Për shumë njerëz në Ballkanin Perëndimor, secila ditë e 25 vjetëve të fundit ka qenë Ditë e të Zhdukurve. Secilën ditë, me mijëra familje në rajon mendojnë për më të dashurit e tyre, të cilët ende mungojnë si rezultat i konflikteve në vitet e nëntëdhjeta. Do të doja t’u tregoja atyre familjeve dhe komuniteteve që Mbretëria e Bashkuar është zotuar fuqishëm që të ndihmojë në gjetjen e 12.000 personave të pagjetur në rajon – dhe ky zotim do të vazhdojë
Sot shënohet për herë të tetë me radhë “Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukura me Dhunë”. Është një ditë për të reflektuar për ata që ende mungojnë për shkak të konfliktit – dhe për të rikonfirmuar vendosmërinë tonë për t’i gjetur ata.
Për shumë njerëz në Ballkanin Perëndimor, secila ditë e 25 vjetëve të fundit ka qenë Ditë e të Zhdukurve. Secilën ditë, me mijëra familje në rajon mendojnë për më të dashurit e tyre, të cilët ende mungojnë si rezultat i konflikteve në vitet e nëntëdhjeta.
Si do të ndiheshim ne nëse më të dashurit tonë do të mungonin dhe do të ishin ende të pagjetur?
Do të doja t’u tregoja atyre familjeve dhe komuniteteve që Mbretëria e Bashkuar është zotuar fuqishëm që të ndihmojë në gjetjen e 12.000 personave të pagjetur në rajon – dhe ky zotim do të vazhdojë.
Deri më tash, është bërë një punë e jashtëzakonshme në këtë drejtim. Deri sot, ekspertët kanë gjetur më shumë se 70 për qind të rreth 40.000 personave të raportuar të pagjetur në fund të luftimeve. Identifikime të reja po bëhen çdo javë. Teknologjia më e re dhe e avancuar e ADN-së po e bën procesin më të saktë.
Në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër, të mbajtur në korrik 2018, Mbretëria e Bashkuar e ka vendosur si prioritetin kryesor të Samitit intensifikimin e përpjekjeve për të lokalizuar dhe identifikuar sa më shumë raste të pazgjidhura të personave të pagjetur.
Diplomatët tanë kanë punuar pandërprerë, dhe me ndjeshmëri, për të shkruar një Deklaratë të Përbashkët për Personat e Pagjetur, të cilën udhëheqësit e të gjitha shteteve pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit e kanë pasur mundësinë për ta nënshkruar dhe mbështetur – gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, plus tetë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që kanë marrë pjesë në samit (Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Sllovenia, Mbretëria e Bashkuar).
Të gjithë udhëheqësit e kanë nënshkruar. Deklarata i obligon udhëheqësit të mbështesin shtetet e rajonit, komunitetet lokale dhe organizatat ndërkombëtare në punën e tyre për të gjetur personat e pagjetur. Ata janë zotuar që do të forcojnë bashkëpunimin mes tyre dhe do të zbatojnë punën në terren.
Kjo është përkthyer në veprime.
Nëntorin e kaluar, Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur (KNPP), dhe përfaqësuesit të cilët punojnë për gjetjen e personave të pagjetur në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi kanë nënshkruar një Plan Kornizë. Kjo përcakton se si këto shtete do të mbështesin njëra-tjetrën për të zbatuar zotimet për të gjetur personat e pagjetur. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të financojë KNPP-në në punën e tyre të përkushtuar, duke përfshirë të dhënat qenësore dhe ndarjen e informatave. Ne jemi krenarë që po bëjmë këtë.
Sot është një ditë e rëndësishme t’ia kujtojmë vetes për nevojën që kemi t’i mbajmë udhëheqësit tanë në zotimet e tyre, të tejkalojmë pengesat dhe ta rrisim vrullin. Ne nuk duhet të largojmë sytë nga qëllimi: të gjejmë të gjithë ata që janë pagjetur, të sigurojmë drejtësi për viktimat, paqe dhe përmbyllje të dhimbjes për familjet e tyre, dhe pajtim në rajon.
Kjo është një çështje e përzemërt jo vetëm për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, por edhe Lartmadhërisë së Tij, Princit të Uellsit. Lartmadhëria e Tij vazhdon të shfaqë interesim personal për fatin e të pagjeturve dhe punën e kujdesshme për identifikimin e tyre. Ai ka takuar shumë anëtarë të këtyre familjeve, të cilët janë prekur nga dhembshuria e tij. Ashtu siç ka thënë në pritjen e organizuar në St James’ Palace, e cila mbylli Samitin e Londrës, ku morën pjesë një numër i familjeve:
“Dinjiteti dhe humaniteti i tyre është një mësim për të gjithë ne, dhe një përkujtim që pajtimi nuk është vetëm një koncept teorik abstrakt. Është gjithsesi, një çështje veprimi praktik dhe e vështirë; e zgjedhjeve të dhimbshme; dhe të vështira, por kompromis qenësor”.
(Autori është udhëheqës i Departamentit për Ballkanin Perëndimor pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar)
