Ikja e idhujve të Gjeneratës X kosovare

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 09 March 2019 08:17

Disa familje e kishin vendosur ikjen fizike, kishin marrë valixhet dhe fotografitë me vete dhe ia kishin mësyrë Perëndimit. Të tjerëve iu kishte mbetur vetëm alternativa shqisore e ikjes drejt Perëndimit – me sy dhe veshë. Me filma dhe MTV

“MOONWALK”, “RAVE PARTY”, “Dylan Vs Brandon”. Nëse jeni millennial (i lindur në vitin 1995 e tutje), ose ndryshe pjesëtar i Gjeneratës Y, ka shumë gjasa që të mos e dini se për çka është fjala. Por ne të Gjeneratës X, sikur me kode të fshehta, fare lehtë merremi vesh.

Aq më tepër, nëse ke qenë pjesëtar i Gjeneratës X, shqiptar dhe në Kosovë. Kjo i bie, ti në vitet më të bukura të adoleshencës ke qenë i konsideruar si qytetar i dorës së dytë nga pushteti, i ke pasur prindërit e dëbuar nga puna, ke shkuar nëpër shkolla të improvizuara nëpër shtëpi dhe me pasaportën që e ke pasur nuk ke pasur mundësi të udhëtosh më larg se në dy-tri shtete që të kanë rrethuar, kurse disa nga ato shtete tashmë kanë qenë në luftë.

Në këto rrethana rruga ka qenë njëdrejtimëshe – ikja. Disa familje e kishin vendosur ikjen fizike, kishin marrë valixhet dhe fotografitë me vete dhe ia kishin mësyrë Perëndimit. Të tjerëve iu kishte mbetur vetëm alternativa shqisore e ikjes drejt Perëndimit – me sy dhe veshë. Me filma dhe MTV.

KJO JAVË ka sjellë shumë ndjenja të përziera për fëmijët e viteve ’90. Tri lajme të këqija mbizotëruan diskutimet lidhur me figurat e idolatrisë. Dy vdekje brenda një dite dhe një ringjallje e turpshme e një të vdekuri, secili me vend të veçantë në zemra.

Në mëngjesin e së hënës u dha lajmi se Keith Flint i bendit “The Prodigy” i kishte dhënë fund jetës në moshën 49-vjeçare. Trioja nga Essexi i Britanisë së Madhe ia kishin dalë që me prezantimin e asaj që u njoh si big beat t’i bashkonin rreth vetes dy grupe kryesisht rivale të adhuruesve të muzikës së të ’90-ave, Heavy Rock dhe Rap/Electronic, në ndejat me zë të lartë Rave Party. Pavarësisht se a mbaje flokë të gjatë ose a i kishe ata të prerë krejt shkurt, të gjithë do të rrëmbeheshin nga hitet si “Firestarter”, “Breath” e “Smack My Bitch Up”. Origjinaliteti bëri që “The Prodigy” të kenë plot shtatë albume në vendin e parë në Britani, baras me emrat si Elton John dhe George Michael.

Të hënën pasdite iku edhe Luke Perry, i njohur nga seriali “Beverly Hills 90210”. Në këtë serial ai luante rolin e zemërthyerit problematik, Dylan McKay, i cili do t’i ndante në dysh si vajzat ashtu edhe djemtë në Kosovë dhe mbarë botën. Gjysma e vajzave dashuronin dhe gjysma e djemve donin t’i ngjanin djaloshit të rrezikshëm, Dylan, teksa gjysma tjetër shokut të tij të natyrës së butë, Brandon (Jason Priestley), të dy këta rivalë për t’ia fituar zemrën Kellyt (Jennie Garth).

Tash paramendojeni se çfarë ikjeje nga realiteti i zymtë i Kosovës së të ’90-ave ka qenë kur një herë në javë të gjithë uleshin para ekraneve për t’i ndjekur aventurat shkollore në njërin prej qyteteve me shkollat më të mira në SHBA. Për këtë arsye, pati shumë dhimbje për vdekjen në moshën 52-vjeçare të një aktori krejtësisht mesatar, edhe në një vend si Kosova. Kishte të bënte me ëndrrën e munguar, rastin e lëshuar, më tepër sesa me fuqinë e artit.

MICHAEL JACKSON. E mbi të gjithë emrat e tjerë të idhujve të Gjeneratës X ka qenë njëshi. Nëse nuk e ke provuar së paku një herë ta bësh vallëzimin e ecjes në Hënë “moonwalk”, ose që nuk e ke dëgjuar solon e çmendur të kitarës së Eddie Van Halen te “Beat It”, ose që nuk e ke përjetuar (vizualisht) stacionin nëntokësor njujorkez të trenit në “Bad”, ti nuk je konsideruar krejtësisht normal. Autori i albumit më të shitur të të gjitha kohëve, “Thriller”, ishte në posterët e shumicës së fëmijëve, teksa edhe ai veten e quante një fëmijë i përjetshëm, një Peter Pan, duke ndërtuar edhe shtëpinë me lojërat dhe argëtimin e ëndërruar nga secili fëmijë “Neverland”.

Këtë javë dokumentari “Leaving Neverland”, i transmetuar nga HBO, duket se i ka dhënë përfundimisht fund fenomenit Michael Jackson. I rrituri si fëmijë i pafajshëm, në këtë dokumentar shfaqet në dritën e një pedofili perfid. James Safechuck dhe Wade Robson janë dy personazhet që flasin hapur se si idhulli i tyre, Michael, i kishte keqtrajtuar ata seksualisht për vite të tëra, në kohën kur i kishte thirrur të jetonin në shtëpinë e tyre sa kanë qenë fëmijë.

Nuk është se kjo ishte hera e parë. Jackson ishte ballafaquar me akuza për pedofili edhe në të kaluarën (në një rast gjyqësor i kishte paguar familjes së akuzuesit të mitur miliona dollarë në mënyrë që të mbyllej rasti), por në njëfarë forme njerëzit kishin vendosur të mos iu besonin të gjitha rrëfimeve që dilnin në sipërfaqe

Këtë javë, shkaku i dokumentarit të ri, shumëkush ka vendosur të thotë “Leaving Michael Jackson”. Ka disa stacione televizive dhe radioje që tashmë kanë marrë vendim të mos i emetojnë këngët e Jacksonit, duke e parë si një personalitet të ndyrë. Edhe pse i ndarë nga jeta para dhjetë vjetësh, kjo llogaritet si vdekja e vërtetë e Michael Jacksonit.

TË TRIA LAJMET janë të largëta. Shumëkujt mund t’i duken edhe krejt triviale e të parëndësishme. Por, këto nuk janë njësoj për ëndërrimtarët e Kosovës. Falë njerëzve si këta, sot në Kosovë është fenomeni i pjesëtarëve të një gjenerate që mbase ende pa pasur asnjë bisedë me një anglishtfolës kanë ditur të flasin anglisht, ose ende pa udhëtuar në asnjë vend të Perëndimit ia kanë vënë detyrim vetvetes për të studiuar atje.

Gjenerata X e Kosovës. Rrallë e përsëritshme!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Mirre16/03/2019 17:35

Poplli po flen po presin viza e Ne ne vite te prej 87 e 90 nuk i kemi pranuar pa drejtat nga serbi e sod veq ankohen e i lejojn kta kriminela ne pushtet

lind11/03/2019 12:51

Një tragjedi e madhe po na ndodh në të gjitha drejtimet.. Unë po befasohen me këta pushtetarët tanë se sa të pashpirt po tregohen ...për gjeneratat që ende nuk kan lindur?!. A besojnë këta në ZOT...a jan këta Shqiptar?! uzurpator?!

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi