Negociatat kundërkushtetuese

Flaka Surroi Flaka Surroi 02 July 2019 08:05

"Zonën e rrezikshme" të raporteve me Serbinë mund ta krijojë vetëm ai i cili në secilën fazë të procesit, të cilin ia nisi krye më vete më 2011 dështoi. Pra, Thaçi. Sepse është mjeshtër për krijimin e situatave të pakëndshme nga prapavija. Zona e rrezikshme për të, në fakt, është po qe se nuk ia del të merret vesh me Vuçiqin për amnistimin e krimeve të luftës, që për popullin do të ishte krim mbi krimet, e për të çlirimi nga Specialja, e cila u krijua kryesisht për fajin e tij.

Javën e shkuar, në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ndodhi një shkatërrim i një artefakti antik për shkak të budallallëkut dhe papërgjegjësisë. Një pitos, për të cilin kush nuk doli të tregonte se cilës fazë i takonte, po tentohej të zbritej nga çardaku i ndërtesës me litarë. Litari u këput, pitosi u bë copë e grimë dhe u ndien qeshjet e ca njerëzve atypari.

Pesë ditë më vonë, doli fotografia e tre burrave, ndër ta edhe drejtori i IKMM-së, të buzëqeshur para pitosit të ngjitur, tash po get edhe më antik seç kishte qenë, përcjellë nga një koment po aq të marrë sa vetë fotografimi para artefaktit të shkatërruar: "... Me ekipin e arkeologëve dhe të punëtorëve të IKMM-së na ndodhi një incident i papritur gjatë zhvendosjes së një pitosi antik. Duke u përpjekur për ta bërë më të mirën, litari u këput dhe pitosi u dëmtua, por brenda disa orëve u bë riparimi i tij dhe kështu u kthye në gjendjen e mëparshme. Dëmtimi i pitosit u bë lajm dite i shumë mediumeve dhe cak i sulmeve banale që nxori në pah përkrahësit e së keqes dhe të pështjellimit. Ata që luajnë me lodrat e së keqes bëhen pengesë e përparimit shoqëror. Sepse ky rast që mori jehonë mediatike shumë lehtë mund të shfrytëzohet për të keq nga armiqtë e vendit, madje për ta prezantuar si pengesë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO".

Çka t'i thuash këtij njeriu që bartjen me litar, duke i pasur shkallët nga kanë mundur ta zbrisnin pitosin, e quan "incident të papritur" dhe i cili me autoritet thotë se "...brenda disa orëve (pitosi) u kthye në gjendjen e mëparshme" - që është një nonsens monumental.

"Mirë" që ndodhi pitosi dhe dolën në pah "armiqtë", pra nga njëra anë ata që ua zbuluan marrën dhe nga tjetra, armiqtë e vërtetë të kulturës në Kosovë që kaq dinë: se pitosi është më i vlefshëm pse është ngjitur pasi të copëtohet. Me kësi njerëz jo në UNESCO, po as deri në fund të oborrit të IKMM-së nuk mund të shkojmë.

Për këtë jemi kësi çfarë jemi

Pra ky "ekspert" është pasqyrimi ynë - qe sa vlerë ka kultura te ne. Çifti i këtij eksperti mund të ndikojë edhe në politikat "zhvillimore" kulturore të këtij vendi që e lënë Filarmoninë e Kosovës të funksionojë në një ndërtesë që nuk i plotëson kushtet elementare as për ushtrime. Një "ju lumtë" e madhe atyre që nuk u dorëzuan dhe e mbajtën këtë institucion gjallë duke ekzekutuar veprat nëpër hotele, kisha e së fundi edhe në mes të sheshit “Skënderbeu” me një prani impozante publiku, që e kaloi njëmijëshin të mërkurën mbrëma.

Njëzet vjet pas luftës s'qemë në gjendje një sallë koncertale ta ndërtojmë, përderisa kemi derdhur para në projekte kot e mosmarrëveshje për lokacionin e një salle të tillë në kohën kur nuk na kishte ngufatur ende epidemia e ndërtimeve pa leje në këto përmasa.

Sa paraja kot është shpenzuar për udhëtime e për dreka e darka, jo një, por dhjetë salla ishin ndërtuar deri tash, dhe nuk ishim kënaqur të shkonim te fqinjët për t'i mirëpritur artistët me nam botëror. Sepse jemi provincialë, shumë më shumë seç kemi menduar se jemi. Sepse njësoj na e qet si e ngjitëm pitosin antik me OHO, si i ramë Simfonisë së Nëntë të Betovenit me sharki në vend të violonçelit. Kaq dimë, kaq kuptojmë dhe për fat të keq, kaq po meritojmë.

Kutia e Kushtetueses u hap

Nuk do të befasohesha që edhe pitosi, e edhe Filarmonia të shpalleshin kundërkushtetuese, pse jo, sepse si pas çdo aktgjykimi të Kushtetueses, sërish do të hapej kutia e saj për interpretime të shumëllojshme, sipas nevojës së aktorit të caktuar dhe momentit politik.

Derisa dikujt t'i kujtohet t'i ngrejë këto dy çështje para Kushtetueses, ndërkohë kjo u mor me Ligjin për Delegacionin shtetëror për negociata dhe publikoi vendimin të cilin gazeta tashmë e kishte paralajmëruar para dy javësh: Delegacioni u shpall kundërkushtetues, meqë merrte kompetenca që nuk i takojnë sipas aktit më të lartë juridik dhe që shprehimisht i takojnë ekzekutivit të Kosovës.

Pasuan reagimet: PSD-ja reagoi ndër të parat duke ua hedhur fajin LDK-së dhe VV-së se me këtë veprim ia kishin kthyer fuqinë Thaçit për të negociuar krye më vete. VV-ja dhe LDK-ja dolën të thonë se kishin pasur të drejtë kur nuk e kishin votuar këtë ligj për shkak se ia merrte kompetencat Qeverisë; PDK-ja tha se do ta respektonte vendimin e Kushtetueses, kurse i fundit u deklarua Thaçi duke thënë, ndër të tjera: "...në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin politik, udhëheqësit e institucioneve, liderët politikë të të gjitha subjekteve, duhet të jenë të bashkuar në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjes paqësore".

E tash, leximi i kujdesshëm i vendimit të Kushtetueses thotë se barrën e negociatave duhet ta ketë Qeveria, përderisa kryetari mban rol konsultativ në këtë lojë. Delegacioni shtetëror nuk mund të ketë asnjë kompetencë për shkak se është trup antikushtetues, i cili mund të vazhdojë të funksionojë, porse jo me kompetencat që ia ka dhënë vetes.

Ithtarët e Thaçit u gëzuan, sepse e interpretuan asisoj që ia njihnin të drejtën atij për ta vazhduar shoun e vet, si dhe takimet publike dhe të fshehta me Vuçiqin. U gëzuan edhe për krejt idetë e çoroditura që i ka qitë në tavolinë e nëpër konferencat e tij të kota për shtyp (ka bajagi kohë që nuk i është kujtuar ndonjë term i ri, të cilin do të na e paraqiste në ndonjë konferencë që do ta thërriste me urgjencë dhe ku nuk do të lejonte shtruarjen e pyetjeve).

E mbase dikush do të duhej sërish t'i drejtohej Kushtetueses për t'i dhënë interpretim edhe më të prerë çështjes së rolit udhëheqës në negociata, e që kështu ky proces të nisë nga e para, me një strategji të mirëfilltë, me autorizime të qarta dhe me një vijë të përgjegjësisë që do ta respektojnë të gjithë.

Negociata pa Thaçin

"Ne duam që një herë e përgjithmonë ta qartësojmë raportin tonë si shtet me shtetin e Serbisë, gjë që mund të arrihet vetëm përmes një dialogu që do t’i ketë afatet kohore të qarta, objektivat precize, garancitë dhe mbështetjen ndërkombëtare, në radhë të parë të SHBA-së dhe BE-së. Nuk kam kurrfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve, që mund ta destabilizojë gjithë rajonin”, këtë e tha Thaçi në një konferencë nga fillimi i javës. Dhe mirë që e tha, porse iu deshën tre vjet e gjysmë për ta thënë.

Tre vjet e kusur me radhë e ka zaptuar një kompetencë që, sipas Kushtetueses, doli të mos jetë e tija, ani që sikur ai ashtu edhe këshilltarët e tij thoshin se këtë të drejtë ia jepte Kushtetuta.

Pra, këtë që e ka konstatuar Kushtetuesja me aktgjykimin e vet, është se Thaçi në fakt e ka shkelur Kushtetutën vazhdimisht dhe pa asnjë problem që nga 2016-a.

Si kryetar i këtij shteti, pavarësisht formës në të cilën u zgjodh, nuk u bë simbol i unitetit, por i ç'unitetit - pra ftesa që ua bën partive politike për bashkëveprim institucional karshi Serbisë në negociata është po ashtu e vonshme dhe natyrisht e pasinqertë. Përderisa krejt dështimet e tij diplomatike do që tash t'ua veshë partive politike, zor se do t'i bëjë të gjithë së bashku rreth një tryeze, sepse nuk e gëzon as respektin, e as besimin e partive opozitare, e besa as fort të atyre të koalicionit qeverisës.

Kur iu fut shëtitjeve në Bruksel nuk pati në mendje as afate kohore, as objektiva të qarta e as mbështetjen e askujt, pos të Ashtonit në fillim, e Mogherinit në fund - që të dyja krye më vete dhe madje pa i informuar shtetet anëtare të BE-së.

Insistimi që marrëveshja të arrihet në fund të vitit lidhet më shumë nga premtimet e tij kot se gjërat do të realizohen për tre, pesë, dhjetë muaj a sa - pra në fakt janë blofe tijat, me të cilat tashmë jemi mësuar. Mjafton ta kujtojmë premtimin e tij për liberalizimin e vizave më 2010 dhe s'kemi çka shtojmë.

Por gjithashtu varet edhe nga fakti se Serbia shkon në zgjedhje në pranverën e ardhshme (e mos po i ikën kund dosti Vuçiq), se për zgjedhjet që mund të ndodhin në Kosovë në vjeshtë, nuk është se e ka shumë dert. Atij i konvenon një Qeveri shpenzuese e buxhetit, një opozitë e pafuqi dhe një Kuvend që një në dhjetë herë krijon kuorum për vendimmarrje. Kjo, sepse ai bën çfarë t'i teket dhe sa më e turbullt situata, aq më komod ai me shëtitjet e veta.

Zonën e rrezikshme të raporteve me Serbinë mund ta krijojë vetëm ai - sepse është mjeshtër për krijimin e situatave të pakëndshme nga prapavija. Zona e rrezikshme për të, në fakt, është po qe se nuk ia del të merret vesh me Vuçiqin për amnistimin e krimeve të luftës, që për popullin do të ishte krim mbi krimet e për të çlirimi nga Specialja, e cila u krijua për faj tijin, kryesisht.

* * *

Negociatat me Serbinë nuk do të prosperojnë përderisa ato do t'i udhëheqë ai i cili në secilën fazë të procesit, të cilin ia nisi krye më vete më 2011 dështoi. Pra, Thaçi. Dështimin më të madh e pati Zajednicën, të cilën më kot ua vesh të tjerëve.

Ato nuk mund të ecin përpara përderisa Kosova nuk ka konsensus politik ndërmjet subjekteve politike shqiptare në rend të parë, dhe përderisa nuk e ka një dokument të vetëm që do të jetë strategjia, që do ta sjellë cakun përfundimtar të këtyre negociatave. Nuk mund të ketë përparim përderisa Kosova para botës del me dy njerëz e pesë qëndrime dhe përderisa në rend të parë të negociatave janë interesat personale të bashkëbiseduesve, e jo e ardhmja e këtij vendi.

Nuk e di nëse zgjedhjet në muajt e ardhshëm do të mundë të sjellin ndryshim. Porse kjo çfarë kemi tash është një papërgjegjësi dhe një apati që do të na çojë në fund të pusit, prej të cilit nuk jemi fort larg.

Diçka duhet të ndryshojë. Sa më shpejt, aq më mirë.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi