Bjeri fajdes, fajdexhi

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 27 May 2019 07:58

E ashtu duke ngrënë drekën e përbashkët familjare të radhës, nga valët e radios në kuzhinën tonë po vinin “Përshëndetjet e ndëgjuesve tanë”.

“Halla Havushi, nipit Kadrushit ia uron mbrojtjen e disertacionit të doktoraturës në Lublanë me këngën ‘bjeri fajdes, fajdexhi’”.

Të gjithë ne ashtu nganjëherë “sulmohemi” nga një dozë melankolie edhe nostalgjie në ndonjë moment të caktuar. Ky truri ynë është një organ shumë interesant se si është në gjendje që brenda një sekonde të na i realizojë udhëtimet në kohë dhe të na e sjellë atë ndjesinë e një momenti të caktuar të jetës sonë, moment i cili ka lënë gjurmë të thella në kujtesën tonë. Një moment të tillë isha duke e përjetuar momentalisht edhe unë derisa po e shkruaja faqen time të radhës në ditarin tim.

Mund të ketë qenë një pasdite e së shtunës. E gjithë familja ishim të grumbulluar në kuzhinë dhe secili po bënte ndonjë kontribut të vogël rreth përgatitjes së tavolinës për drekën e radhës e që gjithmonë ishte sikur një ritual për ta sjellë familjen bashkë rreth tryezës. Aty në kuzhinë ishte edhe një radio e vogël, e cila gjithmonë ishte e kurdisur në valët e Radio-Prishtinës, programit të parë apo të dytë. Disi kjo koha e përcaktuar e drekës gjithmonë përkiste me kohën kur po transmetohej emisioni “Përshëndetjet e ndëgjuesve tanë”. Nëse ndonjë familje kishte një të arritur të caktuar gjatë javës, si p.sh. dhënien e provimit për patentë shofer të ndonjërit anëtar të familjes, dhënien e provimit të caktuar në fakultet, ndonjë fejesë, martesë, lindje të ndonjë fëmije, gjasat më të mëdha ishin se në atë emision radiofonik do të pranohej një urim nga ndonjë pjesëtar i fisit dhe urimit do t’i kacavirreshin edhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes.

E ashtu duke ngrëne drekën e përbashkët familjare të radhës, nga valët e radios në kuzhinën tonë po vinin “Përshëndetjet e ndëgjuesve tanë”.

“Halla Havushi, nipit Kadrushit ia uron mbrojtjen e disertacionit të doktoraturës në Lublanë me këngën “bjeri fajdes, fajdexhi”. Urimit i kacavirren edhe halla Nustreti, axha Fikreti, axha Ismeti, axha Bexheti me familje, daja Azem me kabile prej Zvicre, edhe tezja Samile. Vazhdon kënga “bjeri fajdes, fajdegji” nën zhurmën e lugëve që cakërrohen për pjatat e porcelanit nga e cila del avulli i supës së nxehtë të servuar nga mami.

Kthimin në realitet nga ky udhëtim në kohë sapo ma bëri kabllogrami diplomatik i radhës në të cilin thuhet se sot, në orën 10:00, më datën 23 maj 2019, kryeparlamentari Kadri Veseli ka thirrur një konferencë për shtyp. Si duket konferenca për shtyp ka të bëjë me lajthitjen e emrit të tij në rastin e ndërtimit të spitalit privat në tokat e QKUK-së nga biznesmeni Faton Dalladaku dhe karakterit tjetër me emrin Rrahim Hashimi. Në njërin nga xhirimet e publikuara nga KTV-ja emri i Kadri Veselit lakohet se atij i ishin dhënë 200.000 euro për ndërtimin e këtij spitali. Vetëm dy apo tri ditë më parë kryeparlamentari Veseli Kadrija në emisionin “Rubikon” të KTV-së kishte bërë një pyetje publike se “si është e mundur që gruaja e Albin Kurtit, zonja Rita Knudsen Augestad, t’i ketë 80.000 euro në xhirollogarinë e saj? Në fakt, vetë pyetja e Kadrushit më vete mbërthen përgjigjen se si ai dhe të gjithë shokët e tij arritën që t’i bënin milionat në Kosovën e pasluftës dhe me atë logjikën të cilën ai e ka në dispozicion pritet që të jetë edhe përgjigjja për 80.000 eurot e Ritës.

Kadrush, popullit të painformuar dhe letargjik në komë është dashur që t’u shpjegosh se Rita është norvegjeze, një nga shtetet më të pasura në botë dhe si doktore shkencash dhe ligjëruese nëpër fakultete me renome evropiane, Rita ua jep notat e provimeve me “fajde” studentëve të saj. Saora bëhen 80.000 euro. Çka janë 1.000 euro për me e kalu një provim e nëse dëshiron notë më të lartë çmimi ngrihet në 80.000 sa çel e mëshel sytë Kadrush. Tregoji ti popullit pa qasje në internet dhe pa informata, tregoju “injorantëve” se qysh i bëri Rita ato 80.000 euro në konton e saj! Tregoji sa fajdetë i mori nga buxheti i Republikës së Kosovës me tenderë për asfaltim të rrugëve, fajde për privatizim të tokave shoqërore, fajde për privatizimin e aseteve biznesore, shoqërore dhe publike. Fill e për pe tregoji popullit “injorant” qysh na e ka pirë Rita gjakun me pambuk qe 20 vjet qysh nga përfundimi i luftës në Kosovë. Me siguri i ka ajo më shumë se 80.000 euro Kadrush. Duhet ta lajmërosh në SKAT-in norvegjez, Kadrush, se atje njëjtë si te ne shteti nuk funksionon dhe prokurorët janë pak më të zinj se te ne në Kosovë. Kadrush, tregoji popullit se në Norvegji edhe peshqit janë të korruptuar se lëre më njerëzit.

Koha kur Kadrushi përflitet se e ka pranuar këtë shumën prej 200.000 eurosh ka qenë viti 2012, kur Kadrushi ishte ende në nëntokë i fshehur si urithi. Paramendoni çka ka bërë ky njeri pastaj kur na doli në sipërfaqe mbi tokë? Mirëpo, duke e njohur Kadrushin si një pellazg autokton të vjetër, ai e ka pritur fundin e botës sipas kalendarit të Mayave më 21 dhjetor të vitit 2012, dhe vetëm ka dashur ta siguronte një asistencë të vogël financiare për fillimin e një bote të re. Asaj me kallamari e karkaleca deti të Bora-Bor-niqit.

“Dekada e Re” e PDK-së diqysh ka filluar shumë ters e me shumë baksuzllëk. Javën që shkoi e patëm atë fiaskon me deputeten e PDK-së, zonjën Flora Brovina, dhe me publikimin e fotografisë së dhunimeve serbe gjatë luftës e që u dëshmua se kishte qenë nga një insert filmi pornografik hungarez. Kjo le që ishte një goditje fatale për kauzën e të dhunuarave të luftës, por ishte edhe një goditje për vetë PDK-në si sponsore e formimit të një “tribunali” për gjenocidin serb në Kosovë. Çudirat në Kosovë jetëgjatësinë e kanë 3 ditë dhe më pas vjen skandali i radhës dhe e mbulon atë të mëparshmin, sado i rëndë dhe i dëmshëm të ketë qenë. E këtë Kadrushi e di shumë mirë. Prandaj, sot në mëngjes ia lyen kokën popullit aty me një konferencë për shtyp, e kërcënon dikë se do ta dërgojë në burg ndokënd që ia përmend emrin, si dhe nëse dikush ka ndonjë dëshmi për ndonjë rast të përfolur për korrupsion ku emri i tij lakohet, ta lajmërojë rastin tek kryeprokurori Lekë Lumezi, i cili punën e kryeprokurorit e ka të dielave, sepse 6 ditët e tjera merret me ato 6 punët e tjera, të cilat i ka. E kështu pra ndërtohet shteti ligjor.

* * *

Thonë se Zoti e krijoi botën për 7 ditë.

Në ditën e parë tha: “le të ketë dritë”. Ashtu edhe u bë. “Ndodhi drita, e cila e ndau atë nga errësira”.

Në ditën e dytë Zoti tha: “le të jetë një kupë qiellore, e cila do t’i ndante ujërat që ishin mbi kupën qiellore nga ato të cilat ndodheshin nën kupën qiellore”.

Në ditën e tretë Zoti tha: “le të mblidhen ujërat e nënkupës qiellore në një vend dhe le të shfaqen në sipërfaqet e terura pa ujë (tokat)”.

Në ditën e katërt Zoti tha: “le të ketë dritë në kupën qiellore, e cila do ta ndante ditën nga nata. Do të kishte dritë në trajtë dielli gjatë ditës dhe dritë në trajtë hëne dhe yjesh gjatë natës”. Ashtu edhe u bë.

Në ditën e pestë Zoti tha: “le të ketë krijesa në ujërat e kësaj bote dhe krijesa, të cilat do të fluturonin përmbi ujin e kësaj bote”. Ashtu edhe ndodhi.

Në ditën e gjashtë Zoti tha: “ le të vijnë në botë gjallesat e shumta, të cilat do të shumoheshin dhe do të ngjasonin me ato të cilat u paraprinë. Le të ketë gjallesa të shumëllojshme, të cilat do të ecnin mbi këtë botë. Le ta krijojë njeriun në imazhin tonë dhe ai t’i zotërojë të gjitha gjallesat në det dhe ato mbi tokë”. Ashtu edhe u bë.

Në ditën e shtatë Zoti tha: “ sot është e diel, sot do të pushoj nga e gjithë puna të cilën e kam bërë. Le të ketë një PDK për të hallakatur gjithë këtë harmoni në tokë, të cilën unë e kam krijuar”. Ashtu edhe u bë.

Fjala e Zotit ra në vend që nga krijimi i kësaj bote. PDK-ja u bë zotëruese e të gjitha gjallesave në ujë edhe jashtë ujit në Tokë. Këtu shpjegohet afiniteti i tyre partiak për kallamari, karkaleca deti, midhje, levrekë, e mbi tokë për parcela, objekte të bizneseve, gurëthyes e kështu çka të qëllojë rrugës.

P.S. Ramush, Serbinë e ke kallë me taksë! Tash ja kishe mësy edhe Shqipërisë qysh niva. Je ba si kulçedra e Daenerys Targaryen në “Game of Thrones”. Dracarys Ramush, palla mos t’ha!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani