Ra ky kryeministër dhe u pa injoranca e kuazi-konstitucionalistëve

Durim Berisha Durim Berisha 22 July 2019 18:06

Sa herë që Kosova përballet me procese zgjedhore apo me legjitimim të institucioneve, sikurse kërmillat pas shiut - shpërfaqën kuazinjohësit e problemeve kushtetuese të cilët e bombardojnë opinion me dezinformata. Të tillët kanë prirje që të qartën ta mjegullojnë dhe përmes ngritjes së dilemave të panevojshme - dilema të cilat ata i kanë me vetën e tyre, sepse nuk kanë arritur t’i kuptojnë fenomenet kushtetuese – të uzurpojnë hapësirën e diskutimit publik.

- Mbi sistemin kushtetues të Kosovës

Proceset kushtetuese mund dhe duhet të shpjegohen vetëm në dritën e sistemit kushtetues përkatës. Republika e Kosovës ka përqafuar një sistem kushtetues të gatshëm. Pra nuk ka kaluar nëpër procese juridiko-kushtetuese përmes të cilave do të ndërtonin një sistem unik kushtetues, por e kanë pranuar propozimin e Ahtisaarit (një propozim individual i cili nuk ka kaluar në Këshillin e Sigurimit, pra nuk ka arritur të shndërrohet në një dokument të OKB-së) sipas të cilit janë dizajnuar kornizat e dokumentit kushtetues të Kosovës. Rrjedhimisht Kosova ka përqafuar një sistem kushtetues i cili është ndërtuar gjatë proceseve historiko-kushtetuese nëpër të cilat kanë kaluar shtetet tjera perëndimore.

Kushtetuta aktuale e Kosovës ka përcaktuar Kuvendin si të vetmin institucion i cili legjitimohet përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta. Kuvendi është hallka lidhëse mes sovranit (popullit si tërësi) dhe organeve tjera kushtetuese duke ndërtuar kësisoj atë që njihet në të teorinë kushtetuese si “zingjiri i legjitimitetit kushtetues”. Duke qenë organi kushtetues i vetëm të cilin e legjitimon sovrani, Kuvendi i Kosovës paraqet epiqendrën e sistemit tonë kushtetues dhe procesi zgjedhor mund të lidhet vetëm me mandatin e Kuvendit (zgjedhjet e rregullta të Kuvendit katër vite pas konstituimit të tij) apo dështimin e këtij të fundit për të përmbushur funksionet kushtetuese të tij. Kjo arkitekturë kushtetuese përcakton qartazi, pa asnjë mëdyshje se sistemi kushtetues në Kosovë i përgjigjet sistemit kushtetues parlamentar – jo si thonë kuazinjohësit dhe kuazishkruesit e të drejtës kushtetuese se Kosova ka një sistem miks.

- Çka pas dorëheqjes së Kryeministrit?

Për të parën herë pas shpalljes se pavarësisë së Kosovës u dorëhoq një kryeministër i Kosovës. Ndonëse në mënyra tjera, por ka mbi një dekadë që asnjë qeveri nuk e përfundon mandatin e saj në Kosovë. Për habi dhe pa nevojë, opinioni u pushtua nga një diskutim i panevojshëm dhe banal. U iniciua nga vet partitë politike, anëtarët e të cilave po shpërfaqin për të disatën herë injorancën e tyre. Mjerë populli se kush i përfaqëson në Kuvend! Nuk don ndonjë koment më tepër ky aspekt.

Kërkesa për zgjedhje nga vet ish-kryeministri i cili u dorëhoq në mbledhjen e Qeverisë u pasua nga të gjitha subjektet politike. Absurditetet filluan të hënën më 22.07.2019 kur ish-kryeministri i cili ishte dorëhequr të premten, i dorëzon presidentit të vendit shkresën e dorëheqjes. Si duket ish-kryeministri nuk e ka të qartë se krerët e qeverive nuk kanë shefa!? Ata dorëhiqen duke e njoftuar publikun për këtë akt. Por nuk i dorëzojnë shkresë presidentit.

Partitë politike të njëjtën ditë kërkuan nga presidenti të caktojë datën e zgjedhjeve. Mirëpo deri te zgjedhjet ekziston një procedurë që duhet ndjekur dhe e cila është mjaftë e qartë.

- Dorëheqja e kryeministrit nuk është arsye për t’u shpallur zgjedhjet

Në sistemet parlamentare periudhat zgjedhore përcaktohen me mandatin e legjislativit. Dorëheqja e kryeministrit apo Qeverisë nuk e dërgon vendin në zgjedhje. Këtë parim e ka përqafuar edhe Kushtetuta e Kosovës e cila në nenin 66.1 ka përcaktuar se Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katër vjeçar. Këto konsiderohen zgjedhjet e rregullta të legjislativit të cilat duhet të organizohen jo më 30 ditë para përfundimit të mandatit të Kuvendit.

Kushtetua po ashtu në nenin 66.2 ka përcaktuar se në rastet e shpërndarjes së Kuvendit zgjedhjet duhet të organizohen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij. Neni 82 i Kushtetutës ka përcaktuar tri (3) situata kur kuvendi duhet të shpërbëhet. Në rastin e parë nëse ai dështon të zgjedhë Qeverinë në afat prej 60 ditësh pas mandatimit të kandidatit për kryeministër. Në rastin e dytë nëse Kuvendi voton me 2/3 e të gjithë deputetëve që ai të shpërndahet dhe në rastin e tretë nëse nuk arrijnë që brenda 60 ditësh nga dita e fillimit ta zgjedhë presidentin e vendit. Në paragrafin e dytë të këtij neni i është dhënë mundësia presidentit që të shpërndajë Kuvendin në rast të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, por nuk e përjashton mundësinë e krijimit të një qeverie të re – brenda atij mandati të legjislativit (në Republikën Federale të Gjermanisë ekziston vetëm mocioni konstruktiv i mosbesimit, sipas të cilit qeveria mund të shkarkohet vetëm nëse ekziston qeveria/kryeministri që do ta pason menjëherë të shkarkuarin).

Në situatën në të cilën gjendet Kosova nuk ka asnjë zbrazëti juridike dhe asnjë dilemë për t’u sqaruar. Kemi vetëm nevojë ta lexojmë kushtetutën dhe ta njohim funksionimin e rendit kushtetues në një sistem parlamentar. Në asnjë shoqëri apo shtet nuk ekzistojnë dispozita kushtetuese të cilat deri në detaje përcaktojnë veprimet e organeve kushtetuese në situata të ndryshme. Ajo që ne duhet të dimë tani është roli i secilit organ kushtetues në këtë situatë.

Dorëheqja e kryeministrit konsiderohet dorëheqje e Qeverisë. Pra së bashku me mandatin e tij përfundon edhe mandati i zv. kryeministrave dhe ministrave të Qeverisë. Përgjigjen në pyetjen se kush do të ushtrojë funksionet e kryeministrit dhe ministrave deri në zgjedhjen e Qeverisë së re (nga kjo legjislaturë apo tjera), na ofron e drejta kushtetuese krahasuese. Pas dorëheqjes së një kryeministri (në sistem parlamentar), presidenti i shtetit i kërkon të dorëhequrit që deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij të ushtrojë funksionin. Në rast se për çfarëdo arsye ai nuk mund të ushtrojë këtë funksion, atëherë presidenti i kërkon zv. kryeministrit apo cilitdo nga ministrat e Qeverisë që të veprojë si ushtrues i detyrës. Por ky akt nuk konsiderohet emërim i ushtruesit të detyrës nga ana e presidentit, sepse ai nuk ka këto autorizime kushtetuese, por vetëm kërkesë/lutje e tij ndaj anëtareve të dorëhequr të ekzekutivit që shteti të mos mbetet pa ekzekutiv.

Në pyetjen e dytë se a duhet të shkojë vendi në zgjedhje dhe nëse po cila është ajo procedurë, kushtetuta e Kosovës nuk është e heshtur. Në nenin 95 paragrafi 5 Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar se pas dorëheqjes së kryeministrit, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës mandaton një kandidat të ri, sipas konsultave me shumicën parlamentare. Në rast se Parlamenti dështon të zgjedhë Qeverinë e re, atëherë vjen në shprehje neni 82.1.1 i Kushtetutës së Kosovës (situatë e shpjeguar më lartë). Deputetët e Kuvendit po ashtu e kanë mundësinë që të votojnë shpërndarjen e Kuvendit. Cilado nga këto situata do të shërbente si arsye për të shpallur pastaj zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Përfundimisht nuk ka asnjë dyshim se pa shpërndarjen e Kuvendit, sipas cilësdo nga këto procedura kushtetuese, nuk mund të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Po ashtu nuk ka asnjë dyshim se ato duhet të organizohen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.

- Autori është në përfundim të studimeve të doktoratës në Universitetin Heinrich Heine në Düsseldorf dhe ka shërbyer në të kaluarën si këshilltar juridik në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Qëndrimet janë personale dhe nuk pasqyrojnë qëndrimin e institucionit ku është duke i përfunduar studimet, e as ato të Portalit Koha.net.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment