Non germinat nuntius

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 22 April 2019 08:13

Ato mësimet e para të diplomacisë, të cilat datojnë nga historia e njerëzimit, vijnë edhe nga fjalët latine “non germinat nuntius”, që në përkthim në shqip i bie “mos e mbytni kasnecin (lajmëtarin)”.

Ambasada ime vazhdon të jetë e pushtuar nga kabllogramet e shumta diplomatike. Do të mundohem që t’i ndaj ato më të rëndësishmet nga java e kaluar.

Gjatë vitit të fundit ambasadat nuk u çmuan shumë për atë se çka ato “mendojnë” për fjalën e lirë. Kujtojini ngjarjen makabre në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll dhe fatin e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, i cili për shkak të shkrimeve dhe kritikave ndaj Qeverisë së tij u bë copë e grimë nga të njëjtit. Hetimet vazhdojnë. Në javën që e lamë pas edhe në Londër në Ambasadën e shtetit të Ekuadorit, ku i ishte dhënë azili disidentit Julian Assange, njeriut i cili nëpërmjet kompanisë së tij “mediatike” në internet, “Wikileaks”, kishte hyrë thellë në punët e pista shtetërore të bëra “në emër të popullit” dhe po shpaloste krimet e bëra në Irak nga ana e Ushtrisë amerikane, publikime të dokumentacioneve të shumta “Top Secret”, pastaj afera “Panama Papers”, si dhe publikimin e e-mailave të shumtë të sekretares së atëhershme të shtetit amerikan znj. Hillary Clinton nga serverë të e-mailave komercialë, që ishte ndesh me procedurat e sigurisë së shtetit amerikan. Zonjës Clinton këto afera i kushtuan me humbjen e zgjedhjeve të saj për presidente të SHBA-së, ndërsa cinikët do të thoshin se Julian Assange ishte spiun i paguar rus. Para pak ditësh presidenti i ri i zgjedhur i Ekuadorit revokoi kërkesën dhe aprovimin e azilit për Julian Assange, dhe kërkoi nga policia britanike që ta merrnin atë nga aty pas 7 vjetëve qëndrimi dhe strehimi të tij. Arsyet të cilat i kishte dhënë presidenti i Ekuadorit kishin të bënin me sjelljet e “padurueshme” dhe “jo të respektueshme” të Julian Assange përbrenda Ambasadës së Ekuadorit. Kryetari Moreno si duket po harron se në këtë shekull të zhvillimit teknologjik dhe përcjelljeve të informatave në momentin kur ato ngjarje ndodhin ta “cekë” se Ekuadorit i ishin akorduar 4.2 miliardë dollarë nga IMF-ja, si kundërshpërblim për këtë trysni të amerikanëve, çka do të ishte një tradhti e vogël prej nikoqiri për një plesht si Julian Assange. Shumë britanikë nga jeta publike dhe politike, e edhe unë si një britanik i natyralizuar u ndjeva i turpëruar nga sjelljet e policisë dhe Qeverisë britanike, sidomos nëse ata do të pajtoheshin me ekstradimin e tij në Amerikë, edhe pse ajo do të paraqiste një precedent në ligjin britanik.

Ato mësimet e para të diplomacisë, të cilat datojnë nga historia e njerëzimit, vijnë edhe nga fjalët latine “non germinat nuntius”, që në përkthim në shqip i bie “mos e mbytni kasnecin (lajmëtarin)”.

Nëse ju kujtohet afera “Pronto”, protagonistët e aferës e që asokohe ishin edhe në qeverisje të vendit nëpër pozita të larta qeveritare dhe të ndryshme publike, nëpër media sulmonin gazetarët dhe opinionin publik, duke thënë se ato ishin biseda private dhe si guxon dikush t’ua cenojë privatësinë me publikimin e tyre. Telefonat e mençur të paguar nga tatimpaguesi, faturat e telefonave të paguara nga tatimpaguesi, bisedat nga të cilat tatimpaguesi dhe shteti po dëmtoheshin dhe keqpërdoreshin ditë për ditë në shumë nivele. Nuk e di sa ka qenë ligjore publikimi i atyre bisedave, por e di sa joligjore kanë qenë përmbajtjet e shumta të atyre bisedave, prandaj “non germinat nuntius”.

Këtu për mendimin tim qëndron edhe ajo logjika e shëndoshë pse Julian Assange duhet mbrojtur. Ndoshta ai mund t’i ketë “shkelur” ca ligje me publikimin e materialeve të tij në “Wikileaks”, mirëpo është përmbajtja e atyre materialeve që neve si shoqëri njerëzore, e cila mëton ndërtimin e demokracisë në shekullin XXI, duhet të na brengosë.

Qeveritë e zgjedhura me votën e lirë qytetare nuk do të thotë se në emër të atyre votave mund të sillen dhe të bëjnë çfarë të dëshirojnë, duke mos i dhënë llogari askujt dhe duke shkatërruar miliona jetë njerëzish në atë proces.

Nga kabllogramet vendore do të ndaja debatin aq të kotë të ngritur nga deputeti ikonik i Vetëvendosjes e tash deputet i PSD-së, dhe akuzave të tij se Glauk Konjufca paska qenë punëtor i SHIK-ut, gjatë viteve 1999-2000. Po kujt po i intereson ajo gjë? Edhe vetë “provat” që deputeti Molliqaj i vuri para Kuvendit të Kosovë, ku ai tha se ish-kolegu i tij dhe shoku i ngushtë partiak Glauk Konjufca kishte punuar në “futje të të dhënave nga Lugina e Preshevës” dhe rrogën e kishte pasur 150 marka gjermane. Rroga e vogël kishte qenë arsyeja pse Konjufca ishte larguar nga SHIKU, sipas “provave” të Molliqajt. Për te bërë këtë cirk edhe më kuptimplotë dhe sharmant, ishte edhe deklarata e kryeministrit në tentativë, kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili iu drejtua Konjufcës me fjalët “autoriteti yt është lëkundur pak kohën e fundit”. Paramendoje! Shefi i dëshmuar i SHIKUT e vlerëson autoritetin e lëkundur të dikujt, me akuza se ka qenë punëtor i SHIK-ut si një 18-vjeçar, i cili ka futur të dhëna. Pyetja ime për parlamentarin Veseli është se ku mbetet autoriteti juaj si shef i dëshmuar i SHIK-ut?

Debat koti, i cili më shumë po flet për ata që po akuzojnë sesa për të “akuzuarin”. Jam munduar që të qëndroj larg nga kotësia e këtij debati dhe maltretimi, i cili i bëhet publikut me këtë temë qoftë nëpër studiot televizive, e qoftë me akuzat në Parlament. Qytetarit të Kosovës nuk është duke i interesuar a ka punuar Glauk Konjufca për SHIK-un. Që kjo të mos jetë e mjaftueshme si shfaqje cirku, Molliqaj e akuzon Konjufcën se ai ka shkuar edhe te Burdushi në seanca të shumta “konsulencash”. E mjerë ne për kësi politikanësh. Në këtë lajthitje të emrit të Burdushit ka reaguar edhe Burdushi, duke ia përkujtuar deputetit Molliqaj që të mos harrojë se edhe ai i ka hajmalitë e Burdushit në shtëpinë e tij!

Kabllogrami i radhës ndërlidhet me ngjarjen tragjike në Paris, me ç’rast erdhi deri te djegia nga zjarri i katedrales ikonike 850-vjeçare të Parisit, “Notre Dame”. E gjithë bota ndjeu dhembje për dëmtimin e një objekti aq të çmueshëm arkitektonik/kulturor/religjioz. Ambasada ime u vërshua me fotot e ndryshme të katedrales, qofshin ato nga momenti që ajo po digjej apo fotografi dhe kujtime të mëhershme njerëzish, të cilët e kishin vizituar atë objekt më parë. Në afat prej disa ditësh individë të ndryshëm privatë dhe korporata franceze arritën që të grumbullonin më tepër se 1 miliard euro donacione për rinovimin e saj.

Në mbledhjen e mbajtur nga Qeveria e Kosovës ishte vendosur që të jepej një donacion simbolik për rinovimin e katedrales “Notre Dame”. E kuptoj miqësinë me shtetin francez, por personalisht unë nuk jam i bindur se kjo është mënyra e duhur për ta shprehur atë miqësi. Po në Kosovë kemi me dhjetëra objekte kulturore e të trashëgimisë sonë të lëna pas dore. Nëse e marrim për shembull memorialin “Adem Jashari”, ku janë “investuar” dhjetëra miliona euro, e që një Zot e di se ku kanë përfunduar apo ndoshta djegien e Pallatit të Rinisë, gjysma e të cilit u shndërrua në parking publiko-privat dhe asnjëherë nuk u rinovua për çka ka qenë destinimi i saj origjinal. Janë edhe me dhjetëra objekte të tilla me rëndësi për trashëgiminë kulturore të Kosovës të lëna pas dore dhe në mëshirë të ndonjë “biznesmeni” kosovar, që në to me dëshirë do të hapte një restorant, mega market apo parking veturash. Duke e ditur se çfarë keqpërdoruesish të parasë publike janë, sikur unë të isha dikush nga Qeveria franceze ato mjete do t’i ktheja mbrapa, dhe do t’u thosha: “jo ju faleminderit. Merrini këto mjete dhe ndërtojeni një “Notre Dame” të vogël, jo larg prej Kullës së Ajfelit në Janjevë”.

Përndryshe, katedralja “Notre Dame” është e mbrojtur edhe me UNESCO, si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, e ne as anëtar të saj nuk jemi, ama vlerën e objekteve të rëndësishme e dimë veç qashtu. Po mund të më quani cinik apo ndoshta bukë përmbystë. Nuk është e rëndësishme shuma e të hollave aspak, por thjesht hipokrizia e njerëzve të cilët e aprovojnë një ndihmë të tillë, kur vendi i tyre është llugë sa më s’ka ku të shkojë. Në rrethana të tjera dhe sjellje të tjera të qeveritarëve ndaj parasë publike, si dhe trashëgimisë sonë kulturore fillimisht, e duke mos llogaritur këtu edhe spitalet, shkollat, qendrat e ndryshme për të moshuarit në shtëpinë tonë, atëherë kjo ndihmë sado simbolike, do të kishte kuptim, kështu siç është, “edhe fukara, edhe haletin deri te gjuri”, mua personalisht më lë shije të hidhur.

P.S. Ramush, gazetat në Serbi kishin shkruar qysh Zoti e ka dënuar Francën, sepse para pak kohe është valëvitur flamuri i Kosovës në katedralen “Notre Dame”. Futjau taksën 200%, hallall e ki!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani