OpEd

Kolumna e numrave dhe e fakteve

Pse Beogradi synon viktimizim të rremë në 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s? Cilat janë faktet që flasin se edhe para bombardimeve, edhe gjatë bombardimeve e edhe në ngjarjet e marsit 2004 shumë më tepër ka pasur viktima shqiptare se serbe?

NJË MUNDËSI TJETËR për viktimizim të rremë nga Beogradi sa i përket humbjes së Kosovës dhe bombardimit të Jugosllavisë u pa më 24 mars. Në 20-vjetorin e ndërhyrjes humanitare të Paktit NATO për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga masakrat dhe shtypja e regjimit të Milosheviqit, kishte shumë manifestime gjithandej Serbisë. Porosia: Serbët u sulmuan pa të drejtë!

Klasa e sotme politike në Beograd, dorën në zemër, ia ka dalë të fusë një tis dyshimi te një pjesë e shteteve – nëse ka qenë i tepruar intervenimi i demokracive perëndimore për Kosovën. Si rrjedhojë e kësaj politike sot edhe kemi Gjykatën Speciale, kemi izolimin e Kosovës dhe ndonjë efekt tjetër rrethanor.

Gjithsesi, në këtë ka ndikuar edhe ngathtësia e politikës së jashtme kosovare. 20 vjet pas, rrallë e hiç në zyrat e qeverive perëndimore janë politikanët që atëbotë e kishin parë me sytë e tyre mizorinë e shqiptarëve dhe kishin vendosur që t’i vinin në ndihmë një populli, i cili po vritej në mes të Evropës. Së këndejmi, gjithmonë dhe parreshtur, ka nevojë të përsëritet e vërteta për Kosovën – numrat dhe faktet.

E VËRTETA PËR Kosovën, nëse ndalemi te çështja e 20-vjetorit të intervenimit të Aleancës Veriatlantike, është e kundërta nga ajo që ridëgjuam në manifestimet e Serbisë. Faktet flasin krejt të kundërtën e propagandës së Beogradit – megjithëse bombardimet e NATO-s ndodhën për t’u ardhur në ndihmë civilëve shqiptarë, nga ato bomba pati më shumë viktima civile shqiptare sesa serbe.

Faktet janë këto:

Gjithsej, 754 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e bombardimeve të NATO-s.

219 janë civilë shqiptarë, 207 janë serbë dhe malazezë, 14 romë dhe 14 civilë të etnive të tjera.

Nga të uniformuarit janë 274 pjesëtarë të Policisë/Ushtrisë Jugosllave, kurse 26 pjesëtarë të UÇK-së.

Pavarësisht kësaj, sot e 20 vjet shqiptarët asnjëherë nuk kanë vënë në dyshim se bombardimet e NATO-s kanë qenë të drejta. Ngase, në të njëjtën kohë, krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve kanë vazhduar deri në kapitullimin e Serbisë, pas 78 ditësh fushate ajrore.

SE KRIMET E forcave serbe nuk janë ndalur, por janë intensifikuar gjatë fushatës së NATO-s, e ka rikujtuar në këtë 20-vjetor Fondi për të Drejtën Humanitare. Sipas të dhënave të tyre, në periudhën nga 20 marsi deri më 14 qershor të vitit 1999, forcat serbe në Kosovë kanë vrarë gjithsej 6.872 civilë shqiptarë.

Fakt është edhe se Tribunali i Hagës ka konstatuar se mbi 800.000 civilë shqiptarë u dëbuan, një numër ende i papërcaktuar i personave ishin ekspozuar ndaj torturës dhe abuzimit seksual, kurse u shkatërrua një pjesë e rëndësishme e pronës dhe e objekteve fetare të shqiptarëve të Kosovës.

Fakt është edhe se vetëm brenda 26 marsit në Krushë të Vogël, Suharekë, Landovicë, Celinë dhe vende të tjera u vranë rreth 700 civilë shqiptarë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

Fakt tjetër është se deri më tash në territorin e Serbisë janë zbuluar 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë. FHD-ja ka numëruar 744 kufoma shqiptarësh në varrezën masive në Batajnicë afër Beogradit, së paku 61 trupa në Petrovo Selo, 84 të tjerë te liqeni Peruqac, ndërsa edhe 52 trupa të tjerë shqiptarësh të vrarë në varrin masiv në Rudnicë.

Kurse fakt është edhe se asnjë procedurë gjyqësore nuk është ndërmarrë deri sot për të gjetur dhe dënuar urdhërdhënësit e fshehjes së kufomave të shqiptarëve nëpër territorin e Serbisë, ndonëse ka dëshmi se punëtorët, të cilët ishin ngarkuar për t’i ekzekutuar punët ishin paguar nga ndërmarrjet shtetërore të Beogradit.

Njësoj siç është fakt se nuk ka asnjë gjykim për mbi 1000 civilët shqiptarë të vrarë gjatë vitit 1998 në Kosovë, as për vrasjen e fëmijëve të familjes Jashari, as për masakrat e Mejës, Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, Korenicës, Celinës dhe Pastasellës.

Fakt është edhe se Qeveria e Serbisë nuk ka paguar asnjë cent për rindërtimin e rreth 120.000 pronave të shkatërruara të shqiptarëve, ose për rindërtimin e asnjërës nga rreth 600 objektet e shkatërruara kulturore e fetare të shqiptarëve.

Fakt është, po ashtu, se askush deri më sot nuk është dënuar për vrasjen e afro 1 090 fëmijëve shqiptarë, si dhe të mijëra viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Të gjitha këto janë fakte dhe numra të verifikueshëm lehtë edhe nga Beogradi.

NË ANËN TJETËR, ka edhe një episod fatkeq, të cilin Beogradi gjithmonë e ka përdorur për të sulmuar Kosovën dhe shqiptarët – ngjarjet e 17 dhe 18 marsit 2004. Mirëpo, edhe në këtë rast, sipas raportit zyrtar të përpiluar nga OSBE-ja, fakt është se nga gjithsej 19 persona të cilat kanë humbur jetën, 11 janë shqiptarë, kurse 8 janë serbë.

Njësoj siç është fakt se gjykatat kanë shqiptuar shumë dënime për të përfshirët në këto ngjarje, të cilët kanë marrë dënime nga 21 muaj deri në 16 vjet burgim.

20 vjet më vonë, Beogradi vazhdon të mos i njohë këto fakte.

20 vjet më vonë, përherë dhe parreshtur, ka nevojë të përsëritet e vërteta për Kosovën – numrat dhe faktet.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk