OpEd

Gangrena që shkaktojnë gangsterët

Disa gjëra bien në sy. Këpucët e politikanëve (rreth 700 euro) ose fatura e karkalecave (rreth 100 euro). Këto janë cikërrima. Ndërsa për gjërat e mëdha (lexo: aferat e mëdha) zor se do të dihet ndonjëherë. Edhe kur ka indikacione e raportime të mediave, drejtësia nuk vepron ose bën sikur vepron, mandej i nënshtrohet presionit politik, dhe në fund gjithçka dështon.

Kosova lë përshtypjen e një shteti të zhagmitur. Pothuaj asnjë privatizim i ndërmarrjeve publike nuk ka kaluar pa ndërhyrjen e politikanëve. Rezultat i ndërhyrjeve, intrigave dhe kërcënimeve rreth privatizimit të Hotelit Grand ishte, për shembull, vdekja (vrasja? vetëvrasja?) para disa vjetësh e shefit të Agjencisë së Privatizimeve, një figurë e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës. Vjedhja nga dhoma e dëshmive e Policisë, tenderët jotransparentë të autostradave, tenderi për pasaportat biometrike, punësimi i militantëve në poste vendimmarrëse në Qeveri dhe në ndërmarrje publike, kërcënimi i vendimmarrësve se mund të kenë pasoja nëse nuk vendosin sipas qejfit të gangsterëve politikë - të gjitha këto e kanë bërë Kosovën shtet jofunksional. Këtë, fat të keq, Kosova e ndan me shumicën e vendeve të rajonit. Dhe ky nuk është fare ngushëllim.

Sipas një raporti të Nismës Globale kundër krimit të organizuar transnacional në vendet e Ballkanit, Kosova ofron një pamje të zymtë. Papunësia në mesin e të rinjve vazhdon të jetë në nivele të larta (57,7 për qind). Në raportin e Nismës Globale lidhur me kryeqytetin e Kosovës nënvizohet: “Prishtina, kryeqyteti i Kosovës (me popullsi prej 200 mijë banorësh), konsiderohet një zonë aktive sa i përket aktivitetit kriminal. Grupet kryesore kriminale në këtë qytet zakonisht përbëhen nga ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Një nga aktivitetet kryesore të grupeve kriminale të organizuara në Prishtinë është edhe trafikimi i drogës. Për shembull, në dhjetor 2018, Enis dhe Selim Qerka u arrestuan pasi dyshohej se kishin trafikuar 113 kilogramë heroinë nga një pikë e kalimit të kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Në një rast tjetër, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova u arrestua për falsifikim të vizave italiane Schengen. Janë hedhur edhe akuza se grupe të ndryshme kanë falsifikuar dokumente për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tokat në pronësi të shtetit. Po kështu, në fshatrat pranë Prishtinës ushtrojnë aktivitetin e tyre disa grupe që merren me dhënien e huave me interesa shumë të larta. Kohët e fundit ka pasur edhe një sërë grabitjesh të bankave në Prishtinë dhe në zona të tjera të Kosovës”.

Kjo situatë është pasojë e shtetit të dobët, shpeshherë të nënshtruar ndaj grupeve kriminale. Para aktiviteteve të tyre mbyllin sytë krerët e policisë, në rastin më të keq ata janë pjesë e rrjeteve kriminale dhe nga prapavija gëzojnë përkrahjen e politikanëve me ndikim. Së fundmi, thekson raporti, Kosova është kthyer në një pikë të rëndësishme rajonale për shpërndarjen e cigareve. Ngarkesat hyjnë kontrabandë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, dhe më pas transportohen nëpërmjet kufirit poroz me Malin e Zi.

Nisma Globale shkruan se trafikimi kryhet edhe përgjatë kufirit midis Malit të Zi dhe Kosovës: “Një dëshmitar okular nga fshati Balotice, pesë kilometra në lindje të Rozhajës, u tregoi reporterëve të Nismës Globale se ka parë rregullisht trafikantë që kalojnë armë dhe drogë nga Kosova për në Mal të Zi. Ai përshkruan karvanë me më shumë
se 100 kuaj. Kontrabanda nuk pengohet dhe bëhet më e lehtë nga terreni i thyer malor, dhe nga zyrtarë të korruptuar nga të dyja anët e kufirit”. Në prill të vitit 2018, Policia e Kosovës bllokoi 1.3 milionë cigare në një fshat pranë kufirit. Kjo sasi cigaresh ishte ngarkuar mbi gjashtë kuaj të pashoqëruar nga njerëz.

Krahas Prishtinës janë edhe dy qytete kosovare që raporti i Nismës Globale i rendit si qendra të aktiviteteve të paligjshme: Peja dhe Ferizaj. “Qyteti i Pejës, në perëndim të Kosovës (me popullsi rreth 96 mijë banorë), ndodhet në kryqëzimin e disa korridoreve trafikimi. Kjo është një zonë malore pranë kufirit malazias dhe pranë rrugës që të çon në Prishtinë, jo shumë larg nga veriu i Shqipërisë, Mitrovicës dhe Novi-Pazarit. Kjo krahinë ka probleme me nivele të larta papunësie. Në të kaluarën janë shënuar një numër i madh vrasjesh të pazgjidhura në Pejë, që mendohej se kanë ardhur si rezultat i konflikteve midis dy grupeve rivale të formuara nga ish-pjesëtarë të UÇK-së. Këto përplasje kishin motive kriminale (në lidhje me kontrollin e korridoreve të trafikimit në rajon), si dhe politike, pasi disa nga ish-komandantët e UÇK-së tani janë politikanë dhe zyrtarë të lartë të Kosovës. Thuhet se në këtë zonë ushtrojnë ndikimin e tyre disa figura politike me peshë. Ndonëse numri i vrasjeve ka rënë, thuhet se niveli i aktiviteteve kriminale në këtë zonë problematike vazhdon të jetë i lartë, veçanërisht në trafikimin e drogave, cigareve, si dhe armëve. Korridori deri tek pika e kalimit kufitar Kulla, si dhe zona rreth fshatit Çakor, janë veçanërisht të frekuentuara nga trafikantët”. Që nga përfundimi i luftës më 1999, dhjetëra vrasje kanë tronditur Pejën dhe rrethinën - dhe pothuaj asnjë krim nuk është sqaruar nga drejtësia.

Ferizaj është qyteti i tretë për nga madhësia në Kosovë, me një popullsi me rreth 108 mijë banorë dhe “konsiderohet si zonë problematike për trafikimin e drogës, veçanërisht kanabis dhe heroinë, dhe ka goxha diasporë në Zvicër. Në maj 2017, policia konfiskoi mbi 800 kilogramë kanabis nga Shqipëria në një fshat pranë Ferizajt. Grupet kriminale që operojnë në këtë qytet thuhet se janë të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore (për prostitucion), dhënie huash me interesa shumë të larta, si dhe zhvatje dhe shantazhe në lidhje me pronësinë e tokave”.

Si kryezonë e krimit të organizuar në raportin e Nismës Globale përshkruhet veriu i Kosovës, i cili praktikisht është nën kontrollin direkt të Qeverisë së Beogradit. Ajo e ka themeluar partinë Lista Serbe, të cilën e quan projekt nacional dhe si e tillë kjo parti është dorë e zgjatur e krimit të organizuar. Veriu është zonë e sigurt për kriminelë. “Në pikat kufitare, si Jarinje dhe Bërnjak, nga ana kosovare kemi policinë dhe Doganën e Kosovës, si dhe personelin e EULEX-it, ndërsa nga krahu tjetër kemi policinë serbe. Thuhet gjithashtu se ka disa “pika alternative kalimi” (zakonisht rrugë të pashtruara), që përdoren për hyrje dhe dalje të paligjshme nga Kosova, si dhe për kontrabandë. Karburanti është malli që kalon më shpesh kontrabandë (nga veriu në jug). Më pas vijnë materialet e ndërtimit, ilaçet, makinat, cigaret, ushqime, pije, dhe mallra të tjera. Llogaritet se nga këto aktivitete të paligjshme buxheti i Kosovës humb çdo javë rreth 750 mijë euro nga tarifa doganore të pambledhura: nga këto 400 mijë euro janë tarifa karburantesh, nga materialet e ndërtimit humbin 200 mijë euro, dhe 150 mijë euro për mallrat e tjera. Një pjesë e mirë e këtyre mallrave nuk qëndrojnë në pjesën veriore me popullsi serbe, por transportohen për në jug në zona të Kosovës me popullsi shqiptare. Kjo tregon edhe një herë se kur vjen puna tek rrjetet e kontrabandës, kriminelët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin pavarësisht ndasive etnike, apo ndarjeve gjeografike e administrative”.