OpEd

Mbi vrasësit e shumtë të Edin Salahareviqit

Ai ishte mbase talenti më i madh i basketbollit të juniorëve në Jugosllavi. Një ditë jo të largët ai ndoshta do të luante në NBA, në ligën e famshme amerikane të basketbollit. Por Edin Salahareviqi përfundoi në një varr masiv në Bosnjën lindore. Vrasësit e tij nuk janë dënuar ende.

Në fund të marsit të vitit 1992 Edin Salahareviqi luante basketboll për ekipin e juniorëve të “KK Sloboda-Dita” nga Tuzlla. Ekipi sapo kishte fituar titullin e kampionit të Jugosllavisë për juniorë. Edin Salahareviqi ishte një çun nga Vllasenica në Bosnjën lindore. I stolisur me titullin e kampionit ai vendosi të kthehej në qytetin e lindjes për t’u takuar me familjen, me nënën e babanë, me vëllanë dhe me axhën. Shkoi për vizitë për festën e Bajramit, që në Bosnjë përherë ka qenë më shumë se kremte fetare. Në qershor të vitit 1992 Edin Salahareviqi do të fillonte të luante basketboll për reprezentacionin e Jugosllavisë.

Edin Salahareviqi nuk u kthye kurrë nga Vllasenica. Në historinë e qytetit 28 marsi i viti 1992 do të hyjë si Bajrami i Përgjakshëm. Njësia e terroristëve çetnikë e quajtur “Miçini speciajallci” e burgosi Edin Salahareviqin – bashkë me nënën e tij, babanë dhe vëllanë. Si shumë familje të tjera të burgosura, edhe familja Salahareviq iu nënshtrua keqtrajtimeve bestiale nga çetnikët. Dhe një ditë çetniku Predrag Bastah i tha Edin Salahareviqit: “Edhe po të dalin të gjithë (nga kampi), ti nuk do të dalësh. Kaq zgjati loja jote e basketbollit”. Predrag Bastah është dënuar me 22 vjet burg për shkak të krimeve ndaj boshnjakëve (myslimanëve). Edin Salahareviqi u vra bashkë me babanë e tij. Eshtrat e tij u gjetën tek në vitin 2009, ndërsa të babait të tij disa muaj më vonë.

Me vrasjen e Edin Salahareviqit u vra një njeri, u vranë ëndrrat e tij për një jetë me plot gëzime e suksese, u godit e u shua përgjithmonë një talent i sportiv, një basketbollist, i cili ndoshta një ditë do të luante në NBA, në ligën e famshme amerikane të basketbollit. Ai do të bëhej me siguri po aq yll sa ishte Drazhen Petroviqi i famshëm.

Aktori dhe regjisori i njohur boshnjak Emir Haxhihafizbegoviq ka xhiruar filmin dokumentar “Shtëpitë që qajnë”, mbi jetën dhe vdekjen e Edin Salahareviqit. Është një film që, siç thuhet, edhe gurin e bën të qajë. Kur basketbollisti gjendej tashmë në kampin e çetnikëve serbë, të përkrahur nga Armata (e serbizuar) Popullore e Jugosllavisë (APJ), për lirimin e tij u angazhua Milosh Boshnjakoviqi, drejtor sportiv i klubit “KK Sloboda-Dita”, po nga Vllasenica. Por një gjykatës serb në Vllasenicë u përgjigj kështu: “Çfarë serbësh jeni ju që aq shumë angazhoheni për një mysliman?”

Ditë më parë në Bosnjë ka vdekur nëna e Edin Salahareviqit – dhe aktori Emir Haxhihafizbegoviq e ka marrë këtë si shkas për t’ia dërguar një letër të hapur Milorad Dodikut, që tani është kryetar i Kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës. Haxhihafizbegoviq i lutet Dodikut të inkurajojë drejtësinë e Bosnjës, të arrestojë, të nxjerrë para gjyqit dhe të dënojë vrasësit e basketbollistit Salahareviq. Sepse vrasësit e tij janë të shumtë. Njëri ndër ta, udhëheqësi i “Miçini speciajallci”, Miço Kraleviqi, koleg partiak i Dodikut, ende është kryetar i Vllasenicës. Ka një aktakuzë kundër Kraleviqit për krime lufte, por ajo mbahet në sirtarët e Prokurorisë së Bosnjës. Në liri janë edhe së paku tre serbë që dyshohet se kanë marrë pjesë në krimet masive të luftës në Vllasenicë. Haxhihafizbegoviq iu drejtua Dodikut edhe për shkak se ai njihet si simpatizant i madh i lojës së basketbollit.

Por, kur u pyet nga mediat se çfarë mendonte për letrën e hapur që ia kishte dërguar aktori nga Sarajeva, Dodik u bë sikur nuk e njihte atë (“kush është ai?” “çfarë kam të bëj unë me të?”). Për Miço Kraleviqin, Dodik mendon se është “kryetar i shkëlqyer”. Kështu edhe disa dekada pas krimit në Vllasenicë vrasësit e Edin Salahareviqit jo vetëm që nuk ndiqen nga drejtësia, por ushtrojnë funksione politike. Dhe Milorad Dodiku ngado që shkon e përsërit se Srebrenica dhe gjenocidi i atjeshëm janë “mit i fabrikuar”. Për të “dokumentuar” këtë së fundi në Banjallukë pushteti i Dodikut organizoi një “konferencë shkencore ndërkombëtare”, ku negacionistë të gjenocidit e përhapës të teorive të komplotit minimizuan krimet serbe në Srebrenicë. Mes tyre ishin edhe shtetasi amerikan Jared Israel, anëtar i Komitetit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Slobodan Milosheviqit dhe Alexander Dorin, i cili jeton në Basel te Zvicrës dhe në të vërtetë emri i tij i vërtetë është Boris Kërliq.

Dodik shpreson se do t’ia dalë të minimizojë krimet e serbëve në Bosnjë edhe përmes dy komisioneve që i ka emëruar: njëri komision do të hulumtojë se “çka ka ndodhur me të vërtetë në Srebrenicë”, ndërsa komisioni tjetër pritet të merret me “vuajtjet e serbëve në Sarajevë gjatë luftës”. Në krye të “Komisionit serb të Srebrenicës” është emëruar Gideon Greif, një historian i njohur izraelit dhe ekspert në fushën e hulumtimit të Holokaustit. Anëtar i “Komisionit serb për Sarajevën” është Raphael Israeli, profesor në Universitetin Hebraik në Jerusalem. Israeli më 2011 ia dha një intervistë fletushkës nacionaliste serbe “Peçat”, me ç’rast tha se “i vetmi gjenocid i dëshmuar është Holokausti, i cili ka qenë përpjeke për shfarosjen e tërë një populli”. Vetë kjo deklaratë e Raphael Israelit e diskualifikon atë si hulumtues serioz. Nuk do të ishte befasi nëse Dodik e emëron anëtar të të dyja komisioneve edhe Miço Kraleviqin, kryetarin e Vllasenicës. Pastaj të gjithë së bashku do të arrinin në përfundimin se basketbollisti Edin Salahareviq e ka vrarë veten.