OpEd

Pesë minutat e hallave, tezakëve, nipave, kunatave...

Kjo puna e kushërinjve që po punësohen gjithandej është logjika e një bashkësie të madhe familjare ku shefi t'i pret teshat, të tregon sa hise të takon, përderisa vlen ligji se punët e shtëpisë trajtohen veç në odën e burrave, dhe ku punët e familjes mbesin të mbyllura brenda atyre mureve. Për shkak se hierarkia e imponon edhe besnikërinë. Kurse besnikëria të jep autoritet për t'i zbatuar urdhrat e "plakut" dhe "pleqve" më të vegjël. E në këtë kompozicion, për formë, duhet gjetur edhe ndonjë mbesë a kunatë që ka "kryer shkollë të madhe".

Seria e kronikave të transmetuara në KTV për nepotizmin gjatë punësimeve në ndërmarrjet dhe institucionet publike vetëm sa e ka shpalosur një segment të vëllimit të problemeve dhe keqpërdorimeve që i kanë shkaktuar politikanët kosovarë prejse e kanë marrë pushtetin në Kosovën e pasluftës.

Paturpësia me të cilën madje edhe komunikojnë me publikun, duke treguar se ja, deri tash kishin qenë të diskriminuar, kurse tash po e realizojnë të drejtën që u takon, "gjithnjë përbrenda dispozitave të ligjit" është vërtet neveritëse. E edhe më neveritës është injorimi që ua bëjnë publikimit të fakteve që flasin për këtë fenomen. Dhe pos që e gjithë situata është neveritëse, ajo është edhe përherë më frustruese për shkak se nuk po u shihet fundi këtyre manipulimeve. Për me tepër, as nuk mund ta imagjinojmë se sa thellë do të kenë shkuar me këso veprimesh. Porse e gjithë kjo është aq zhgënjyese, saqë përherë e më shumë ka njerëz që shikojnë nga Perëndimi për t'i gjetur vetes zgjidhje.

Mst: SBASHK-u, shantazhues dhe fitues

Nëse politikanët tanë do të duhej të mësonin diçka nga fushata e kaluar zgjedhore, atëherë do të duhej ta dinin se me SBASHK-un, e as me një sindikatë a asociacion tjetër, nuk bën të nënshkruhen marrëveshje politike për vota.

Greva të cilën e organizoi SBASHK-u për rritjen e rrogave të premtuara në fushatë, pati për pasojë ndërprerjen trijavore të mësimit dhe përfundimisht disfatën e ekzekutivit. Shtyrja me inat e Ministrisë u solli fëmijëve humbje të orëve të mësimit, që kanë mundur të mos ndodhin, sepse në fund edhe ashtu u pranuan kërkesat e arsimtarëve. Pra, ky proces ka mundur të ishte më i shkurtër. E dëshmoi edhe pafuqinë e Ministrisë për ta zbatuar urdhëresën që orët e mësimit të zëvendësoheshin, e që sërish të binte pre e shantazhit të SBASHK-ut për rritje shtesë të rrogave.

Kryetari i SBASHK-ut mund të mos jetë njeriu më simpatik që e ka parë opinioni publik, porse duhet pranuar se ai e ka shtyrë deri në fund realizimin e premtimit të cilin me aq mendjelehtësi ia dha PAN-i në mes të fushatës zgjedhore. Votat që i blenë duheshin shpërblyer, dhe fundja këtë e bënë me paratë e buxhetit, i cili nuk do të mjaftojë kur të vijë radha e zbatimit të këtij ligji në shtator. Dhe jo, rritja e rrogave nuk do të sjellë sukses më të mirë në nxënie, për shkak se arsimtarët do të jenë po ata që e kanë prodhuar testin e kaluar PISA, dhe nuk do të ndryshojë asgjë, përderisa edhe arsimtarët të mos u nënshtrohen testimeve të aftësive të tyre profesionale, që në një shtet normal do të duhej të rezultonte me "spastrimin" e arsimit nga hallat dhe dajallarët e politikanëve që kanë zënë vende pune, por nuk dinë ta kryejnë punën si duhet.

Por kjo ministri nuk duket se e ka të qartë se sa të rëndësishëm e ka misionin për këtë shoqëri. Të vetmin send të qartë e ka se si të shkojë në Durrës e të shpenzojë shumëfishin e asaj që duhet për t'i mbledhur ekspertët e të ngjashmit kinse për të punuar për të mirën e arsimit.

Mst: Gjykata krijon një time-out

Ndërkohë, në rastin e veteranëve të rrejshëm, Gjykata në Prishtinë ka refuzuar të marrë vendimin për pezullimin e pensioneve të veteranëve të rremë, duke thënë se nuk kishte kompetencë për një punë të tillë.

Mund ta ketë e mund edhe të mos e ketë, porse e besoj se Gjykata qëllimisht nuk u është futur problemeve që mund të shkaktoheshin nga një vendim i tillë, ngase duke i marrë parasysh procedurat e stërzgjatura gjyqësore, kjo situatë do të mundë të zgjaste shumë kohë, e që kjo të shkaktonte trazira sociale, të organizuara nga organizatat e veteranëve. Sepse këta e shohin këtë veprim eventual si veprim kundër luftës së "shenjtë" të UÇK-së.

E nuk ka veprim më të keq kundër UÇK-së dhe veteranëve të vërtetë fakti se para nga kjo shoqëri marrin mbi 48 mijë njerëz, kur dihet mirëfilli se UÇK-ja, sipas fjalëve të udhëheqësve të vet kurrë nuk i ka pasur mbi 25 mijë pjesëtarë. Në vend se të çoheshin dhe të protestonin kundër numrit të fryrë të atyre që madje edhe ua marrin meritat për luftën, duke i identifikuar edhe vetë ata që rrejnë se kanë luftuar, organizatat e veteranëve në fakt, të vetmen gjë që e bëjnë, është të shndërrohen në mashë të manipuluesve që e mbajnë pushtetin dhe të shërbejnë si makina votuese.

S'do mend se edhe në këto lista do të gjenden shumë kushërinj, xhaxhallarë, dajallarë e më pak teze e halla, me gjithë faktin se nuk mund të mohohet se luftën e kanë bërë edhe familjet e tëra. Kjo, sepse mundësia e shpenzimit të parave publike për të bërë favore familjare e miqësore është punë thuajse e sanksionuar me ligjin e heshtjes në këtë vend. Dhe me atë të vjetrën, e cila është duke na mbytur: "Lërini! Ata kanë luftuar, le të kënaqen tash pak, edhe nëse vjedhin pak, nuk ka dert, se e kanë marrë pushkën në dorë". Njëzet vjet të kësaj filozofie absurde na kanë sjellë në këtë pikë ku jemi sot, dhe na e kanë ndërtuar këtë shtet hajgare.

mst: Ndërkohë

Nuk e di sa kushërinj i kanë politikanët tanë, porse po shpresoj se nuk kanë mbetur edhe shumë pa u rehatuar nëpër vendet që paguhen nga buxheti, sepse sa më shumë kushërinj, aq më i gjatë afati i akomodimit të tyre, për pasojë më i gjatë sundimi i keq.

Partitë opozitare po bëhen më të zëshme teksa i kërkojnë zgjedhjet e reja, porse nuk i kanë numrat dhe nuk mund ta nisin as mocionin e votëbesimit të Qeverisë. E në fakt, po shihet se nuk e kanë as vullnetin për një gjë të tillë tash, së paku për dy gjëra: e para, se LDK-ja është duke i mbajtur zgjedhjet e brendshme që, gjasat janë, do të përfundojnë vetëm në maj. E dyta, opozita është në pritje të përgjigjes së Kushtetueses në lidhje me Ligjin për Delegacionin Shtetëror për negociata dhe për Platformën që është pjesë përbërëse e saj -- ngase konsiderojnë se dokumenti e shkel Kushtetutën së paku në 9 nenet e saj.

Pa ligj dhe pa platformë (e cila mund bëhet e zbatueshme vetëm me hyrjen në fuqi të ligjit), Delegacioni Shtetëror, teknikisht, nuk do të duhej as të operonte. E po që se vërtetohet se edhe ligji i jep Delegacionit fuqi më të madhe seç e parasheh Kushtetuta, puna e tij do të duhej ndalur krejt, për shkak se Rezoluta e Kuvendit assesi nuk e ka fuqinë më të madhe se akti më i lartë juridik në vend.

Por kjo nuk është pengesë për nipat, tezakët, e ndoshta edhe për ndonjë hallë a teze që do të mundë të bëhej shpejt pjesë e sekretariatit, apo ekipit mbështetës të Delegacionit Shtetëror, ku sërish do të rehatoheshin ata të cilët për një arsye ose tjetër kanë mbetur jashtë "për shkak të diskriminimit" në vitet e shkuara.

As arsyetimet që këta njerëz që do të angazhohen me rroga të majme në këtë ekip mbështetës kanë kryer "shkolla të mëdha" jashtë vendit nuk pi ujë. Për shkak se shkolla të mëdha kanë kryer edhe plot të tjerë, por ja që nuk kanë qëlluar as kunata apo djem axhe a nipa të shefave të delegacionit.

Kjo puna e kushërinjve që po punësohen gjithandej, pos që siguron rehatinë financiare të fatlumëve, e tregon edhe një element shumë të veçantë të patriarkalizmit tonë aq specifik: shteti është një familje e madhe e ndarë nëpër disa shtëpi të ndërtuara me një oborr, ku dihet kush është shefi i madh (baba) dhe ku gjithë të tjerët veprojnë sipas urdhrave të "plakut". Është logjika e një ekonomie të madhe familjare ku shefi t'i pret teshat, të tregon sa hise të takon, përderisa vlen ligji se punët e shtëpisë trajtohen veç në odën e burrave dhe ku punët e familjes mbesin të mbyllura brenda atyre mureve. Për shkak se hierarkia e imponon edhe besnikërinë. Kurse besnikëria të jep autoritet për t'i zbatuar urdhrat e "plakut" dhe "pleqve" më të vegjël. E në këtë kompozicion, për formë, duhet gjetur edhe ndonjë mbesë a kunatë, që ka "kryer shkollë të madhe".

* * *

Sipas Eurostatit, nga viti 2007 Kosovën e ka braktisur 15% e popullsisë së saj. Në dy milionë banorë, ajo i bie 300 mijë njerëz, apo rreth 30 mijë njerëz në vit. Shto kësaj edhe rënien e theksuar të natalitetit (para luftës kanë qenë rreth 52 mijë foshnja të lindura në vit, e tash janë rreth 32 mijë), kjo po tregon se shumë gjëra po shkojnë mbrapsht në këtë vend.

Nëse kjo ka qenë ideja e Kosovës Evropiane të proklamuar në cilëndo fushatë zgjedhore, atëherë po, prodhojmë njerëz për të na shkuar jashtë, dhe jo vetëm si fuqi e pakualifikuar punëtore, por edhe njerëz të kualifikuar që njëmend kanë kryer shkolla të mëdha, por që këtu nuk gjejnë vend punë, ngase nuk e tejkalojnë nivelin e mediokritetit që u ka zënë vendet e punës për shkak të akraballëkut me qeveritarët.

Po të kishin qenë punët aq mirë sa na i vizatojnë pushtetarët tanë me shënimet e tyre të kurdisura statistikore, ne moti ishim shndërruar në një vend për lakmi. Por nuk jemi, dhe përditë e më tepër jemi duke e parë se si po na përkeqësohet gjendja. Përditë e më tepër po bëhen edhe më të rënda mbijetesa dhe siguria financiare e atyre që nuk janë të punësuar nëpër institucionet publike.

Dhe sërish, më shumë se kurrë, po i kthehemi diasporës që të na shpëtojë nga lëmshi në të cilin vetë jemi futur.

Për shkak se kemi dëshmuar se jemi injorantë për shtetndërtim, dhe mjeshtër të rahatimit të nipave, mbesave, vajzave, djemve, kunatave, hallave, tezeve, xhaxhallarëve, baxhanakëve..., me kusht, natyrisht, që paratë për ta t'i sigurojmë nga tatimet dhe nga importi i pafund i mallrave, përfshirë edhe patatet nga Egjipti.

flaka@koha.net