Pranvera e frikës dhe e kaosit

Enver Robelli Enver Robelli 30 May 2019 08:12

Kosova ka arritur në pikën kur duhet të përgjigjet: a fiton krimi i organizuar i bandave parapolitike apo një shekull luftë, vuajtje, përpjekje, angazhim, sakrificë, flijim?

Kujdes! Armiqtë e jashtëm në bashkëpunim me armiqtë e brendshëm në aksion. Qëllimi i tyre është djallëzor: të njollosin kryetarin e Kuvendit të Kosovës, kryetarin e PDK-së dhe shefin e SHIK-ut, organizatës për vjeljen e kumbullave dhe për krime të tjera ekologjike. Edhe kështu mund të lexohen zhvillimet e fundit në Kosovë lidhur me filmin më të ri që e kanë prodhuar fajdexhinjtë dhe politikanët të afërt me fajdexhinjtë.

Ngjarja, natyrisht, mund të interpretohet edhe ndryshe. Kështu, për shembull: pasi një person nga një bandë e fajdexhinjve përmendi emrin e Kadri Veselit si pranues të 200 mijë eurove, PDK-ja caktoi mbledhje urgjente të Kryesisë të hënën. Që para mbledhjes gjysma e anëtarëve të Kryesisë së PDK-së reaguan të tronditur pas publikimit të xhirimeve të fundit dhe kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të Kadri Veselit. Më të zëshmit me kërkesa për dorëheqje kanë qenë politikanët e rinj të PDK-së dhe sidomos ata që kanë aderuar së fundi. Në mbledhjen e Kryesisë të gjithë anëtarët e saj kërkuan nga Veseli që të largohet nga posti. Pastaj u mblodh Parlamenti i Kosovës dhe e shkarkoi kryetarin Veseli. Po të hënën, pasi e hoqën të keqtë në saunën e një hoteli në periferi të Prishtinës, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të PDK-së në mbledhje urgjente shkarkuan Veselin nga posti i kryetarit të partisë. Menjëherë pas këtij zhvillimi dramatik presidenti i vendit iu drejtua popullit. Mesazhi i tij: “Ne kosovarët nuk jemi të tillë”. Kështu do të mundë të vazhdonte një përrallë e shkruar nga shkrimtarët për fëmijë: Rifat Kukaj, Adelina Mamaqi, Odhise Grillo, Agim Deva dhe Bedri Dedja.

E vërteta është se në Kosovë me gjasë i vetmi zyrtar i lartë që ka dhënë dorëheqjen për një skandal ka qenë një ministër i Brendshëm nga radhët e LDK-së: ai iku pasi policia e UNMIK-ut vrau dy demonstrues në një protestë të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Krerët e PDK-së nuk japin dorëheqje për asgjë. As kur dyshohen për vrasje, as kur krejt rastësisht banditët ua përmendin emrin në aktivitete të rëndomta biznesi, siç është mbledhja e parave me fajde për të ndërtuar një spital në oborrin e spitalit publik, një spital që për t’u dukur serioz quhet edhe amerikan, ndonëse sistemi shëndetësor amerikan është ndër të të prapambeturit në botën perëndimore. Por çka ka gajle – në Kosovë funksionon kjo reklamë. Spitali mongol i mushkërive ka më pak gjasa të etablohet në tregun shëndetësor të Kosovës.

Pas çdo sulmi PDK-ja është e ushtruar në prodhimin e mjegullës me goditje, shpërthime, sulme - të ashpra dhe shumë të ashpra - vërsulje, turr, përplasje, shuplaka, flakaresha, klithma, pasthirrma, pëlcitje, thirrje, britma, çirrje, uturima, ulërimë, ushtima, buçimë, fjalë vulgare, gjuhë fekaliesh, ngërdheshje, kërcënime, inate, zemërim, egërsim, hakërrim, gërmushje, shpifje, gënjeshtra, sajime, shpikje, deformim të së vërtetës, shtirje, viktimizime qesharake, grimasa, përbuzje, neveri, jargavitje, shkumëzime. Përse po i bëjnë e po i thonë të gjitha këto? Për (të ruajtur) një copë pushtet!

Në amullinë e përgjithshme ambasadori britanik Ruairí O’Connell tregoi edhe një herë se durimi i miqve të Kosovës po i vjen fundi. “Askush nuk do t’jua ndreqë shtëpinë, duhet ta bëni vetë”, tha ai në një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook. Bilanci i bisedës mund të përmblidhet kështu: në Kosovë persona me biografi kriminale janë përgjegjës për rendin dhe kjo është cinike, Kosova është shtet i kapur, qytetarët nuk duhet të presin shpëtim nga jashtë si më 1999, por duhet të veprojnë vetë kundër të keqes, në Kosovë politikanët po manipulojnë me shifra të viktimave dhe po bëjnë premtime jorealiste për themelim të një tribunali ndërkombëtar. Me fjalë të tjera Kosova, sipas ambasadorit britanik, është duke i dëmtuar miqtë e saj. “Nëse na dëmton neve në ndonjë mënyrë, këto marrëdhënie mund të fillojnë të prishen, dhe ky moment mund të vijë shumë shpejt”.

Filozofi i madh i PDK-së dhe qytetari i nderit i qytetit të Vlorës, Sami Lushtaku, i saposhpallur i pafajshëm nga drejtësia e kriminalizuar kosovare, tha se armiqtë e jashtëm, Rusia dhe Serbia, po e sulmojnë UÇK-në. Këto tri shkronja qe dy dekada janë mburojë për të gjitha të zezat e mundshme që janë bërë në Kosovë nga klasa politike e plaçkitësve. Sa i përket Rusisë: partnerët më seriozë i ka në PDK. Javën që shkoi Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit të Serbisë në një intervistë shpjegoi si vijon: dëshira e qëllimi i Serbisë ka qenë përherë që ta përfshijë Shqipërinë për të negociuar për Kosovën. Kjo është ideja e ngahershme e Dobrica Qosiqit. Shqiptarët kanë të drejtë të bashkohen, por duhet të bashkohen edhe serbët. Në këtë lojë të rrezikshme u përfshinë Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Edi Rama e përdori Kosovën për të shantazhuar Bashkimin Evropian: “Nëse Shqipërisë nuk i hapet dera për të hyrë në BE, atëherë bashkohemi me Kosovën”. Kush i futet aventurave të tilla, mund të digjet. Penetrimi i Rusisë në rajon është evident në Serbi dhe në Republika Srpskën. Kjo i ka alarmuar Gjermaninë dhe Francën. Deti i Zi është vija e fundit. Këtë e tregon edhe hyrja e shpejtë e Malit të Zi në NATO. Megjithatë, Thaçi, Vuçiqi dhe Rama përkrahen nga disa lobistë si Wolfgang Petritschi, Cameron Manter, Alexander Soros. Thaçi ka qenë nën presion të madh të qarqeve të caktuara në Beograd. Kështu tha Biserko. A thua, për cilat qarqe e kishte fjalën? Kosova ka arritur në pikën kur duhet të përgjigjet: a fiton krimi i organizuar i bandave parapolitike apo një shekull luftë, vuajtje, përpjekje, angazhim, sakrificë, flijim?

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli