojë situatën në Kosovë:

1. Po të niseshim nga intervenimet më të lehta, do të isha tejet e lumtur të kuptoja se sa vetura zyrtare qarkullojnë nëpër Kosovë, dhe sa prej tyre mbahen nga buxheti i Kosovës. Siç do ta thoshte miku im Koci, të gjithë qeveritarëve do t’ua jepja nga një biçikletë dhe do t’i detyroja që në punë të vinin qoftë me to, qoftë në këmbë. Veturat zyrtare do t’i lija nja 10, hajde maksimum 20, dhe ato do të përdoreshin sipas nevojës për të dalë në terren. Tjerat në shitje, në tender, paratë, të cilat do t’i përdorja për të blerë kompjuterë, për nxënësit e shkollave fillore. Në vijim do të kërkoja që deputetët t’i kthenin laptopët, dhe që ata t’u jepeshin në shërbim këtyre të rinjve që do ta merrnin mandatin pas zgjedhjeve;

2. Çështjen e dytë që do ta bëja është që ta rishikoja çështjen e pagave të funksionarëve politikë dhe të deputetëve. Gjithsesi do t’i zvogëloja rrogat deri në kohën kur rroga mesatare në Kosovë do të ishte aq e lartë (ta zëmë 900 euro) sa të arsyetohej ngritja e rrogave “politike”;

3. Reprezentacionin do ta zvogëloja në minimum absolut, dhe ai do të mund të përdorej vetëm me rastin e vizitave të ndërkombëtarëve apo shtrimin e drekave/darkave për korin diplomatik dhe eventualisht për investitorë të jashtëm;

4. Telefonat zyrtarë do të kishin mbushje mujore, dhe kjo në pako “familjare”, për ta quajtur disi. Mes vete do të kënaqeshin të flisnin pa para, kurse bisedat e tjera do t’i kryenin me pak centë për bisedë. Për diçka ekziston interneti, le ta përdorin emailin më shpesh. Fundja, ja ku është “Viberi”, pa para është;

5. Udhëtimet jashtë vendit do t’i kufizoja në minimum, sikurse edhe numrin e përcjellësve të zyrtarëve politikë, se nuk jemi cirk, e as nuk jemi duke shkuar në cirk. Duhet dëshmuar se kemi kapacitet të mjaftueshëm intelektual, saqë nuk kemi nevojë për shtatë këshilltarë, që në vend se të japin këshilla zakonisht dalin me u shëtitë për të marrë mëditje. Ah, edhe do t’ua ndaloja me e marrë me vete fotografin personal;

6. Gjithsesi do ta zvogëloja numrin e ministrive, pra edhe të zëvendësministrave dhe të këshilltarëve politikë. Kur u formua Qeveria e parë e Kosovës më 2002, i kishte më pak se dhjetë ministri, asnjë zëvendësministër dhe shërbim civil të kufizuar. Tash shërbimi publik punëson mbi 100 mijë njerëz, dhe shtrohet pyetja: çfarë bëjnë gjithë këta (hiq mjekët, arsimtarët e disa të tjerë, që do të duhej të trajtoheshin shërbyes publikë e jo civilë). Mbyllja e ministrive zvogëlon shpenzimet e qirasë dhe të rrogave. Ky veprim çon edhe nga hapi i ardhshëm – riorganizimi i ministrive, dhe, për pasojë, zvogëlimin e punëtorëve aty. Përvoja tregon se numër më i kufizuar i shërbyesve civilë, por të paguar mirë, janë më të efektshëm se më shumë të tillë që s’kanë me çka të merren. Dhe në fakt, ky do të ishte vetingu i parë;

7. Vetingu i dytë do të ndërmerrej në polici. Natyrisht se nuk do të ishte proces i lehtë, porse në këtë institucion ka shumë të tillë që nuk pajtohen me krimbin e krimit që e ka përfshirë atë, dhe do të jenë në fakt shtytësit e reformës përbrenda. Natyrisht, reformën do ta bënte dikush që merret vesh në strukturim policor dhe që ka disiplinë. Për shembull, do të mund të na ndihmonin miqtë tanë gjermanë;

8. Disi simultanisht do të bëhej edhe vetingu në gjyqësi e prokurori. Dhe këtu do të mund të na ndihmonin miqtë tanë nordikë, për shembull. Derisa ky proces zhvillohet, do t’i merrja shënimet që i ka EULEX-i për secilin prokuror e gjyqtar se sa kohë i ka mbajtur lëndët në sirtarë dhe do të punoja në ndryshimin e kodeve të procedurave për t’i përshpejtuar ato;

9. Vetingu i radhës do të ishte i arsimtarëve. Dhe ai/ajo që nuk do ta kalonte provimin e gjuhës amtare do të eliminohej me automatizëm, për të mos folur për shkathtësitë e tjera që do të duhej t’i dëshmonin;

10. Te skemat pensionale, të parën që do ta ktheja në pikën zero janë skemat e veteranëve. Do ta ndërprisja skemën menjëherë për të nisur me certifikimin nga fillimi, ashtu që i madh e i vogël të mos na dalë se ka luftuar, sepse s’është e vërtetë që të gjithë kanë luftuar dhe kontribuuar për luftën. Shumë seriozisht e kisha menduar kthimin e skemës së vjetër pensionale, ku mund të llogarisësh se do të marrësh pension nga i cili mund të jetosh, e jo nga pensioni i pleqërisë që është ofendim për ata që kanë punuar nga 40 vjet;

11. Skemën e sigurimit shëndetësor do ta instaloja, por jo me njerëzit që qe një dekadë merren me të, e që nuk e kanë aktivizuar me qëllim. Porse për ta bërë këtë duhet rregulluar qarkullimin e parasë në Kosovë, ashtu që sektori privat të mos ngufatet asisoj që as rrogat të mos mund t’i paguajë me rregull;

12. Te shëndetësia do ta vendosja rregullin që ai që punon në sektorin publik të mos mundet të punojë edhe në atë privat. Kështu do të kishte punë për të gjithë. Te sektori privat do t’i ndaloja ordinancat nëpër bodrume e shupa, dhe do t’i ashpërsoja kriteret për punën e tyre...

* * *

Nuk po m’i zë kjo zgafelle edhe disa nga pjesët e programit qeverisës që do të doja që të realizoheshin nga ata që do ta merrnin pushtetin dhe nuk do të talleshin me këto që i kam numëruar.

Jam shumë e vetëdijshme se është shumë më lehtë të shkruhen sesa të realizohen, porse, nga ana tjetër, jam gjithashtu e vetëdijshme se nuk jam e vetme që mendoj se këto janë gjërat që kërkojnë intervenim të vendosur.

Është mëkat që kërkesa për gjëra kaq normale që do të na sillnin ndryshim të jenë shndërruar në ëndrra, vetëm për shkak se politikanëve tanë u ka munguar vullneti politik për një gjë të tillë. Dhe u ka munguar se aty ku ka rend e disiplinë nuk ka mjegull. E pa mjegull nuk ka se si të avullohen me miliona euro që mezi i mbledhim, e që shumë më tepër na kishin bërë të gjithë neve, sesa xhepave të atyre që i kanë vjedhur me vite.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi