Atletët e zorit, sponsorit

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 17 June 2019 08:01

Në kabllogramet diplomatike në trajtë të fotografive digjitale ditëve të kaluara pranova katër fotografi të ndryshme. Një të Hashim Thaçit, një të Aleksandar Vuçiqit, një të Edi Ramës dhe një të Baton Haxhiut. Emëruesi i përbashkët i këtyre katër fotografive digjitale ishin atletet identike “Zegna” të mbathura në këmbët e tyre

Java të cilën po e përmbyll në ditarin tim ishte një ortek emocionesh që na e sollën përfaqësueset e Kosovës, ajo e seniorëve, si dhe ajo e atyre U21 më të rinj se 21 vjeç. Të parët në Sofje e mundën Bullgarinë në minutat e fundit të lojës shtesë, ndërsa të dytët me mjaft komoditet e mundën Turqinë në Prishtinë. Këta djelmosha janë ata nga të paktët, të cilët të bëjnë të kuptosh se ky vend e meriton shumë më mirë se çka na servuan politikanët tanë në 20 vjetët e fundit. Sa talenti është ende në këtë vend, i apo e cila do të na bënte krenar secilin nga ne me arritjet e tyre në çfarëdo lëmi ku ata do të tregoheshin të suksesshëm, vetëm sikur politikanët tanë të bartnin vlera të mirëfillta njerëzore, etike dhe profesionale, dhe që me politikat e tyre do të përkrahnin artistët, sportistët, shkencëtarët e rinj, si dhe talente të ndryshme të lëmenjve të ndryshëm.

***

Në kabllogramet diplomatike në trajtë të fotografive digjitale ditëve të kaluara pranova katër fotografi të ndryshme. Një të Hashim Thaçit, një të Aleksandar Vuçiqit, një të Edi Ramës dhe një të Baton Haxhiut. Emëruesi i përbashkët i këtyre katër fotografive digjitale ishin atletet identike Zegna të mbathura në këmbët e tyre. Çmimi i një palë atleteve të tilla është 850 euro. Nuk dëshiroj të merrem me koston e tyre, aq sa dëshiroj që të flas për arsyen se pse këto katër figura mbathin atlete të njëjta. Rastësi, trend apo diçka tjetër. Nga përvoja ime 10+ vjeçare nga lëmi i marketingut mund t'ia jap vetes lirinë që të konkludoj se bëhet fjalë për një sponsor të përbashkët. Nëse kjo nuk qëndron, atëherë arsyeshmëria e radhës qëndron në faktin se ato i ka gjetur diku me të lirë Baton Haxhiu dhe ua ka bërë dhuratë shokëve të vet të shpirtit e të mendjes. "Ne jemi katër kalecët e apokalipsit dhe mbathim atlete të njëjta".

Janë katër "armiq të përbetuar", pse do të dëshironin apo lejonin që qoftë edhe rastësisht t’i mbathin të njëjta si armiku i tyre? Por, 4 palë atlete identike në të njëjtën dritare kohore është pak më shumë se një rastësi apo trend i çastit. Në kohën e rrjeteve sociale e të internetit të bësh gafe të tilla dhe të mendosh se nuk do të kuptohet në rastin më të butë mund të quhet naivitet.

Të mendosh se këta atletët e sponsorit përcjellin trendë botërorë dhe ja ashtu rastësisht qëlluan në atlete identike, gjithashtu është po aq naive sa edhe "mendimi" i kalecëve të apokalipsit se kjo gjë as nuk do të vërehet.

Dy reperë të armiqësuar i thurin "lavde" me anë të disave njëri-tjetrit, stilin mund ta kenë të ngjashëm, mirëpo secili mundohet që të ketë diçka unike që do ta dallonte nga oponenti, dy artiste apo këngëtare të famshme angazhojnë disenjatorë që dukja e tyre skenike/publike të jetë sa më unike, mos o zot që të dyja të njëjtën kohë të fotografoheshin duke bartur rrobat e njëjta jo që nuk ka ndodhur, por interesohuni se çka ka ndodhur me disenjatorin më pas. Por ja tre politikanë të "hasmuar" dhe një shegert i tyre mediatik, ashtu në mënyrë spontane, mbathin atlete identike të firmës “Ermenegildo Zegna” për shmek.

***

20-vjetori i hyrjes së NATO-s dhe çlirimi i Kosovës. Si mund ta kujtosh atë ditë dhe të mos përshkohesh nga mornicat në mbarë trupin? Sigurisht që secili nga ne e kemi një histori tonën personale se si e kemi përjetuar atë ditë të jetës sonë. Kësaj radhe nuk dëshiroj që t’i shpalos ndjenjat e mia personale në lidhje me atë ditë, por do të ndalem tek fytyrat kyç, të cilat kontribuuan që ajo ditë të vinte dhe të ndodhte.

Do ta filloj me presidentin Ibrahim Rugova. Jo, nuk jam në LDK dhe në asnjë parti tjetër, por kujtesa më shërben aq sa të mbaj ndërmend se qysh në fundvitet ‘80 Ibrahim Rugova fliste për pavarësinë e Kosovës, integrimet euroatlantike dhe miqësinë e përhershme me SHBA-në. Ishte konsistent në këto kërkesat dhe vizionin e vet politik. Mos t’i harrojmë edhe njerëzit e ditur dhe besnikë që e rrethonin: Fehmi Agani, Nazmi Mustafa, Enver Maloku … Adem Jashari si njeriun më emblematik të UÇK-së.

Tony Blair si kryeministër i Britanisë së Madhe, Robin Cook, ministër i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, ishin motorët kryesorë të presionit ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe intervenimit të NATO-s kundër forcave të Slobodan Milosheviqit. Pas një fijeje hezitimi dhe shterjeje të çdo mundësie diplomatike për tejkalimin e krizës në Kosovë, motorëve të presionit ndërkombëtar tashmë iu bashkëngjitet edhe pjesa më e fortë e makinerisë nga SHBA-ja me presidentin e tyre Bill Clinton, sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, kongresmenë të shumtë, emisarë të paqes, siç ishte Richard Hollbrooke. Gradualisht i mbarë komuniteti ndërkombëtar demokratik (përjashto këtu Rusinë, Kinën dhe vendet e tjera diktatoriale) për herë të parë do t’i bashkonte forcat e tyre nën ombrellën e NATO-s dhe as pa një mandat nga Kombet e Bashkuara nuk do të lejonin që në kontinentin e Evropës sytë të mbylleshin pranë një gjenocidi dhe spastrimi etnik, i cili po ndodhte në Kosovë. Për 78 ditë radhazi do të bombardoheshin caqet ushtarake dhe policore të Serbisë. Do të vinte edhe 12 Qershori, dita kur trupat e para të NATO-s, ato të Ghurkave britanike, zbarkojnë dhe futen në kufirin e Kosovës nëpërmjet kufirit të Maqedonisë (tash Veriore). Ishin ato pamjet drithëruese, e menjëherë pas tyre kolona e qindra mijëra refugjatëve të përzënë nga shtëpitë e tyre dhe që po ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre, shumica tashmë të djegura.

20 vjet më pas Kosova e gjen veten edhe si një shtet i pavarur, problemet e shumta të cilat e përcjellin kryekëput ndërlidhen me politikëbërjen e papërgjegjshme nga liderë institucionalë, partiakë dhe militantë partiakë.

Tashmë dashuria ndaj Kosovës reduktohet në ambicie dhe interesa personale apo klanore politikanësh, të cilët në rrethana të ndonjë shteti me vetëdije të ngritur për politikë do të mundë të lexonin vetëm nëpër gazeta dhe edicione lajmesh e assesi të udhëhiqnin shtet apo dikastere shtetërore.

Kush nuk i gëzohet vizitës së miqve tanë, siç janë: Bill Clinton, Madeleine Albright dhe gjenerali Wesley Clark. Këta sigurisht se i janë përgjigjur një ftese shtetërore dhe protokollare për pjesëmarrje në kontributin e tyre për tash kremtimin e 20-vjetorit të lirisë.

Kjo me siguri se në vete mbërthen edhe koston e shpenzimeve, të cilat do t’i bartë Qeveria e Kosovës. Nuk mendoj se mund të jetë një kosovar shqiptar që nuk do pajtohej për mbulimin e këtij shpenzimi që t’i kemi miqtë tanë këtu prezentë për t’i falënderuar, por që horrat politikë do ta shfrytëzojnë këtë ngjarje për promovim të tyre personal dhe për fotografi të rastit me mysafirët, dhe këtë e kemi shumë të ditur tashmë, prandaj si duket mungonte edhe ai entuziazmi në qytet nga qytetarët e thjeshtë. Së paku unë nuk e ndjeva atë ngrohtësinë e një feste të Ditës së Çlirimit. Në rrethana të tjera, mendoj se i madh e i vogël nuk do të ishte kursyer që t’u dilnin përpara miqve tanë ashtu siç u dolën ushtarëve të NATO-s para 20 vjetësh, skena që sa herë t’i shikosh të bëjnë të rrëqethesh.

Protokolli i Qeverisë së Kosovës nuk mendoj se nuk ka dërguar ftesa edhe tek aktorët e atëhershëm të Qeverisë britanike, si dhe atyre aktualë, mirëpo për arsye të panjohura Qeveria britanike prezencën e saj në këtë kremtim e mbajti në nivel të ambasadorit të saj në Kosovë dhe nuk vërejta të kishte ndonjë përfaqësues tjetër. Jo, nuk do të thosha se politika e saj karshi Kosovës ka ndryshuar, ndërsa sa i përket ndryshimit të saj karshi politikanëve kosovarë, si diplomat që jam, po ua lë që ju vetë të vini në atë përfundim. Sa më përket mua, unë nuk isha pjesë e protokollit zyrtar qeveritar, mirëpo ngjarjen e kremtimit të 20-vjetorit e përcolla nga zyra e ambasadës sime në Facebook gjatë orarit të punës.

Mysafirët do të na lënë ca fjalë të ëmbla, sa shumë ndryshime kanë hasur në Kosovë që nga hera e fundit që kanë qenë këtu (ndoshta e kanë vërejtur edhe linjën e re të autobusëve Aeroport-Prishtinë) dhe do të kthehen në shtëpitë e tyre. Neve vdekatarëve për javët në vijim na mbetet t’i përcjellim zgërdhitë e politikanëve, të pushtetarëve dhe të supozitorëve të ndryshëm politikë e partiakë në fotot e rastit me mysafirët e nderuar.

P.S. Ramush, burrë, kësaj here jom pak i emocionum, s’po di çka me të thonë për tarifat ndaj Serbisë, veç muj me të thonë që një shok i jemi, Blendi Zymi, shet suxhuk të mirë të shpisë!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani