Vështrime

Me lamtumirën britanike, Kosova humb mikun më të madh në BE

Këtë javë do të kuptojmë përfundimisht a do të dalë Britania e Madhe nga BE-ja me apo pa marrëveshje, ose do të kërkojë shtyrje për disa muaj. Por largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja është i pashmangshëm. Shpesh është thënë se Britania ka qenë ndër shtetet e BE-së që ka mbështetur më së shumti Kosovën. Në fakt, Britania e Madhe ka qenë jo vetëm “ndër shtetet”, por shteti që e ka mbështetur më së shumti Kosovën në BE, disa herë duke këmbëngulur edhe më shumë sesa vetë përfaqësuesit e Kosovës. Përderisa duhet të vazhdojë rrugën e gjatë, të paqartë, drejt integrimeve në BE, Kosova duhet të mbajë dhe t’i forcojë edhe më shumë lidhjet politike, ekonomike, kulturore dhe ushtarake me Britaninë e Madhe

Kanë mbetur më pak se tri javë deri në largimin formal të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Data e caktuar për këtë ndarje është 29 marsi, sipas kohës britanike, apo 30 marsi sipas asaj të Evropës Qendrore. Pra, nga kalimi i mesnatës të së shtunës nga 30 marsi në 31 mars, BE-ja do t’i ketë 27 vende anëtare, pa Britaninë e Madhe. Mund të ndodhë që të ketë shtyrje dhe që Britania të mos largohet me këtë datë. Përgjigjen përfundimtare do ta dimë këtë javë pas tri votimesh që priten në Parlamentin britanik. Votimi i parë do të jetë të martën, më 12 mars, për Marrëveshjen ekzistuese, të vetme, mes BE-së dhe Britanisë së Madhe për Brexit.