Raus!

Enver Robelli Enver Robelli 07 mars 2019 08:15

Turqisë së Rexhep Taip Erdoanit me gjasë nuk po i pëlqen puna e korrespondentëve gjermanë – andaj disave prej tyre nuk u është vazhduar akreditimi. Edhe një dëshmi se Turqia po zhytet thellë e më thellë në një sistem autoritar dhe arbitrar.

Javën që shkoi në Stamboll u mbajt një konferencë krejt e rëndomtë për shtyp mbi marrëdhëniet ekonomike mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian. Skandali shpërtheu te dera, ende pa filluar konferenca për media: disa gazetarë gjermanë nuk u lejuan të marrin pjesë. Në konferencën për media ministri i Financave i Turqisë (dhe dhëndri i kryetarit Rexhep Taip Erdoan), Berat Albajraku, bashkë me zëvendëspresidentin e Komisionit të BE-së, Jyrki Katainen, njoftuan se BE-ja do të ndihmojë Turqinë me 275 milionë euro.

Gazetarët gjermanë nuk u lejuan të hyjnë në konferencë për shkak se nuk kishin akreditime të vlefshme. Ky nuk është faji i tyre: shumë reporterë të huaj po presin qe disa muaj që autoritetet turke t’ua vazhdojnë akreditimet. Pa akreditim gazetarët nuk mund të punojnë dhe duhet të braktisin vendin. Në konferencën për media ministri Albajrak tha se me gjasë korrespondentët që po prisnin te dera nuk do të pajiseshin më me karta akreditimi. Një mesazh i qartë: Turqia e Rexhep Taip Erdoanit po zhytet thellë e më thellë në një sistem autoritar dhe arbitrar, ndërkohë që paratë e taksapaguesve evropianë i pranon pa hezitim.

Ndalimi i gazetarëve për të hyrë në konferencën për shtyp ishte vetëm uvertura. Dy korrespondentë tashmë kanë pranuar njoftimin se akreditimet e tyre nuk do të vazhdohen. I pari është Jörg Brase, i cili raporton nga Stambolli për Turqinë dhe vendet në rajon. 57-vjeçari Brase është gazetar me përvojë – i njohur për raportimet e tij nga lufta e Kosovës në vitin 1999, pastaj nga Afrika, Iraku dhe Afganistani. I refuzuari i dytë është Thomas Seibert, korrespondent i gazetës “Tagesspiegel” të Berlinit. Seibert, 55-vjeçar, punon qe 22 vjet si gazetar nga Stambolli. Në njoftimin për refuzimin e akreditimit autoritetet turke nuk japin asnjë sqarim apo arsyetim. “Kërkesa juaj për të vazhduar akreditimin për vitin 2019 nuk është miratuar” – kjo është e tëra. Dhe në fund një: “saygılarımızla”, përshëndetje të përzemërta. Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, në Turqi rreth 80 gazetarë të huaj janë duke pritur akreditimet.

Përzënia e korrespondentëve gjermanë po ndodh pak javë para zgjedhjeve lokale në Turqi (31 mars). Partia e kryetarit Erdoan AKP frikësohet se do të pësojë humbje. Andaj si para referendumit për ndryshimin e Kushtetutës më 2017 dhe para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 2017, edhe tani po shtohen masat represive. Që nga tentimi për grusht të shtetit më 2016 gjendja e mediave në Turqi është keqësuar në mënyrë drastike. Në indeksin e lirisë së shtypit Turqia ka rrëshqitur në vendin e 157-të prej 180 vendeve. Shumë gazetarë janë futur prapa grilave, numri i të arrestuarve pas vitit 2016 kalon mbi 50 mijë, gjithsej 1400 organizata joqeveritare janë mbyllur me dekret. Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut mbi 500 mijë njerëz në Turqi dyshohen se janë anëtarë të ndonjë organizate terroriste. Kur llogariten këtu edhe familjet e tyre, të cilat po ashtu shihen me dyshim, atëherë numri i të përndjekurve arrin në miliona. Se kush është terrorist e kush jo – këtë e vendos regjimi i Erdoanit dhe drejtësia e tij e shndërruar në instrument politik për larje të hesapeve me kritikë.

Një gjykatë e apelit në Stamboll ka konfirmuar dënimet me burg për gjashtë punëtorë të gazetës “Cumhuriyet”. Njëkohësisht prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për Osman Kavallën, një intelektual i respektuar në botën perëndimore, i cili njihet si përkrahës i shumë projekteve kulturore dhe të dialogut mes Turqisë dhe Perëndimit. Kavalla akuzohet se para gjashtë vjetësh i ka përkrahur protestat në parkun Gezi të Stambollit. Atëbotë shoqëria civile turke vërshoi rrugët e Stambollit për të kundërshtuar projektin e Rexhep Taip Erdoanit për ndryshimin e parkut historik Gezi. Kavalla dhe 15 intelektualë të tjerë akuzohen se duke përkrahur protestat në Gezi kanë pasur për qëllim të rrëzojnë pushtetin. “Kjo është çmenduri totale” – shkroi në Twitter Kati Piri, raportuese për Turqinë e Parlamentit Evropian. Kavalla është nominuar për çmimin “Nobel” për paqe.

“Evropianët me sa duket janë pajtuar me drejtësinë arbitrare turke”, kritikoi revista “Der Spiegel” së fundi qëndrimin indiferent të Brukselit dhe Berlinit ndaj demontimit të demokracisë në Turqi. Pas viteve të tensioneve të thella Perëndimi synon të normalizojë raportet me Turqinë. Por, fushata e pandërprerë dhe e ashpërsuar represive kundër kritikëve të Erdoanit, frikësimi i tyre dhe dëbimi i gazetarëve perëndimorë janë sinjale shqetësuese se në Turqi “asgjë s’po bëhet më mirë dhe shumëçka më keq”. Kështu tha këto ditë një diplomat i lartë gjerman – me gjasë edhe ky i hutuar nga qëndrimet moskokëçarëse të Turqisë ndaj apeleve nga bota perëndimore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli