InformBuroja, KomitTerrNa dhe Simiti i Berlinit

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 06 May 2019 08:05

Presidentit Thaçi kompasi i moralit dhe i përgjegjësisë i ka humbur moti apo, thënë edhe më saktë, ai me një kompas të tillë nuk ka disponuar asnjëherë në jetë. Pika më e lartë mbidetare në Kosovë është maja e egos së Hashim Thaçit, dhe është aty e dyta pas Mont Everestit.

Mirëmëngjesi ditar i dashur! Java e cila na ndau nga njëri-tjetri sapo iku. Ja ku jemi sërish unë edhe ti. Sigurisht se në epiqendrën e kabllogrameve diplomatike është Simiti i Berlinit, i cili kësaj radhe u gatua nga kuzhinieri francez Macron dhe shefja e kuzhinës dhe menaxherja gjermane, Merkel.

Mysafirë ishin aktorët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në qendër të vëmendjes ishin aktorët nga Kosova, Serbia, si dhe Shqipëria.

Ishin të ftuar presidentët, si dhe kryeministrat e shteteve, me përjashtim të Ilir Metës.

Delegacioni ynë tamam ashtu si ekskursionet e maturantëve ishin 40 në numër dhe për në Berlin fluturuan me aeroplanin privat të zëvendëskryeministrit të Kosovës, respektivisht ministrit të Punëve të Jashtme, Air BegJet Pacolli. Që të jem korrekt, nuk jam i sigurt që të gjithë 40 anëtarët të kenë udhëtuar me këtë aeroplan privat. Mendoj se një pjesë e tyre mund t’i kenë përdorur fluturimet komerciale. Për rilindësin tonë Edi Rama, gjithashtu, nuk e di se a i hipi Lasgushit për të fluturuar për në Berlin apo i shfrytëzoi fluturimet komerciale.

Gjëja tjetër e cila ra në sy ishte se secili politikan e kishte me “vete” nga një gazetar “personal”, dhe si të harrojmë pa e përmendur atë më personalin nga të gjithë, ligështinë e tij Baton Haxhiu. Ai më dhimbsej më së tepërmi. A të vraponte pas Ramës, pas Thaçit apo pas Vuçiqit? Njeri është gazetar e jo kaskader. Batoni ishte ankuar për një fotografi të publikuar në portale, ku shihej i ekzaltuar duke ia shtrënguar dorën Vuçiqit. Tha se ajo fotografi ishte bërë para pesë vjetësh dhe se ai rastësisht gjendej në rreshtin e parë. Nuk ka lidhje Baton kur është shkrepur, me rëndësi është se gjithmonë pas koncertit dirigjenti ia zgjat dorën violinës së parë të orkestrës.

Pamjet e para nga Berlini na erdhën nga vizita e delegacionit tonë bërë Ambasadës së Kosovës në Berlin. Presidenti Thaçi në xhinse dhe në këpucë sportive po dukej si ata tapkaroshat (stërshitësit e biletave të kinemave) atje në vitet ‘70 dhe ‘80, e edhe gjestet i kishte të njëjta sikur të atyre. Kryeministri Haradinaj gjatë takimit me ambasadorin e Kosovës në Berlin dhe stafin e tij saora i fitoi ca poenë politikë me qortimin, të cilin ua bëri me pretekstin se Ambasada ishte mbyllur për shkak të vizitës së delegacionit shtetëror, ndërsa nëpër korridore të Ambasadës po pritnin fëmijë të shumtë për shërbimet e Ambasadës.

Ajo çka ra në sy ishte se në murin prapa vendit ku ishte i ulur kryeministri Haradinaj ishin të varura ato që ne i quanim dikur rrotëkapne ose si i quajnë sot fellne të aluminit. Diku lexova se ishin vepra arti dhe që përshkruajnë rrugëtimet e shqiptarëve në migrim?! Mund të jem gabim, por sqarimi ishte diçka i ngjashëm dhe unë assesi s’po mund ta kap me këtë logjikën e një laiku në art. Po shqiptarët nuk dolën në Perëndim me BMW-a, Mercedesa apo me WV-ja! Sqarimi tjetër që lexova diku ishte se ato fellne të aluminit reprezantojnë dashurinë dhe respektin e kosovarëve për auto-industrinë gjermane dhe ambicien e politikanëve që ajo industri të vijë të investojë në Kosovë. Për këtë sqarimin e dytë unë e kam një propozim edhe më kuptimplotë artistik për politikanët tanë. Në vend të atyre rrotëkapneve, të varen ca ekzemplarë të amortizatorëve, që dikur prodhoheshin në Prishtinë, e të cilat furnizonin tregjet evropiane të autoveturave me to. Ajo fabrikë tashmë është privatizuar nga politika dhe nga vëllezërit Devolli dhe tani aty është Klan Kosova, me drejtorin e saj Baton Haxhiu. Përveç amortizatorëve në mur, do të mundë të vareshin edhe disa ekzemplarë të akumulatorëve të “Trepçës”, gjithashtu dikur të plasuara edhe në tregun evropian të autoindustrisë. Sot ajo fabrikë është jashtë funksionit. Në mur, gjithashtu, do të mundë të vareshin edhe ca ulëse veturash, që dikur prodhoheshin në Pejë. Nuk jam i sigurt për fatin e asaj fabrike ditëve të sotme, por aspak nuk do të çuditesha nëse edhe ajo deri më tani është privatizuar nga ana e politikës dhe ka ndërruar veprimtari.

E shihni, ai mur do të mundë të ishte një ekspoze e vërtetë e kontributit kosovar në autoindustrinë evropiane me fellne të aluminit, po mbetet vetëm një Bandashsadë e Kosovës në Gjermani.

Mirëpo, kësaj punës së fellneve do t’i shkoja deri në fund. Pse vetëm gjermanët ta kenë Bundestagun e tyre. Unë do ta dekoroja të gjithë Kuvendin e Kosovës me aso fellnesh të aluminit dhe ta quajmë Bandashstagu i Kosovës! Ambasador më kreativ se mua Kosova vështirë se do të ketë ndonjëherë!

Pjesa zyrtare e Simitit të Berlinit pak a shumë rrodhi ashtu siç e prisja se do të rridhte. Frau Merkel, edhe pse me prognozat e Batonit, e “dobësuar” politikisht pasi që është në përfundim të mandatit të saj si kancelare e Gjermanisë, liderucave të treshes së famshme Thaçi-Rama-Vuçiq ia bëri me dije se është ajo dhe Gjermania që do të kolliten këndejpari kur vjen puna te temat mbi Ballkanin, ndërsa në vagonin e saj është kacavjerrë edhe presidenti Macron i Francës. Gjithashtu në mënyrë indirekte ishte shuplakë edhe për Brukselin dhe Mogherinin, e cila bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kishte kohë që po i udhëhiqte krye më vete, pa dhënë shumë llogari tek shtetet evropiane ndaras. Një goditje e vogël gjithashtu iu dha edhe Putinit dhe sejmenëve të tij dhe ideve të tij për rolin rus në Ballkan. Delegacioni kosovar e kishte bërë një “gabim në hapa”, sepse para se të shkonin në takimin e Simitit të Berlinit, ata kishin shkuar fillimisht në Ambasadën amerikane. Unë i kuptoj miqësinë edhe rolin e shtetit amerikan për Kosovën, por ajo vizitë në Ambasadën amerikane në Berlin nuk po më duket e logjikshme e as e drejtë kundrejt nikoqirit të Simitit. Fundja, çfarë mesazhi mund të marrësh në Ambasadën amerikane në Berlin e të cilin nuk e merr në Ambasadën amerikane në Prishtinë? Njohuria ime diplomatike këtu ka zatetur në gozhdë.

Mesazhet e zonjës Merkel dhe zotëri Macronit ishin të qarta. Nuk do të ketë ndryshime të kufijve dhe shkëmbime territoresh me kufij etnikë për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë ua kallën shupat, si dhe ëndrrat Hashimit, Edit, Aleksandrit, Batonit, dhe një pjese të konsiderueshme prej 40 anëtarëve. Themeluesi i hutisë informative Hashim Thaçi dhe InformBuroja e tij si gjithnjë i ndërronte deklaratat nga mëngjesi e deri në darkë. Simitin e quajti të dështuar, sepse natyrisht ai nuk ishte i gatuar sipas shijes së tij. Evropën e akuzoi se gënjeu për vizat, dhe se ajo ka gati qasje raciste ndaj kosovarëve.

InformBuroja para ca ditësh u paraqit edhe pranë Komisionit parlamentar për t’u përgjigjur mbi rastin e dëbimit të 6 shtetasve turq. Ndoshta e mbani ndërmend nga kabllogramet e mëhershme që unë atë rast e quaja njolla më e errët e demokracisë dhe e shtetësisë së Kosovës. E ajo u dëshmua me paraqitjen e presidentit pranë këtij komisioni. InformBuroja kishte ardhur që të bënte gjithçka, por që të mos dëshmonte. Ai atë edhe e arriti. Qasja e tij si prej një rrugaçi e arriti qëllimin e vet dhe i nxori nga takti edhe anëtarët e Komisionit parlamentar që ranë në grackën e tij, dhe filluan që të fyheshin me presidentin e edhe ndërmjet vete. Për çudi, kredi duhet dhënë Frashër Krasniqit, i cili ishte i vetmi që nuk e hëngër atë karrem, dhe qasjen e pati në nivelin e duhur dhe e mbajti ftohtësinë profesionale. Përndryshe, përveç InformBurojës, aty ishte edhe KomitTerrNa me deputetin Bekë Krasniqi, i cili mori lojën e avokatit mbrojtës të presidentit, si dhe ofendimet ndaj kolegëve të tij deputetë. Nuk besoj se qytetari i Kosovës të jetë ndier më i fyer sesa atë ditë me lojën e pistë që presidenti i Kosovës po na e bënte me performancën e tij LIVE, se si “nuk do të pranonte” që t’i shkelte ligjin dhe Kushtetutën pa marrë shpjegim ligjor mbi angazhimin e ekspertit të jashtëm në kuadër të Komisionit parlamentar. Këtë ka mundur ta kërkonte me një e-mail të thjeshtë me shkrim e jo të injoronte Komisionin parlamentar me muaj të tërë. Në një moment, Hashim presedniki iu drejtua deputetit të VV-së, dikur Avokat i Popullit, Sami Kurteshit, me fjalët “je ardhur m’u ke lutur si zvarranik për me ta dhënë pozitën e Avokatit të Popullit”. Zotëri president, edhe sikur ajo të cilën ju po e thoni të jetë e vërtetë, po si ka mundur ndryshe t’ju lutet juve zotëri Kurteshi kur zvarranik jeni ju vetë, apo jo gjarpër? Si “historian” që është, fyerjen e radhës ia bëri deputetit Anton Çuni, duke e quajtur Boshko Buha, i cili ishte një fëmijë 15-vjeçar që dallohej si bombahedhës dhe e humbi jetën në luftë kundër gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore. Presidentit Thaçi kompasi i moralit dhe i përgjegjësisë i ka humbur moti apo, thënë edhe më saktë, ai me një kompas të tillë nuk ka disponuar asnjëherë në jetë. Pika më e lartë mbidetare në Kosovë është maja e egos së Hashim Thaçit dhe është aty e dyta pas Mont Everestit.

P.S. Kryeministër, sa i përket taksës, se e kam lënë pak pas dore. Mbaje burrë, po ta ndin, sa shkon, shkon…

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Iba09/05/2019 13:48

Deshta me te lavderu per kete shkrim se e paske qellu tamon qysh osht. E sa i perket fabrikes se pjesve te automjeteve ne peje si dhe fabrika e biqikletave ne peje, jane ne pronsi te Ramiz ELKOSIT qe i ka shendru ne "pilare" ne dyqane shitjesh. Krejt ato makina jane hudh ne mbeturina. !!!!!

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani