Kapiteni, barka, vapori, busulla dhe taks(ë)irati

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 16 March 2019 08:21

Kapiteni i përgjegjshëm e njeh mirë barkën e tij. Barra kryesore e kapitenit është ta çojë barkën lundrim deri në bregun tjetër. Për këtë arsye, kapitenit i duhet që ndonjëherë ta lejojë që t’i rrjedhë nga pak uji, në mënyrë që të shohë në busull orientimin që ka marrë barka. Dhe të shohë se kë e ka skaj barkës. Pa kurs të drejtë, barka mund të arrijë në limanin e gabuar. Ose të thyhet shkëmbinjve...

KAPITENI E KA përgjegjësinë e barkës. Barra kryesore e kapitenit është ta çojë barkën lundrim deri në bregun tjetër. Përgjatë këtij lundrimi, barka mund të përballet me vrima që lëshojnë ujin, me det të trazuar, me vaporë të mëdhenj të cilat i dalin në kurs.

Kapiteni i mirë është i fundit që e lëshon barkën, në rast të rrezikut, në kohën kur bindet se të gjithë udhëtarët janë të sigurt në destinacion.

Aleati më i mirë i kapitenit është busulla. Busulla ia tregon gjithmonë rrugën e drejtë. Pa busull, kapiteni rrezikon ta çojë barkën drejt shkëmbinjve dhe ta fundosë, ose ta humbë krejtësisht orientimin.

BARKA E KOSOVËS ka kohë që ka lëshuar ujin. Qeveria Haradinaj, në rolin e kapitenit, ka gjetur një vrimë për t’i bërë ballë ujit që po hyn në barkë, duke i vënë një tapë mbyllëse. Uji i rrezikshëm vinte nga Serbia. Tapa ka ardhur në formën e taksës 100 për qind.

Të gjithë udhëtarët janë gëzuar se kapiteni e ka gjetur mënyrën se si ta shpëtojë barkën. Ndërkohë, deti është trazuar, Serbia bën trysni në bashkësinë ndërkombëtare, kurse mallrat po hyjnë kontrabandë. Janë hapur vrima të tjera në barkë, por kapiteni vazhdon të mos largohet nga vrima fillestare, i bindur se vetëm tapa mbi të do ta shpëtojë barkën.

Sakaq, barkës i ka dalë në rrugë vapori më i madh në të gjithë detet. Vapori është aty për ta ndihmuar barkën, për të lundruar krahas saj deri në liman. Kapiteni i vaporit ia ka hedhur litarin kapitenit të barkës. Kapiteni i barkës nuk po ia del ta kapë litarin me duar, se duart i ka të zëna duke e mbajtur tapën te vrima.

Vapori nuk e braktis barkën, por pesha e tij gjigante karshi mund të shkaktojë fërkime, të cilat rrezik ta përmbysin barkën në lundrim. Dhe të mos e arrijë asnjëherë limanin.

Po e dini, besoj, se kush është vapori!

TË GJITHË E kanë përshëndetur vendosjen e taksës 100 për qind, në kuptimin e përgjigjes me mundësitë e Kosovës ndaj politikave bllokuese të Serbisë. Por, taksa, sado e përkrahur, nuk është leva e vetme të cilën do të mundë ta përdorë Prishtina për t’i kërkuar disiplinim Serbisë. Përkundrazi, Serbia ia ka dalë t’i bindë shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe SHBA-në, se taksa duhet të hiqet në mënyrë që dialogu, për të arritur “marrëveshjen përfundimtare” me Kosovën, të vazhdojë.

SHBA-ja, por edhe shtetet kryesore të BE-së, nuk po i dëgjojnë krejtësisht argumentet e Kosovës, njësoj siç nuk po i dëgjojnë krejtësisht argumentet e Serbisë. Ata nuk po kërkojnë që taksa të hiqet, ata po kërkojnë që taksa të pezullohet përkohësisht.

Çka do të thotë kjo? Që përnjëherë trysnia kthehet nga Serbia, teksa Beogradi ka një afat kohor prej 90 ose 120 ditësh të dëshmojë konstruktivitet, në të kundërtën taksa do të kthehej, tashmë me nënkuptimin e mbështetjes nga SHBA-ja dhe BE-ja. Pra, me pezullimin e taksës, për Serbinë do të fillonte numërimi mbrapshtë, gjatë së cilës kohë ose do të luante sipas rregullave, ose do të përballej me sanksione të përkrahura edhe nga Perëndimi.

Në anën tjetër, gjithashtu, as SHBA-ja e as shtetet kryesore të BE-së nuk po thonë që Kosova nuk është shtet. As nuk po thonë se rezultati i fundit i marrëveshjes nuk do të jetë njohja e të dyja shteteve ndërmjet vete. Për më tepër, as SHBA-ja, as BE-ja nuk po kërkojnë që Kosova të mos sillet edhe tash si shtet i pavarur në raport me Serbinë.

Si mund ta shfrytëzojë Kosova këtë? Shembull, pak pas hyrjes në fuqi të taksës, Qeveria e Kosovës ka marrë edhe një vendim që të gjitha produktet që hyjnë nga Serbia të kenë të shkruar destinimin për Republikën e Kosovës. Askush nuk po i kërkon Kosovës që ta abrogojë këtë vendim, kurse i njëjti për Serbinë e ka efektin e ngjashëm me taksën.

Në të njëjtën kohë, ka disa marrëveshje që tashmë janë nënshkruar në dialogun e Brukselit dhe që deri më tash nuk po gjejnë zbatim nga Beogradi. Prishtina mund të kërkojë që në një afat krejt të shkurtër kohor Beogradi të fillojë zbatimin e plotë të të gjitha këtyre marrëveshjeve, ku përfshihen edhe ajo për energjinë elektrike, edhe për menaxhimin e integruar të kufirit, edhe për targat e automjeteve, librat shkollorë e shumë të tjera. Gjithashtu, Prishtina mund të fillojë zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sipas versionit të qethur nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë mënyrë, veprimi me vendosjen e taksës do të mundë të kapitalizohej vërtet shumëfish nga Prishtina, në kohën kur SHBA-ja, dhe jo vetëm, po kërkon që Serbia të arrijë marrëveshje me Kosovën, e cila do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë.

Në të kundërtën, insistimi në mospezullimin e përkohshëm të taksës, duke mos i shfrytëzuar të gjitha mundësitë e tjera në dispozicion për të përfituar nga momentumi, mund ta kthejë taksën nga një mjet ndëshkimi për Serbinë në mjet ndëshkimi për Kosovën. Por me pasoja më afatgjata dhe shumë më serioze sesa që është për Serbinë bllokimi i pjesshëm i vetëm 3-4 përqindëshit të eksporteve jashtë vendit.

KAPITENI I PËRGJEGJSHËM e njeh mirë barkën e tij. Kapiteni e di se duke u marrë vetëm me mbylljen e një vrime, e cila si për taks(ë)irat po ia rrjedh ujin, nuk e ka të garantuar lundrimin e sigurt.

Kapiteni asnjëherë nuk e harron rolin e busullës. Pa busullën e di që mund të humbet orientimin. Pa orientim, barka mund të arrijë në limanin e gabuar. Ose të thyhet shkëmbinjve.

Për këtë arsye, kapitenit i duhet që ndonjëherë ta lejojë që t’i rrjedh pak uji, në mënyrë që të shohë në busull orientimin kah po i lundron barka. Dhe të shohë se kë e ka skaj barkës.

Kapiteni i mirë e di se e ka barrë kryesore ta çojë barkën lundrim deri në bregun tjetër.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi