OpEd

Një kope pengjesh

Në vend se të ishim shtet i mbarë e i shëndoshë me gjithë këtë rini, jemi shndërruar në pengje -- të llojit të atyre të ngujuar nëpër hapësira të mbyllura, ku drita depërton nëpër ato pak të çara që ende nuk na i kanë mbuluar me lloç.

E po mirë. Na erdhi një delegacion amerikan për t'i bërë presion Haradinajt për ta hequr taksën. U takuan me kryetarin, me delegacionin shtetëror për negociata, me deputetët e partive kryesore politike, por jo edhe me ata të Vetëvendosjes, dhe shkuan duke e lënë një kërcënim shumë serioz në ajër: se do të mundë të shqyrtohej edhe çështja e vazhdimit të prezencës ushtarake amerikane në Kosovë.

Në këta 20 vjet, nuk e di të kem dëgjuar kërcënim më të madh të shqiptuar ndonjëherë, që do të mundë të kishte pasoja të pariparueshme për sigurinë e Kosovës. Dhe sinqerisht, nuk po mund ta kuptoj se përse një taksë, që deshëm apo nuk deshëm, është vendim sovran i kësaj qeverie, përnjëherë shndërrohet në pengesë e problem kaq të madh, saqë kërcënohemi ta humbim përkrahjen ushtarake të atyre falë të cilëve edhe e mbijetuam luftën.

Përderisa e dëgjova një interpretim për taksën -- se është mjeti i vetëm që i ka mbetur në dispozicion Haradinajt për ta ndalur hovin krye më vete të Thaçit drejt humnerës negociuese, nga ana tjetër, efektet e taksës nuk është se kanë ndikim tepër të madh te Serbia, kurse në treg po reflektohen me rritje çmimesh të produkteve, pavarësisht prejardhjes, në mënyrë të heshtur.

Për Haradinajn, përfundimisht, taksa e përfaqëson një mjet të jashtëzakonshëm populist, që mund t'i sigurojë vota e përkrahje të shumëkujt që as nuk po e kupton arsyen se përse një vendim i këtillë mund ta shkaktojë gjithë atë rrëmujë dhe t'i shtyjë gjithë ata njerëz që të ushtrojnë trysni që ajo të hiqet.

Peng të Ramushit

Në gjithë këtë rrëfimin e taksës, Haradinaj ka mbetur i vetmuar. Bile duhet t'ia pranojmë se këtu tregoi konsistencë (nëse jo kokëfortësi), krahasuar me gjithë të tjerët që u turrën për t'i marrë meritat për vendimin më sovran që Kosova ka marrë ndonjëherë karshi Serbisë.

Dhe sa më e madhe trysnia, aq më e madhe vendosmëria që të mos heqë dorë. Dhe aq më i rritur disponimi antagonist ndaj Thaçit, me të cilin në fillim të mandatit qeverisës e lidhte një dashuri politike plot mirësjellje e lëvdata të ndërsjella. Respekti, sado i shtirur të ketë qenë, për shkak të interesit politik që i lidhte, tash është shndërruar në ironi dhe në sulm të drejtpërdrejtë.

Në komentin që bëri Thaçi se interesi i shtetit duhet të jetë mbi atë të votave (duke iu referuar taksës, natyrisht), Haradinaj tha: "Unë presidentin e du shumë", kurse pas paraqitjes patetike të kryetarit në Tiranë, e tha edhe këtë: "Presidenti i ka bo dëme të mëdha vendit me idetë e tij lidhur me dialogun dhe me avancimet për ndarje të Kosovës. Pra, diskutimet e tij e kanë pru gjendjen ku jemi sot”.

Sido që të jetë, raportet mes këtyre dyve duken se nuk kanë qenë kurrë në pikë më të ulët se tash. Dhe problemi nuk është se pse këta të dy nuk e durojnë njëri-tjetrin personalisht. Problemi është se inatet e tyre, paaftësia e tyre për ta udhëhequr shtetin, dhe interesat e tyre personale, kanë pasoja tepër negative te i gjithë populli, i shndërruar në një kope pengjesh të tekave të tyre.

Peng të Hashimit

E se diskutimet e Thaçit na kanë sjellë në pikën në të cilën gjendemi tash, nuk ka dilema. Tashmë e përsëritur me mijëra herë -- shkuarja e tij në Bruksel për të folur sa fshehtazi e sa haptazi me Vuçiqin, pa autorizim, pa platformë, pa vija të kuqe -- na e kanë bërë jetën edhe më të vështirë seç e kemi pasur.

Si ekspertë për t'ia futur vetes therën në këmbë, lejuam që me muaj të tërë Thaçi të sorollatej herë këndej e herë andej, dhe pas çdo takimi në Bruksel të na e mbante një konferencë për shtyp, prej nga do të na dilnin shumë mesazhe kundërthënëse për cakun e tij të vërtetë në këto negociata.

Po qe se e shikojmë kronologjikisht, do të kujtojmë se na ka thënë edhe me sa vijon:

"...marrëveshja do të jetë shumë e vështirë dhe e dhimbshme dhe duhet të ndërrohet kushtetuta..."

"Nuk do të ketë vija të kuqe, sikurse ka pasur Grupi i Kontaktit në rastin e bisedimeve të Vjenës. Do të elaborohen vetëm temat për të cilat pajtohen dy palët, si mundësi që dërgon deri te arritja e marrëveshjes përfundimtare. Nuk do të ketë marrëveshje tjetër të përkohshme. Palët nuk do të lejohet të kushtëzojnë negociatat me këtë apo atë çështje".

"...në muajt e ardhshëm sa kanë mbetur, 6 muaj, të arrihet marrëveshja përfundimtare historike, ajo e normalizimit të marrëdhënieve, e paqes dhe njohjes reciproke në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”.

"Edhe zyrtarisht, i pëlqeu dikujt apo jo, unë do ta shtroj kërkesën e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit që ajo pjesë t’i bashkohet Kosovës. Nuk kam ndonjë nostalgji për vijat e shtruara nga famëkeqi Aleksandar Rankoviq. Të gjithë janë të pajtimit që duhet rregulluar vijat me Serbinë. Unë nuk e kam ndonjë kasavet për Serbinë, por vendi ynë duhet të ecë përpara"

“(ideja rrjedh...) prej presidentit Rugova në vitin ’94, pastaj prej profesorit Nexhat Daci, prej kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri. Ndërsa sa i përket ndarjes, natyrisht që Serbia ka pretendim ndarjen, por po të tregoj cila është ideja ime origjinale. Ideja ime origjinale është bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës. Kjo është ideja ime origjinale, që iu kam bashkangjitur presidentit Rugova, Dacit dhe kryetarit të Gjilanit”

"Unë jam kryetar, unë vendosi"

Lista e deklaratave të këtij lloji është aq e gjatë sa natyrisht se një hapësirë të kufizuar nuk mund t'i përfshijë të gjitha. Dhe ato modifikohen pak a shumë, sa për t'iu përshtatur trendit të momentit apo për ta thumbuar sërish dikë, ose për t'u dëshmuar më patriot se ai tjetri që po i bën zullum. Kështu, pas vizitës së amerikanëve, i doli një status në FB, ku tha se "Delegacioni shtetëror ishte pajtuar që taksa të pezullohej", e cila u demantua menjëherë nga Shpend Ahmeti, që e tha se asi dakordimi nuk ka pasur. E një ditë pas vizitës së amerikanëve, nga të cilat takime nuk dolën deklarata, porse me siguri do të kishte pasur porosi që dikur mbase do të na bëhen publike, Thaçi e mbajti fjalimin më patetik të kohëve të fundit në Tiranë: "Shkëmbimi i territoreve nuk do të ndodhë. Shkëmbimi është pazar dhe nuk do të lejojmë të bëj pazare me territore. Ndarja e Kosovës pa shkelur mbi trupin tim nuk do të mundë të cenojë asnjë milimetër të territorit të Kosovës. Askush nuk do të mundë të cenojë “Trepçën”, Ujmanin, as edhe një pjesë të territorit të Kosovës”. Kësaj ia shtoi se është për korrigjim kufiri ashtu që Kosovës t'i bashkohet Lugina e Preshevës. Por si zakonisht, duke mos shpjeguar si. Thuajse Serbia mezi pret ta heqë qafesh Luginën në këmbim të asgjëje.

Me delegacionin shtetëror që ende nuk ka ligj, e që e ka një platformë që nuk i ndalon në mënyrë të qartë as negociatat e mëtejme nga Thaçi e as këmbimin e territoreve, mbesim peng të Thaçit dhe frikës së tij ekzistenciale -- se në mos po shkon në Hagë ndërkohë që negociatat janë ngujuar.

* * *

Derisa ne ende me muaj merremi me korrigjimin, me bashkëngjitjen e Luginës, me taksën..., ndërkohë vazhdon rrënimi i shtetit në të gjitha aspektet.

Rruga për në Shkup lëre që nuk përfundoi me kohë, por do të na kushtojë edhe kush e di sa milionë punë shtesë e të ngjashme. Punësimi masiv në PTK vazhdon, dhe s'ka kush ta ndalë; Kuvendi harxhon me qindra mijëra euro për laptopa, shëtitje e mëditje, dhe as aty s'ka kush çka bën; Onkologjia nuk ofron shërbime, sepse aparatura është prishur, deri në tenderin e ardhshëm; mungesa e parasë së gatshme në treg është përherë më e madhe, dhe kush s'mërzitet për këtë punë...

Njëzet vjetët e lirisë e kanë dëshmuar se ne kosovarët jemi ekspertë në shpenzimin e energjisë për t'u marrë intensivisht me gjëra që na shpërqendrojnë nga të gjitha të tjerat që mbase nuk mund të kenë peshë kaq të madhe politike, por nga të cilat na varet jeta e përditshme.

Taktika të cilën e kanë zbatuar të gjitha qeveritë ka pasur sukses -- të humbim kohë e energji për "temat e mëdha" e të harrojmë se çfarë po na ndodhë në jetën e përditshme. T'i harrojmë hajnitë, varfërinë, shkatërrimin e pronave të përbashkëta, mbytjen e natyrës; ndotjen e ajrit; nivelin e ulët shkollor e kulturor, vdekjen klinike të shëndetësisë e plot sende të tjera pa të cilat nuk jetohet një jetë normale.

Në vend se të ishim shtet i mbarë e i shëndoshë me gjithë këtë rini, jemi shndërruar në pengje -- të llojit të atyre të ngujuar nëpër hapësira të mbyllura, ku drita depërton nëpër ato pak të çara që ende nuk na i kanë mbuluar me lloç.

flaka@koha.net