Thesari i pafund

Flaka Surroi Flaka Surroi 09 July 2019 08:15

Kosovën do ta shpëtojë vetëm populli që e do atdheun e vet më shumë sesa këta që nuk e shohin ndryshe pos si thesar të pafund për t'i mbushur xhepat e tyre dhe të rrathëve të tyre koncentrikë. Mbesim në pritje të shfaqjes së kësaj dashurie.

Evropa i propozoi shefat e vet të ardhshëm politikë, dhe ne "na ra hise" një njeri që e kundërshton pavarësinë e Kosovës e edhe atë të popullit të vet katalonjas. Se si do t'ia lidhin kokën kësaj pune "ekspertët tanë negociatorë" mbetet të shihet. Mbase do të këndellemi e do të kuptojmë se ky që ka negociuar deri tash duhet të ndalet, e këta që refuzojnë ta marrin përgjegjësinë e negociatave duhet të largohen nga pushteti. Çfarëdo të jenë hapat e ardhshëm që na presin, një gjë po dihet sigurt: punët kurrë më keq nuk i kemi pasur.

Shteti më i pasur në botë

Kur i shikon gjërat në Kosovë, shpërdorimin e buxhetit dhe shpenzimet marramendëse që planifikohen dhe ndodhin, me vete nis të mendosh në mos Kosova është vendi më i pasur në botë. Thuajse është një pasuri e pafund, e cila mund të zhvatet dita më ditë pa ndonjë zor të madh, se "mbetet edhe shumëçka për të tjerët që do të vijnë".

Dy nga skandalet më të mëdha zhvatëse janë nisur në kohën kur Fatmir Limaj, zëvendëskryeministri i tanishëm, ka qenë ministër i Postë-Telekomunikacionit (siç është quajtur atëherë). Përderisa për marrëveshjen mes Valës dhe Dardafonit për krijimin e operatorit virtual telefonik, faji lehtë mund t'i vihet në barrë ish-drejtorit të përgjithshëm të PTK-së, Adnan Merovcit, për shkak se e nënshkroi kontratën kornizë, për homologimin e veturave faji mund t'i vishet kryesisht Limajt, për shkak se e ka nënshkruar udhëzimin administrativ në bazë të ligjit që ka lejuar monopolin. Faj, natyrisht pos PDK-së, ka edhe LDK-ja, si pjesë e koalicionit qeveritar (2008) e më pas edhe në kohën kur e ka udhëhequr Qeverinë, e nuk i ka ndryshuar as ligjin e as udhëzimin administrativ. Pra, reagimi i tyre nuk është fort i sinqertë, kur çohen tash e flasin kundër homologimit, mu në çastin kur për këtë reagojnë fillimisht Apostolova e më pas edhe ambasadori amerikan.

Do të kujtojmë se ish-Dardafoni e tash Z-Mobile i merr 78% të të hyrave të realizuara nga përdorimi i infrastrukturës së Valës për ta mbajtur operatorin konkurrent të telefonisë mobile. Nga ana tjetër, homologimi e obligon secilin importues që të verifikojë po qe se vetura përkon me standarde evropiane, pavarësisht që importohen të reja pa kilometrazh të kaluar mu nga Evropa. E po qe se del e vërtetë që kompanisë që ka monopol për homologim i shkojnë edhe 5 euro të parave që paguhen për secilin kontrollim teknik, problemi po del edhe më i madh seç është pasqyruar deri tash.

Në të dy variantet humbës janë qytetarët: në të parin, sepse Vala nuk mund t’i paguajë dividendë shtetit, ngase prodhon humbje e jo fitim. Te e dyta bëhet pagesa kot për një punë që as që ka nevojë të bëhet në të gjitha rastet, dhe këtë e paguajmë ne.

Shpronësimet

Dhe natyrisht, miniera më e madhe që eksploatohet në secilin rast të mundur është transporti rrugor dhe nevoja thuajse patologjike e jona për të pasur autoudha të shtrenjta. Kjo e Gjilanit ka nisur dhe vazhdon me probleme, për shkak të shpronësimeve të pakryera. Tash në plan është ajo e Dukagjinit, e cila do të kushtojë rreth 600 milionë, pa u llogaritur në to edhe shpronësimet.

E kur jemi te shpronësimet, mbase duhet treguar një detaj të vockël që po na ikën i kamufluar me procedura: shteti ka të drejtë të shpronësojë prona private, po qe se për këtë ka interes nacional, dhe me këtë rast ta caktojë edhe çmimin e shpronësimit. Mirëpo në rast se "i shpronësuari" nuk është i kënaqur me kompensimin, ka të drejtë të shkojë në gjykatë e të kërkojë kompensim më të lartë, që duhet të përcaktohet me ekspertizë. E gjasat për të fituar në gjykatë s'janë të vogla. Kështu, shpronësimet në fund dalin shumë më të mëdha seç paraqiten në raportet zyrtare.

Java që kaloi na e zbuloi edhe një skemë të re shpronësimesh dhe planifikimesh të shpenzimeve marramendëse që përgatitet nga zyrtarët qeveritarë: ndërtimi i Prishtinës së Re, projekt nga koha e Isa Mustafës kryetar komune, ku mendohet të bartet e gjithë administrata. Pra, në tokë komunale, shoqërore e private, do të ndërtohet kompleksi për nuk e di sa ministri, që planifikohet të kushtojë rreth 500 milionë euro. Dhe kjo në kushtet kur sistemi jonë arsimor është shtrirë përtokë e ai shëndetësor nuk e siguron dot ende sistemin e sigurimeve shëndetësore universale.

Pra, në kushtet kur një ministër kot i Arsimit krenohet se kalueshmëria prej 65% në provimin e maturës është rezultat i kontrollit më të mirë, në vend se të thotë se është për të vajtuar që pas 12 a 13 vjet shkolle fëmijët e Kosovës në të shumtën janë kryesisht analfabetë funksionalë, prioritetin e vetëm që e kemi është se si të bëjmë pallate që do t'ia kalojnë megainvestimit amerikan në Ambasadën e tyre të jashtëzakonshme.

Diplomaci hajgare

E investim "madhor" për Kosovën është akomodimi i partiakëve në sistemin e degraduar diplomatik, që supozohet se duhet të punojë në favor të mbërritjes së më shumë njohjeve për Kosovën nga shtetet anëtare të OKB-së. Presje një njeri që s'ka lidhje me diplomaci është në krye të MPJ-së së Kosovës, pra thuajse qe dy vjet, Kosovën e kanë pranuar vetëm dy shtete, duke e ngritur numrin në 116, sipas regjistrit të kontestuar të MPJ-së.

Porse kjo nuk e ka ndalur që të shkaktojë skandal pas skandali dhe të bëjë fizkultura e emërime lidhje pa lidhje, duke e shkelur me krejt trupin Ligjin për shërbimin e jashtëm. Sipas një hulumtimi, momentalisht del se prej 27 shefave të misioneve diplomatike, vetëm 3 janë të karrierës, e të gjithë të tjerët janë të emëruar politikë. Pra, në kundërshtim me ligjin që thotë se përpjesëtimi karrierë/politikë duhet të jetë 50/50.

Për të treguar se në këtë ministri as që dihet se "sa po shkon pasuli" është edhe emërimi i freskët i dy shefave të misioneve, një në Riad, ku falsifikatori emërohet ambasador, dhe tjetri në Konsullatën në Zarë, ku njeriu i suspenduar për shkak se nuk ka shkuar në punë avancohet e dërgohet në pushimore, pra vend që ka mundur të mbulohej me një konsull nderi, për hir të arbëreshëve të cilët i kujtojmë vetëm me këngë.

E për ta vulosur kaosin në këtë dikaster shërben vendimi i MPJ-së që t'ua ndalojë hyrjen zyrtarëve serbë në Kosovë. Vendim, të cilin hiç më larg se një ditë më vonë e konteston shefi i Qeverisë në një takim ndërkombëtar, në të cilin merr pjesë edhe ministri i Jashtëm. Skandal i llojit të vet dhe një çakordim absolut i harmonikës qeveritare.

Me rëndësi paratë të harxhohen pa ide dhe me qëllimin e akomodimit të dostave.

Ndërkohë

E ndërkohë, derisa merremi me skandale që zhvatin buxhetin e përbashkët, ndodhin edhe skandalet e tjera ku gjithashtu përfshihet paraja, por kjo tash e xhepave tanë direkt.

Nën organizimin e Ministrisë së Drejtësisë para disa javësh u mbajt provimi për noterë. Në mesin e 200 e më shumë vetave që kishin konkurruar, provimin e kishin kaluar nja 60 veta që kishin lidhje farefisnore me njerëz partiakë dhe të strukturave shtetërore. Në listë identifikoheshin edhe konfliktet e interesit dhe lidhjet familjare, si dhe grupime me ndikim.

Pati fjalë se madje kishin kaluar edhe kandidatë që nuk i kishin plotësuar kushtet formale (p.sh. që t'i kishin katër vjet fakultet e jo tri, sipas sistemit të vjetër) dhe natyrisht se u bë e madhe në çastin kur u shkrua për këtë fenomen dhe kur dolën emrat e këtyre njerëzve në mediumet tona.

Dje reagoi edhe VV-ja, që kërkoi anulimin e procesit, kurse ndaj këtij reagimi reagoi ministri i Drejtësisë që e akuzoi këtë parti se donte ta komprometonte këtë proces, duke mos pranuar se ky tashmë ishte komprometuar me këta 60 e kusur emra që nuk flasin për proces të pastër.

Profesioni që është bërë bajagi fitimprurës për ata që e kanë fituar certifikatën e noterit, ka nevojë për një kujdes shumë më të madh institucional dhe nuk mund të trajtohet si një formalitet sikurse ka ndodhur në këtë rast. Noteria është profesion shumë i ndjeshëm, dhe kërkon etikë të lartë profesionale që nuk lejon allishverishe dhe vërtetime dokumentesh me të cilat kryesisht mund të cungohet e drejta në pronë. Nuk lejon (sikurse asnjë profesion tjetër) që puna të bëhet shkel e shko, për shkak se në këtë rast duket se ai apo ajo që përzgjidhet nuk e merr certifikatën pse di, po pse dikush ia mundësoi atë nga kapixhiku.

* * *

Kapixhiku do të duhej të ishte dalja për këta politikanë të paaftë dhe hajgarexhinj që na e gërditën Kosovën në këta 20 vjet. Të turpëruar do të duhej të binin nga pushteti, dhe pos të kërkonin falje për krejt të këqijat që na i kanë bërë, do të duhej t'i kthenin edhe ato që na i kanë marrë.

"Algjerinë gati e hëngrën çlirimtarët e saj. E shpëtoi populli, sepse atdheun e vet e deshi shumë...", do të shkruante Nehat Islami në një reportazh të shkëlqyer të botuar të enjten në gazetë.

Sikurse edhe Algjerinë, Kosovën do ta shpëtojë vetëm populli që e do atdheun e vet më shumë sesa këta që nuk e shohin ndryshe pos si thesar të pafund për t'i mbushur xhepat e tyre dhe të rrathëve të tyre koncentrikë.

Mbesim në pritje të shfaqjes së kësaj dashurie.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Arber15/07/2019 10:34

Me respekt ju them edhe populli une eshte ne shumice si politikanet tane e kam provue per tre vite ne kosove me respekt

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi