OpEd

Bashkim makthesh shqiptare

Për bashkimin kombëtar, ëndrrat e Thaçit e Ramës dhe makthet e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit

Pasi – siç thotë vazhdimisht - e çliroi Kosovën nga Serbia, e shpalli shtet të pavarur, e integroi veriun e vendit, na bëri me ushtri, na futi në rrugën (e pakthyeshme) të anëtarësimit në NATO e BE, dhe Luginës së Preshevës ia hapi derën e bashkimit me Kosovën - presidenti i Republikës sonë, Hashim Thaçi, tani e nis projektin e radhës: bashkimin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kështu - thotë presidenti –do të jetë ai që e realizon ëndrrën e kamotshme shqiptare për bashkim kombëtar, nëse për asgjë tjetër, si kundërpërgjigje Bashkimit Evropian për shkak se nuk po na i heqin Schengen vizat dhe nuk po na i hap dyert e anëtarësimit, dhe nuk po bën asgjë për të na i siguruar pesë njohjet e munguara evropiane…

Dhe, presidenti nuk është i vetmuar në këtë ndërmarrje të shndërrimit të ëndrrave në realitet.

Si në rastin e manovrës me korrigjim kufijsh e këmbim të veriut të Kosovës për një pjesë të Luginës së Preshevës, në krah (të djathtë apo të majtë, pak rëndësi ka) e ka kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Dhe, dorën në zemër, Edi Rama ishte i pari që e ëndërroi bashkimin dhe premtoi botërisht se do ta bëjë realitet. “Çka është e drejtë të ëndërrohet, është e mundur të realizohet”, tha Rama në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë, kur para deputetëve të mbledhur paralajmëroi se në të ardhmen e afërt - brenda dhjetë vjetësh – Kosova e Shqipëria të kenë një politikë të përbashkët të jashtme dhe një president të përbashkët, simbol të unitetit kombëtar.

Tani, mbetet vetëm të përcaktohet se cili do të jetë presidenti mbarëkombëtar shqiptar, dhe nëse do të kemi nevojë edhe për një kryeministër të vetëm, edhe ky mbarëkombëtar, natyrisht.

Të tjerat janë çështje teknike.

* * *

“Shakanë anash”, do të thoshte një mik imi, që jeton as në Shqipëri e as në Kosovë. “Nuk bahet hajgare me bashkimin kombëtar”.

Sigurisht! Por këtë duhet thënë këtyre që sa herë shohin një ëndërr të dielën, thonë se duan ta realizojnë qysh të hënën.

Dhe pastaj, kur të hënën mbrëma shohin një tjetër ëndërr, thonë: hajde ta realizojmë këtë, është për heqjen e vizave – bëhet më lehtë.

Apo, ndoshta do ta realizojmë atë ëndrrën e së premtes së kaluar, për bashkimin e Luginës me Kosovë?

Ose, do të realizojmë këtë ëndrrën tiranase për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, dhe nëse kjo nuk bën – i kthehemi bashkimit kombëtar sërish. T’ia fusim frikën Evropës!

Po njohja nga Serbia, që e ëndërruam një të diele, në atë hotelin në Bruksel?

Apo atë ëndrrën e Berlinit? Atë të Washingtonit? Të Londrës? Parisit?

Dhe kështu, ëndërr pas ëndrre, një grusht njerëz mbajnë pushtet, e një lumë të tjerë jetojnë makthet që nuk kanë fund!

Makthet që dikur ishin ëndrra, por që mbetën të parealizuara.

* * *

Në gjithë këtë rrëfim me pak ëndrra e plot makthe, ajo që për të gjithë do të duhej të ishte e qartë, mbetet kjo:

• Hapja e çështjes së bashkimit Shqipëri-Kosovë para se të përmbyllet dialogu me Serbinë, përveç që e vendos në pikëpyetje statusin e Kosovës, e bën këtë çështje pjesë të negociatave me Beogradin.

• Rrjedhimisht, kjo e shndërron dialogun e Brukselit në negociata territoriale mes Shqipërisë dhe Serbisë, ku vija e kompromisit (ndarjes) do të vendoset në territorin e Kosovës.

• Pikërisht këtë e kanë kërkuar zyrtarët më të lartë serbë prej vitesh.

• Kështu, në vend të këmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, do të bëhet ndarja e Kosovës mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Është e qartë, pra, si kristali. Por është edhe thellësisht e pakuptueshme pse një nismë e tillë - me të cilën shqiptarët mund vetëm të humbasin - vjen nga Presidenca kosovare me mbështetje nga Qeveria në Tiranë...

...apo ndoshta edhe nuk është aq e pakuptueshme nga prizmi i përllogaritjeve personale që nuk marrin parasysh dëmin e përgjithshëm, sado i madh që mund të jetë ai!

* * *

Njerëzit, thonë, nuk duhet t’i tregojnë ëndrrat që shohin. Nëse duan t’u plotësohen, natyrisht!

agronb@kohaditore.com