Një barsoletë me djemtë dhe një përrallë e bukur me vashat

Visar Loci Visar Loci 18 August 2019 08:31

Protagonistë të barsoletës janë meshkujt, ata të klubit Prishtina, por e gjejnë veten edhe ata të Feronikelit, kurse të përrallës së bukur janë vashat - futbollistet e Mitrovicës, që arritën sukses historik, duke e fituar turneun e grupit të dytë eliminator të Ligës së Kampionëve me tri fitore ndaj kampionëve nga Rumania, Bullgaria dhe Mali i Zi

Prezantimi i klubeve kosovare në garat evropiane të futbollit, këtë verë, për efekt dha një barsoletë dhe një përrallë.

Protagonistë të barsoletës janë meshkujt, ata të klubit Prishtina, por e gjejnë veten edhe ata të Feronikelit, kurse të përrallës së bukur janë vashat - futbollistet e Mitrovicës që arritën sukses historik, duke e fituar turneun e grupit të dytë eliminator të Ligës së Kampionëve me tri fitore ndaj kampionëve nga Rumania, Bullgaria dhe Mali i Zi.

Barsoleta rrumbullakon shumëçka bënë klubet e meshkujve në Evropë këtë sezon, si mosprofesionalizimin, organizimin e dobët, nënçmimin dhe në fund vetë dështimin.

Atë, nëse mund të quhet barsoletë, e ndau me ndjekësit e tij në Facebook, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. I indinjuar me eliminimin e skuadrës së qytetit nga një grup amatorësh nga Gjibraltari, që vetë trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, e kishte quajtur "fundi i botës", Ahmeti rrëfeu momente nga takimi i legjendës Lothar Matthaus me krerët e klubit Prishtina në një ditë qershori. Për fat të mirë të opinionit, ai ishte prezent në atë takim dhe ky muhabet perlë nuk mbeti brenda mureve të asaj zyre.

Sipas tij, krerët e Prishtinës po e njoftonin Matthausin se si në xhiron e parë të Ligës së Evropës do të ballafaqoheshin me gjigantin skocez, Glasgow Rangers. Për një moment, Mathausi i kishte ndërprerë me pyetjen "pse e keni kaluar raundin parakualifikues", për çka kishte marrë përgjigjen se kjo çështje as që diskutohet, meqë përballë është ekipi me status amator, St Joseph's nga Gjibraltari.

Në fakt, ky është vetëm thelbi i barsoletës, një që ilustron më së miri logjikën e të menduarit dhe të punuarit në Kosovë. Ajo mund të zgjerohet në gjithë rrugëtimin e klubit Prishtina në garat evropiane, që këtë stinor ishte i shkurtër.

Prishtina në ndeshjen e parë në "Fadil Vokrri" barazoi 1:1, e në të dytën në Gjibraltar, u mposht 2:0. Klubi St Joseph's, që mbledh një grup lojtarësh që futbollin e kanë punë të dytë, më pas u tall me kreun e klubit Prishtina. Tha se ai me deklaratat e tij vetëm sa e kishte motivuar ekipin.

Mediat lokale mbetën në të njëjtë linjë të talljes, folën për paraqitjen e zyrtarëve të ndeshjes, për gardërobën e tyre e pak për lojën e Prishtinës, që historia e para 30 vjetëve e bën klubin më të madh në Kosovë.

Për Prishtinën kjo ishte hera e tretë që mori pjesë në Ligën e Evropës dhe hera e parë që nuk luajti në raundin e parë kualifikues, aty ku e "priste" Glasgow Rangersin e famshëm.

Prishtina kësaj here nuk pati se si të arsyetohet në mospërvojë ndërkombëtare, por u arsyetua me mungesë fati dhe me "referim të padrejtë". Referimi mund të ketë ndikim, por vetëm atëherë kur skuadrat janë pak a shumë të barabarta. Për shembull, vjet kur Prishtina mposhti Europan e Gjibraltarit 5:0 në ndeshjen e kthimit, referimi nuk ka si të luajë rol, qoftë edhe i padrejtë në raste.

E Feronikeli, meqë e kishte herën e parë në Evropë, e shfrytëzoi kartën e mospërvojës.

Kampioni i Kosovës kaloi me shumë vështirësi raundin parakualifikues që u luajt në Prishtinë me kampionë të Gjibraltarit, San Marinos dhe Andorrës. Arriti dy fitore të ngushta 1:0 e 2:1, pavarësisht favoreve që i ofronte fusha, tifozët dhe mosudhëtimi i gjatë.

Pastaj, në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve pati fat në short duke nxjerrë skuadrën realisht më të dobët, The New Saints nga Uellsi.

Te kjo skuadër që luan në tokën e Anglisë e gara bën në Uells, gjithçka ishte modeste, duke filluar edhe nga stadiumi me vetëm një tribunë me pak shkallë dhe me WC mobile. Makinat e parkuara pas portës të çonin mallin e stadiumit të Ramiz Sadikut apo ndonjë tjetër në Kosovë.

Por klubi dinte çfarë donte. Donte të eliminonte Feronikelin, të vazhdonte në xhiron e dytë të "Championsit". Në këtë fazë e dinte se do të mposhtej, por si kampion i vendit i jepej mundësia të vazhdonte në xhiron e tretë të Ligës së Evropës, një garë më e ulët.

Secili raund sjell para dhe kryetari i klubit Mike Harris, në një intervistë për mediat, ka thënë se e gjithë politika vjetore bëhet mbi të ardhurat që sjellin garat ndërkombëtare, përkatësisht xhirot e para, aq sa është kaçiku i kësaj skuadre. Harris ka shkuar edhe më tej për të rënduar më shumë eliminimin e Feronikelit: "Ne folëm me kryetarin e Feronikelit dhe ai na tha se klubi i tij ka buxhet 1.6 milionë euro, që është trefish më i madh se yni".

Feronikeli pas barazimit 2:2 në udhëtim me TNS-në, ndoqi shembullin e Prishtinës dhe nënçmoi rivalin, duke e llogaritur si punë të kryer kualifikimin tutje. Nevoja për një storie suksesi e kërkuar edhe nga tifozët, rëndoi shumë mbi supet e lojtarëve.

Feronikeli i mbështetur nga rreth 10 mijë veta në "Fadil Vokrri" u gjunjëzua 0:1. Pati fillim të furishëm me disa raste, por më pas gjithçka foli në favor të uellsianëve që dinin çfarë po kërkonin, por ç'është më kryesorja, e dinin edhe mënyrën se si të arrinin synimin. Prisnin një gabim të Feronikelit për të shënuar. Dhe në fakt, ashtu ndodhi, megjithëse gabime pati shumë më shumë.

Një lloj "hop" pa bërë hapin, Feronikeli bëri edhe kur vazhdoi me gara në Ligën e Evropës pas eliminimit në Ligën e Kampionëve.

Një gol i shënuar në humbjen 2:1 në Bratislavë, në një ndeshje tërësisht të dominuar nga Slovani, bëri që lojtarë e trajnerë të mendonin e, edhe të premtonin kualifikimin. Deklarata si këto "kundërshtar i kalueshëm", "na duhet veç një fitore 1:0" e të tjera nuk ndihmuan. Ekipi u mposht pastër në Prishtinë, 2:0 për të mos i lënë me merak kampionët e Kosovës.

Ndryshe nga Prishtina, Feronikeli ende nuk e kishte të djegur kartën "e mospërvojës ndërkombëtare". Atë e përdorën në të dyja rastet, megjithëse në skuadër përfshirë edhe ish-trajnerin tashmë, pati të tillë me përvojë në këso gara. Pati edhe arsyetime koti, që vetëm sa konfirmojnë organizimin e dobët, si "nuk kemi pasur miqësore gjatë përgatitjeve".

E gjatë gjithë kësaj kohe, një klub tjetër në Kosovë po përgatitej në heshtje. I turpëruar me rezultatet e sezonit të kaluar, kampionia e Kosovës në konkurrencë të femrave, Mitrovica, nuk e kishte hallin te paraqitja mediale e as te shpalosja e ambicieve. Para nisjes për në Mal të Zi, ku u zhvillua turneu kualifikues i Grupit të dytë të Ligës së Kampionëve, trajneri dhe futbollistet e Mirovicës thanë se synim kanë të mos humbin sikurse vjet.

Mundësisht të humbin me rezultat të ngushtë dhe eventualisht të marrin ndonjë barazim. Kjo qasje "për toke" gjë që nuk ndodhi me klubet e meshkujve, dhe mësimi i marrë drejt nga viti i kaluar, bënë që tejkalohen parashikimet, aq sa befasoi edhe vetë anëtarët e klubit.

Mitrovica mposhti me radhë kampionin e Rumanisë Cluj 2:1, më pas edhe atë të Bullgarisë Sofia 2:0 dhe në fund kampionen e Malit të Zi Breznica, 1:0. Shumëkush refuzon të tërheqë paralele mes futbollit të meshkujve dhe atij të femrave, por e vërteta, të paktën sipas statistikave, është se futbolli i meshkujve në Kosovë ka bërë një hap prapa krahasuar me vitin e kaluar, kurse ai i femrave, shumë hapa para.

Mitrovica vjet humbi të tria ndeshjet e turneut kualifikues me rezultatet 6:1, 6:1 e 4:0, kurse sivjet fitoi 2:1, 2:0 dhe 1:0 për të vazhduar përrallën e bukur me fazën nokaut të Ligës së Kampionëve, mes 32 ekipeve më të mira të Evropës.

Edhe kur flitet për cilësi skuadrat e meshkujve nuk mund të gjejnë arsyetime, pasi ato nisin garat në parakualifikime, ku marrin pjesë vetëm edhe skuadrat e Gjibraltarit, Andorrës e San Marinos, kurse në grupet kualifikuese të "Championsit" të femrave, sivjet morën pjesë 38 kampionë dhe dy nënkampionë të shteteve. Dhjetë fituesit e grupeve, në të dytin doli Mitrovica, vazhduan tutje, ku presin 22 skuadra gjigante.

Çka do që ndodh në fazën tjetër, nuk mund të prishet përralla e bukur e Mitrovicës. Kosovës dhe futbollit të saj i duhen këso qasje, këso storie, si të Mitrovicës. Assesi barsoletat.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Visar Loci