Tulla milionëshe e Hashim Thaçit

Veton Surroi Veton Surroi 02 August 2019 08:47

Do të jetë interesant zhvillimi me ndërprerjen e kontratës mes PTK-së dhe “Z-Mobile”. Para disa vjetësh këtë do ta kisha interpretuar si shkëputje e kontratës mes Hashim Thaçit dhe Hashim Thaçit. Tash duket sikur njëra palë nuk dëshiron të tregtojë me tulla

1.

Në ish-Jugosllavi një milion dinarë quheshin “tullë” (ciglla), në dialektin e rrugës së qyteteve të mëdha, në kohën kur djemtë filluan për herë të parë të mbajnë flokët e gjata, vajzat pantallona të gjera e kriminelët të shndërroheshin në rrëfime romantike gazetash dhe instrumente veprimi të Shërbimit të sigurimit shtetëror.

Emri “tullë” doli nga tregtia inovative që bënin kriminelët. Identifikonin ndonjë person që mund të kishte më tepër para e më pak mbrojtje se ç’i duheshin, i dilnin në rrugë apo i cingëronin në derë të shtëpisë dhe i ofronin një tullë –e kuqe, e re, artizanale apo e fabrikës, çfarëdo tulle bënte - me çmim prej një milion dinarësh. Personi që pranonte të paguante një milion dinarë mbetej me një tullë dhe shëndet të mirë, ndërsa personi që nuk pranonte të paguante një milion dinarë fitonte së shpejti arsye shëndetësore – ndonjë dhëmb të thyer, sy të ënjtur apo kategori të ngjashme lëndimesh të lehta - për t’i blerë dy tulla dhe mundësinë e ruajtjes së shëndetit prej të papriturave të reja.

Kriminelët zakonisht mbroheshin prej shefave të tyre nëpër polici. Nga ana tjetër, i mbronte edhe ligji: nuk mund ta quash krim shitblerjen ngase një person shiti tullë dhe tjetri e bleu. Çmimin, qoftë edhe në socializmin jugosllav, e ka caktuar tregu.

2.

Nuk mund të më ikën imazhi i Hashim Thaçit, duke shitur tulla çdoherë që dëgjoj për ndonjë kontratë që e dëmton xhepin e qytetarit të Kosovës. Ka kohë që zhvillohet debat se si t’i bëhet një kompanie të quajtur “Z-Mobile”, e cila kishte nënshkruar një kontratë dhjetëvjeçare me Telekomin e Kosovës, kontratë me të cilën Telekomi i Kosovës ofronte që “Z-Mobile” të merrte tre çerekun e tregut të vet dhe të profitit nga ai në këmbim të një buzëqeshjeje dhe falënderimi të madh. Dikur Telekomi i Kosovës vendosi të mos e respektonte një pjesë të kontratës, që e kishte nënshkruar, dhe “Z-Mobile” buzëqeshjes dhe falënderimit ua shtoi edhe një dënim gjyqësor prej 26 milionë eurosh.

Kontrata ishte nënshkruar para dhjetë vjetësh. Do të duhej të ketë qenë kështu: një përfaqësues i “Z-Mobile” ( i quajtur atëherë Dardafon) , duhet të ketë shkuar në Telekom me kontratën, me të cilën Telekomi fitonte një buzëqeshje të madhe në këmbim për treçerekun e tregut dhe profiteve, dhe kur dikush në Telekom duhet të jetë ankuar (me zë të ulët apo duke u çjerrë me zë e duke sharë në mosbesim me cilësinë e kësaj oferte), në Telekom mund të ketë ardhur porosia: “Blini tullën”!

Në mungesë të “tullës” , nuk po shoh shpjegim që ta arsyetoj vendimin që Telekomi ta bëjë hisedar “Z-Mobile” deri në shkallë që ta shndërrojë veten në argat të kompanisë së re. Dhe në mungesë të shpjegimeve më të hollësishme, e marr si të qenë deklarimin e ish-drejtorit të PTK-së, Shyqyri Haxha, i cili pak a shumë thoshte se merrte urdhra prej Hashim Thaçit, si kryeministër vendi, pra atij që e solli në atë post. Dr. Haxha, si i apasionuar pas filmave (kishte financuar me para të PTK-së një film për Azem Bejtën, në të cilin kaçaku i famshëm i thotë gjyshit të dr.Haxhës diçka si “Hajt shko blej pak duhan në qytet”), mund të kuptojë këtë skenë dialogu filmik, ku dëgjohet zëri i shefit të tij:

-Hajt shko e blije atë tullë!

3.

Dhe do të jetë për skenar simpatik filmi “tulla” e blerë në Shqipëri.

Në zyrën e drejtorit të përgjithshëm do të arrijë një kontratë interesante, me të cilën PTK-ja bëhej bashkinvestitor në operatorin e katërt të telefonisë mobile në Shqipëri. Kontrata ishte e një bashkinvestimi: PTK-ja do t’i jepte paratë, ndërsa partnerët e Shqipërisë vullnetin e tyre të mirë, të madh dhe të pakursyer që ky projekt i madh “Jemi një!” të funksionalizohet. PTK-ja dha paratë, partnerët vullnetin e tyre të madh dhe pas një kohe të funksionimit, operatori u ndal së funksionuari dhe vendosi të shndërrohet në një kanal televiziv kosovar në shërbim të Hashim Thaçit.

Dilema ime më e madhe është se a kërkoi kush që të blihet “tulla”, apo dr.Haxha nënkuptoi se detyra e tij do të ishte ta blinte pa pyetur. Sepse, për dallim prej skemës së Beogradit të të shtatëdhjetave, në Prishtinën e dyzet vjet më pas, edhe blerësi, edhe shitësi kishin adresë të njëjtin njeri/organizatë.

4.

Para ndonjë jave dëshmitë e dhëna para një Komisioni parlamentar tregojnë se dëmet që i janë bërë PTK-së me kontratën e “Z-Mobile” (pa hyrë në dëme të tjera të zhvatjes, punësimit të personelit të SHIK-ut dhe strukturave të tjera të PDK-së, financimit të filmave me “hajt shko blej duhan” dhe të ngjashme) kalonin dyqind milionë euro.

Dëmi është shumë më i madh se ç’është zhbërja e PTK-së deri në falimentim.

Dëmi është instalimi i kulturës së “tullës” deri tek shndërrimi i saj në metaforën e funksionimit të shoqërisë: Kosova ka funksionuar në këta dy dhjetëvjetësh nën shantazh të përhershëm. Në atë marrëdhënie shantazhi, Kosova dhe prania ndërkombëtare në të e kanë blerë “tullën” prej kërcënuesve të saj: do të ketë qetësi vetëm kur ata të jenë në pushtet, do të ketë vend pune vetëm nëse i nënshtrohesh pushtetit të tyre, do të ketë rend dhe ligj vetëm brenda rendit dhe ligjit që e vendosin ata. Kur Kosova e bleu “tullën” ata e kapën shtetin.

5.

Ndaj do të jetë interesant zhvillimi me ndërprerjen e kontratës mes PTK-së dhe “Z-Mobile”. Para disa vjetësh këtë do ta kisha interpretuar si shkëputje e kontratës mes Hashim Thaçit dhe Hashim Thaçit. Tash duket sikur njëra palë nuk dëshiron të tregtojë me tulla. Dhe ndoshta mund të jetë indikator për shoqërinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

habub05/08/2019 14:29

Prokurorija Speciale duhet me ju shku deri ne funde ketyre dy kontratave ..

Niti05/08/2019 12:00

Hashim Thaci eshte vete tulla!

Besim02/08/2019 14:18

Sa interesante ky shkrim sepse te gjith e dim por vetem disa e thon se Z mobile dhe investimi ne Shqiperi jan hajnit e shekullit por aty ku nuk ka Prokurori te fortit vjedhin dhe behen milionera deri sa i mbajn popullit ose i shesin oret e moralit ne kuptim te theksimit se luftojn korrupsionin pa meshir ose termi Zero toleranc ndaj korrupsionit.

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi