Xhipi i zi si monument i luftës

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 25 May 2019 08:13

A duhet të jenë pasurimi i shpejtë dhe babëzia monument i luftës? Fatkeqësisht, shumë raste në Kosovën e pasluftës e vërtetojnë një gjë të këtillë

NJËRA NGA KËTO ditë do të jetë dita e 7.300-të që nga përfundimi i luftës. 7.300 ditë do të thotë 20 vjet.

7.300 është numër më i vogël se numri 10.495. Kaq llogaritet të jetë numri i shqiptarëve të vrarë në Kosovë, në periudhën janar 1998 – dhjetor 1999, sipas FDH-së.

7.300 është numër më i vogël se numri 20.000. Kaq llogaritet të jetë numri i dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, sipas organizatave të ndryshme të të drejtave të njeriut.

7.300 është numër më i vogël se numri 120.000. Kaq llogaritet të jetë numri i shtëpive dhe pronave të shqiptarëve të shkatërruara gjatë luftës, sipas UNHCR-së.

7.300 është numër më i vogël se numri 590.000. Kaq llogaritet të jetë numri i shqiptarëve të zhvendosur nga shtëpitë e tyre brenda Kosovës, vetëm deri në maj të 1999-s, sipas UNHCR-së.

7.300 është numër më i vogël se numri 863.000. Kaq llogaritet të jetë numri i shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, vetëm brenda periudhës mars – qershor 1999, sipas OSBE-së.

ÇKA KANË BËRË shqiptarët e Kosovës për këto 7.300 ditë, për të evidentuar, dëshmuar, dënuar këto krime? Çka kanë bërë liderët e shqiptarëve të Kosovës për këto 7.300 ditë?...

Nëse dikush sot dëshiron t’ia tregojë aparteidin dhe përpjekjen për gjenocid ndaj shqiptarëve gjatë viteve ’90 nuk e ka fare të lehtë.

Viktima shqiptare, gjatë këtyre 7.300 ditëve nuk ka qenë vetëm viktimë e regjimit serb, por edhe viktimë e vetë shqiptarëve në liri.

Liderët politikë të pasluftës më shumë ngarendën që secili t’i kujtojë “heronjtë e vet” sesa martirët, qytetarët civilë. Për këtë arsye sot e kësaj dite në Kosovë ka vetëm një monument, i cili kujton viktimat e luftës, kurse ka me qindra monumente që kujtojnë luftëtarët.

Respekt deri në fund për secilin që nuk e ka kursyer edhe vetë jetën që të tjerët të gëzojnë lirinë, por jo shumë respekt për liderët shokë të tyre, të cilët, duke dashur t’ua japin respektin, kanë llogaritur në përfitimet e veta. Se, është e thjeshtë, shokët me pushkë në dorë edhe në bronz mund t’u sjellin vota, viktimat nuk u sjellin asnjë votë.

Viktimat sjellin vetëm pasqyra.

Për këtë arsye deri më sot nuk e kemi asnjë muze të luftës, por kemi me mijëra personazhe që krekosen në emër të luftës.

CILAT JANË MONUMENTET e vërteta të luftës në Kosovë?

Ka një numër të atyre që e kanë përdorur luftën për përfitime të pasluftës (respekt për përjashtimet). Për këtë arsye sot nuk është e jashtëzakonshme që ta shohësh një shtëpi superluksoze të ndonjë lagjeje elite të qyteteve dhe ta ndërlidhësh me ndonjë personazh nga lufta. Nuk është farë e jashtëzakonshme të shohësh xhipa të zinj super të shtrenjtë dhe t’i ndërlidhësh me personazhe nga lufta.

A duhet të jenë pasurimi i shpejtë dhe babëzia monument i luftës? Fatkeqësisht, shumë raste në Kosovën e pasluftës e vërtetojnë një gjë të këtillë.

Sa për viktimat dhe dëmet e luftës jemi kujtuar sot, pas 7.300 ditëve nga lufta (a janë kujtuar?!).

Drejtësi?

Deri më sot ishte pabarazi.

Babëzi.

Mujshi.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi