N’dorë t’LDK-së, m’falni, t’PDK-së

Brikenda Rexhepi Brikenda Rexhepi 28 July 2019 08:00

Zgjedhjet në LDK, nuk janë veç zgjedhje në LDK. Në situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit, në këto zgjedhje llogarit edhe PDK-ja. Kjo e fundit, duke qenë një organizatë me degë të përhapura gjithandej, nuk është për t’u habitur që do të ketë më shumë gisht në zgjedhjet e brendshme të LDK-së se vetë anëtarët e saj

Krejt kjo javë shkoi me analiza, mendime, parashikime... Natyrisht, në mungesë dispozitash ligjore çdokush mund të interpretojë sipas idesë së vet çka t’ia merr mendja. A është kryeministri ish, i dorëhequr apo në detyrë? A i ka presidenti 10 ditë, një muaj apo sa të ka qejf për të kërkuar mandatarin? A duhet të japë dorëheqje armata e zëvendëskryeministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve, koordinatorëve, nënkoordinatorëve, asistentëve..., meqë personi që ua hapi derën e institucioneve dha dorëheqje për vete? A vlejnë apo jo vendimet që tash e tutje i merr Qeveria e rënë apo në dorëheqje?

Ky kaos i shtohet atij në të cilin Kosova është futur prejse e ka shpallur veten shtet, me theks të veçantë këto vitet e fundit, ku çdo vendim është marrë në mënyrën më të paskrupullt që ka njohur historia e shkurtër e këtij vendi. Dikur kishte përpjekje që zhvatjet e buxhetit të kamufloheshin, për të arritur në pikën ku jemi sot, që as nuk lodhet kush nëse bie në sy që po i vjedh paratë e taksapaguesve. Deri në atë masë, madje që njerëzit i përfitojnë jashtëligjshëm milionat edhe në emër të bërllokut. E bërllok kemi më shumë së gjithçka tjetër në këtë vend.

Ky kaos i shtohet atij të konstelacioneve politike. Të partive që deri më sot kanë bërë kombinime të tilla që jo veç ne si qytetarë nuk kemi pasur imagjinatë t’i parashohim, po edhe ata janë befasuar me vetveten. Vetë nuk e kanë paramenduar se deri në ç’masë janë në gjendje të tjetërsohen e çoroditen për ta lëpirë pushtetin.

Sot sa gëzohemi, edhe frikësohemi. Gëzohemi që zhvatja masive e paturpshme e kësaj qeverie po merr fund. E frikësohemi nga mutacionet e reja që mund t’i pësojë skena politike. Nga kalkulimet e partive që rrezikojnë të krijojnë një monstrum të paparë deri më tash.

Ajo çka kemi provuar prej se jemi shtet janë këto kombinime: PDK-LDK (2008-2010); PDK-AKR (2011-2014); PDK-LDK-Lista Serbe (2014-2017) dhe PDK-AAK-Nisma-AKR-Lista Serbe (2017-2019). Natyrisht, secili koalicion i krijuar e i shkatërruar përbrenda vetes për interesa e kalkulime individësh. Por kjo luftë nuk ekziston veç në nivel koalicionesh. Një e tillë zhvillohet pothuajse edhe brenda vetë secilës parti.

Partia Demokratike e Kosovës përmbylli zgjedhjet e brendshme në qershor. Të grushtuar në terren e të pispillosur në konventë, përmblodhën veten duke zgjedhur një kryetar që nuk mund t’i mbajë vet “dizginat” e partisë.

Nisma për Kosovën pati qenë produkt i çarjes së kësaj partie para disa vjetësh. Bazën në një qytezë të vogël, vet e vogël por me pozitë të mirë kushtëzuese.

Vetëvendosja u çmontua pas zgjedhjeve, për të dalë prej saj një grup njerëzisht të cilëve, pothuajse të gjithëve, zor se do të mundë t’u shkelë më këmba në Kuvend pas këtij mandati. Ata ringjallën Partinë Socialdemokrate, zgjodhën kryetarin, u pozicionuan karshi pushtetit duke luajtur opozitën bashkëpunuese për interes të popullit, por në bazamentin e lojtarëve të vjetër. Aty ku çdo gjë mund të ketë, por lojë fer jo. Ku edhe naivët më të mëdhenj i kuptojnë rregullat.

Edhe Vetëvendosja mbajti zgjedhjet e brendshme për ta rikthyer kryetarin e për ta kuptuar se nuk është lehtë të bëhesh i madh, sepse njerëzit kanë kërkesa. Më shumë se që mund t’ua plotësojë një komunë, apo dy, tri, katër a pesë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk diskutohet. Një mbretëri ku njerëzit marrin sa t’i kushtojë zemra mbretit. Që pa mbret nuk ekziston.

Dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Partia që edhe gjashtë ditë e mban konventën, në të cilën burrat e saj ende nuk kanë vendosur se cili do të kandidojë për bajraktar.

Zgjedhjet në LDK, nuk janë veç zgjedhje në LDK. Në situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit, në këto zgjedhje llogarit edhe PDK-ja. Kjo e fundit duke qenë një organizatë me degë të përhapura gjithandej, nuk është për t’u habitur që do të ketë më shumë gisht në zgjedhjet e brendshme të LDK-së se vetë anëtarët e saj. Çka i duhet PDK-së është një strukturë bashkëpunuese. Dhe përçarja e “pacifistëve” është aq e qartë se kush çfarë orientimi ka, saqë në ditën e konventës do ta kuptojmë edhe rrugën politike që do ta marrë Kosova tani në kohën e kaosit të shumëfishtë.

brikenda@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Brikenda Rexhepi